Ti je fëmija i dashur i Zotit

Jan 13 • Meditimi i ditës

13 janar 2019 – E diel, Pagëzimi i Zotit (festë), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Is 40,1-5.9-11; Ps 104,1b-4.24-25.27-30; Tit 2,11-14; 3,4-7 (ose: Is 42,1-4.6-7; Ps 29,1a.2.3ac-4.3b.9b-10; Vap 10,34-38); Lk 3,15-16.21-22)

 

Prania e Hyjit
Për të hyrë në praninë e dikujt nevojitet që me sinqeritet t`i afrohem i tillë siç jam.
Në këtë moment, Hyji është këtu dhe më pret.
Hyji më afrohet gjithmonë i pari, dëshiron të më njohë më shumë se miku im më i miri.
Ndalem një çast dhe e përshëndes Hyjin që më do.

 

Liria
Ky është momenti kur Shpirti Shenjtë, Një me Atin dhe Birin, vjen për të hedhur dritë në zemrat e besimtarëve.

Ndalu një moment, dhe bëhu i/e vetëdijshëm/e për Shpirtin e Shenjtë, të pranishëm këtu, që vjen për të dhënë jetë dhe dritë.

Mirëprite atë dritë në jetën tënde.

 

Ndërgjegjësimi
Në praninë e Zotit që më do

E vështroj gjithë atë çfarë më ka ndodhur ditën që kaloi,

prej këtij momenti në mënyrë retrospektive, hap për hap.

Ia kujtoj vetes atë që ka qenë e mirë dhe e bukur, dhe falënderoj për këtë.

I vërej edhe hijet, gabimet dhe pyet çfarë më flasin; lutem për shërim, guxim, falje.

 

Fjala

E lexoj, e dëgjoj tekstin e zgjedhur biblik fjalë për fjalë, mendim pas mendimi, siç e lexoj një letër nga një miku im i dashur. Lejoj që fjala e Zotit të gjejë jehonë brenda meje: vështroj, dëgjoj, besoj.


Lk 3,15-16.21-22

15 E pasi populli priste me shpresë dhe pasi të gjithë mendonin në zemrat e veta për Gjonin: a mos është pikërisht ky Mesia, 16 këndej Gjoni mori fjalën e u tha të gjithëve:

“Unë, vërtet, po ju pagëzoj me ujë, por po vjen një më i fortë se unë, të cilit unë nuk jam i denjë as t’ia zgjidh lidhëset e sandaleve të tij. Ai do t’ju pagëzojë me Shpirt Shenjt e me zjarr.

21 Kur u pagëzua mbarë populli, u pagëzua edhe Jezusi dhe, ndërsa po lutej, u hap qielli 22 dhe Shpirti Shenjt zbriti mbi të në trajtë trupore porsi pëllumb, e prej qiellit ushtoi zëri: “Ti je Biri im ‑ Djali i dishirit. Ty të përkrah plotësisht!”


Çfarë dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm nga Shkrimi i Shenjtë:

 

• Krishtlindja duket sikur ishte dje. Në fakt fundjavën e fundit festuam nëpër kisha ardhjen e tre dijetarëve për të vizituar Krishtin fëmijë. Sidoqoftë, ungjilli na nxit në paraqitjen e parë publike të Jezusit. Si ndihesh kur e fillon këtë lutje? I/e ngarkuar, duke u përpjekur të pushosh, për të filluar një vit të preokupuar? Apo mund të gjesh pak hapësirë ​​tani për të dëgjuar atë që Zoti ka për të të thënë?

  • “Ai do t’ju pagëzojë me Shpirt Shenjt dhe me zjarr”, thotë Gjon Pagëzuesi (Lk 3,16). Këto janë imazhe të fuqishme! Kur shikon prapa në jetën tënde, a ka raste kur mund ta dallosh një Zot të fuqishëm në veprim? Në veprim në veten tënde, ose në veprim te njerëz të tjerë?
  • Ndërsa e dëgjon përsëri fragmentin biblik, vendosu në vendin e një prej atyre që qëndrojnë në bregun e lumit, duke parë Gjonin se si e pagëzon Jezusin. Çfarë vë re kur e bën këtë?

 

Bashkëbisedimi
“Ti je Biri im ‑ Djali i dishirit. Ty të përkrah plotësisht!” 
Çka do të ndodhte sikur ta dëgjoje Zotin të thoshte këto fjalë për ty, birin apo bijën e tij të dashur? Bisedo një apo pak çast tani me Zotin i cili është i kënaqur me ty. Tregoji atë që ke parë dhe ndjerë këtu.

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. 
Pagëzimi yt, Jezus, na hap horizontin për një moment të fuqishëm fetar. Ti je i vetëdijshëm për identitetin tënd. Fuqia e Shpirtit të Shenjtë e ka vulosur jetën tënde. Gjoni është i vetëdijshëm për identitetin dhe vendin e vet në planin e Zotit. Ai është mjet që nga vetja i udhëzon njerëzit drejt teje, Jezus. Kush është Gjon Pagëzuesi që e formon jetën time? Zot, ma kujto që edhe unë e mbart vulën e miratimit tënd. Jam i/e shënjuar me Shpirtin tënd, jam i/e ftuar që të marrë pjesë në misionin tënd si biri yti dashur, si bija e jote e dashur. Ati ynë… Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »