Sa i kultivoj marrëdhëniet e drejta me krijimin?
16 janar 2019 – E mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Heb 2,14-18; Ps 104,1-4.6-9; Mk 1,29-39)
Prania e Hyjit
Bekoje, shpirti im, Zotin, që jetën ma dhuron – që më drejton në jetë.
Gjëja më e rëndësishme për mua që tani të bëj, ndërsa hyj në lutje, është që të lirohem një moment, t`i lëshoj shqetësimet e mia, brengat, frikën dhe ngurrimin tim, dhe t`i lejoj vetes të udhëhiqem nga Hyji duke besuar se Hyji, që më do, do të më çojë në jetë.
Liria
O Zot, Hyj, po të falënderoj për dhuratën e lirisë.
Më ndihmo që këtë dhuratë ta përdori në mënyrë të përgjegjshme. Jam i lirë të përzgjedh.
Më ndihmo që të përzgjedh që të ndjek ty,
që të jetoj një jetë të krishterë duke u kujdesur për të tjerët.
Më ndihmo që t`i kujtoj ata që janë të palumtur, të nëpërkëmbur;
ata në burg, ata që nuk janë të lirë ta shprehin publikisht fenë e tyre.
Më udhëheq që gjithmonë dhe në gjithçka ta kërkoj vullnetin tënd, në të gjitha sendet që ndodhin në jetën time.
Ndërgjegjësimi
Në praninë e Zotit që më do
E vështroj gjithë atë çfarë më ka ndodhur ditën që kaloi,
prej këtij momenti në mënyrë retrospektive.
Ia kujtoj vetes atë që ka qenë e mirë dhe e bukur, dhe falënderoj për këtë.
I vërej edhe hijet, gabimet dhe pyet çfarë më flasin; lutem për shërim, guxim, falje.
Fjala
Zoti na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje, dëgjoje tekstin e sotëm biblik
dhe lejoji vëmendjes sate të pushojë nëdisa pjesë të tij.
Ps 104,1-4.6-9
1 Bekoje, shpirti im, Zotin!
O Zot, Hyji im, sa i madh je!
I veshur me madhëri e me bukuri,
2 i mbështjellë me dritë porsi me petk!
E ngreh qiellin porsi tendë,
3 mbi ujëra ndërton banesat e tua.
Retë i bëre karrocë për vete,
ecën mbi krahët e erës!
4 Erërat i bën lajmëtarë të tu,
zjarrin zharitës shërbëtorë të tu.
5 Tokën e vendose mbi qëndrueshmërinë e saj,
nuk do të lëkundet në shekuj të shekujve.
6 E mbulove si me petk me ujërat e humnerave,
majat e maleve i mbulonin ujërat:
7 Ti u kërcënohesh e ato tërhiqen,
dridhen nga zëri i bubullimës sate:
8 ngjiten në male, zbresin në lugina
drejt vendit që ti u cakton:
9 u ke vënë cakun që s’guxojnë ta kalojnë,
që përsëri të mos e mbulojnë tokën.
Çfarë dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi fragmentin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:
- Kjo këngë e krijimit është një mundësi e mrekullueshme për të reflektuar mbi thirrjen tonë për të jetuar në mënyrë të qëndrueshme. Ne e përjetojmë lavdinë e Hyjit nëpërmjet krijimit dhe i japim lavdi Hyjit duke punuar me krijimin dhe duke e respektuar atë. E pra, sa abuzohet dhe hidhet poshtë në botën tonë sot lavdia e Hyjit?
- Hyji është burimi i gjithë jetës dhe marrëdhënia midis njerëzimit, Hyjit dhe krijimit është e rëndësishme në shkrimet e shenjta, siç duhet të jetë në jetën tonë të përditshme. Marrëdhëniet e drejta me Hyjin, me njëri-tjetrin dhe me krijimin, kultivohen dhe ushqehen në një jetë shpirtërore të plotë dhe të tërësishme. Cilat janë mënyrat me të cilat je përpjekur të jetosh, që edhe brezat e ardhshëm të mund ta çmojnë tokën?
- Ndërsa e dëgjon përsëri fragmentin biblik, imagjinoje veten të zhytur në këngë, në historinë e krijimit.
Bashkëbisedimi
Edhe pse në botën tonë ka plot tension, një ritëm të përshpejtuar, merr pak çaste për t`u vetëdijesuar, për ta dalluar, njohur dhe për ta çmuar krijimin e Hyjit. Shihe bukurinë e tokës rreth teje. Zgjoje në vetvete respektin e madh dhe çudinë, mahnitjen. Ofroja të gjitha mendimet dhe lutjet e tua Hyjit duke e falënderuar. Ndoshta dëshiron të kërkosh falje për mënyrat me të cilat të gjithë ne marrim pjesë në shkatërrimin e kësaj krijese të shenjtë. Bisedo me Hyjin për të gjitha ato që sheh dhe për ndjenjat që dalin nga kjo.
Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Jezus dëshiroj të bëj atë që ke bërë ti: të gjej kohë për të qenë me Zotin – për ta parë dhe për të falënderuar për të mirat që na jep. Ti s`e ke kaluar kohën në lutje me gjithë angazhimin me punë, por pikërisht për shkak të këtij angazhimi. Sa më shumë njerëzit kërkonin prej teje aq më shumë ti e kërkoje atë që Ati dëshironte prej teje.
Jezus, ti nuk ke qëndruar atje ku ishe i njohur por atje ku duhej të veproje. Shikimi i yt ishte shumë më i gjerë sesa ai i nxënësve të tu. Më ndihmo, o Zot që ta gjej dhe zbatoj misionin tim në jetë. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
« Madhështia e Zotit nëpërmjet shërbimit të përvuajtur Të jesh solidar pavarësisht dhimbjeve »