Dioqeza Prizren-Prishtinë prezantoi Mesazhin e Papes 2019 të Papa Françeskut

Jan 17 • Kisha në Kosovë

“Politika e mirë është në shërbim të paqes”, ishte tema e sivjetme e Mesazhit të Papës të Françesku për Ditën Botërore të Paqes 2019, e cila u prezantua më 15 janar në Qendrën “Bogdanipolis” në ambientet e Katedrales Shën Nënë Tereza në Prishtinë.

 

Paqja me këtë shtëpi”, paqja është e mundshme, paqja është e domosdoshme, paqja është shpresë… mirë se erdhët në Qytetin e Bogdanit, ishin fjalët më të përmendura që shënuan mbrëmjen e të martës së kaluar në Qendrën e re “Bogdanipolis”, në ambientet e Katedrales Shën Nënë Tereza, më 15 janar, ku u bë prezantimi i Mesazhit të Paqes i Atit të Shenjtë Papa Françeskut për vitin 2019, në prani të shumë qytetarëve të Kosovës, personaliteteve publike nga politika e kultura, profesorë e studentë, meshtarë, murgesha, argjipeshkvit i Tivarit, Imzot Rrok Gjonlleshaj.

 

Tema e sivjetme e Atit të Shenjtë Papa Françeskut për të kremtuar ditën e 52-të botërore të paqes (1 janar 2019),  mban titullin: “Politika e mirë është ne shërbim të paqes”. Një thirrje e fuqishme e botës së politikës për të shërbyer kauzës së paqes në gjithë botën.

Tradita e Kishës në Kosovë është që çdo vit të bëhet zëri i Atit të Shenjtë në vendin tonë, duke e prezantuar mesazhin e tij të paqes e të shpresës, me qëllim që të shndërrohemi në kasnec të paqes në një botë të brishtë, ku paqja është jo e plotë dhe e rrezikuar.

Ligjëruesi i ftuar nga Gjermania, historiani dhe aktivisti i palodhur, ish drejtori i “Renovabis” Gjermani, dr. Gerhard Albert, në ligjëratën e tij (lexo të plotë: http://www.drita.info/2019/01/17/politika-e-ka-mandatin-per-te-punuar-per-te-miren-e-qytetit-kombit-dhe-njerezimit/) të thukët preku konceptet themelore mbi të cilat është shkruar mesazhi i paqes për sivjet nga Ati i Shenjtë: përgjegjësia, liria, personi, drejtësia, virtytet shoqërore. Nga këto e tjera të ngjashme, politika arrin të bëhet një mjet i fuqishëm i paqes në botën e sotme të brishtë. Ai përmendi edhe shekullin e kaluar, kur në Europë u bënë luftëra të tmerrshme, si një ku paqja ishte e thyer, e përdhunuar nga veset e politikës.

Ligjëruesi i dytë i kësaj ngjarje të përvjetshme kulturore dhe formuese, Don Lush Gjergji, vikar i përgjithshëm i Dioqezës Prizren-Prishtinl, tha se vetë titulli i porosisë “politika e mirë në shërbim të paqes” dëshmon tri gjëra, paqja eshët e mundshme, paqja është e nevojshme dhe paqja është e domosdoshme. (lexo ligjëratën e plotë: http://www.drita.info/2019/01/17/paqja-nuk-mund-te-arrihet-vetem-me-ekuilibrin-e-forcave-dhe-te-frikes/). Mirëpo, menjëherë shtrohet pyetja jetësore, si të arrihet, zhvillohet, thellohet, përkrahet dhe zbatohet paqja në një botë plot me turbullime, batica e zbatica, sfida dhe rreziqe të ndryshme. Papa Françesku, tha ligjëruesi, e ka pikënisjen burimore ungjillore, porosinë e Jezusit dhënë Apostujve, e përmes tyre kishës, pra neve, ku thotë, në cilëndo shtëpi hyni më parë thoni “Paqja në këtë shtëpi”. Prandaj, bartja, dhurimi i paqes është mision dhe detyrë parësore e Kishës Katolike, sepse “shtëpia” e ka kuptimin figurativ, siç shkruan Papa, në çdo familje, çdo bashkësi, çdo vend dhe në çdo kontinent.

Kur jemi te paqja, tha me tej Don Lush Gjergji,  duhet përmend dy figurat e kombit tonë: Nënë Terezën, shembullin e saj te përkushtimit ndaj Krishtit dhe paqes njerëzore në botë, dhe çmimit Nobel pçr Paqe, kur ajo dha mesazhin më të bukur të këtij Nobeli: “Veprat e dashurisë janë vepra te paqes”. Ndërsa presidenti historik dr. Rugova, me strategjinë paqësore dhe jodhunore e afroj, e bashkoj popullin tonë me botën demokratike, e atë me ne. “Me këtë parim tashmë të njohur mund të themi se politika nuk është matematike, e njeriu nuk është kurrë vetëm numër, por person njerëzor. Papa Francesku i kundërvihet gjendjes se luftës dhe frikës duke theksuar se paqja nuk mund te arrihet vetëm me ekuilibrin e forcave dhe te frikës”, tha mes tjerash Don Lush Gjergji.

Ndërkaq, ligjëruesi i tretë, dr. Enver Hoxhaj, profesor universitar dhe politikan, gjeti te mesazhi i Atit të Shenjtë porosi për Kosovën, gjendjen e tanishme, për të cilën duhet të reflektohet. Sipas z. Hoxhaj, Papa na mëson se politika duhet të përdorë dialogun si rrugë për të arrit paqen e vërtetë. Dialogun e drejtë, thotë mesazhi, të cilin ne duhet ta përdorim si Kosovë për arritjen e paqes definitive me Serbinë, fqinjin tonë. Viti 2019 do të jetë për Kosovën vit i dialogut e të shresojmë edhe viti i paqes së vërtetë në Rajon, tha mes tjerash Hoxhaj.

Në fjalën e tij të rastit Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i Dioqezës Prizren-Prishtinë, tha se populli ynë është ndër të rrallët që më së paku ka pasur paqe, por nuk mund t’ia gjesh një të ngjashëm që aq shumë e ka dëshiruar paqen. Sot e gëzojmë një paqe të brishtë, të imponuar, sepse atë e kemi pasi nuk kihet guximi për të luftuar, është një paqe e siguruar nga miqtë tanë. Ne duhet ta krijojmë paqen e vërtetë që vjen nga zemra, paqen e brendshme. Gjatë këtyre 20 vjetëve ne vendin tonë nuk kemi ndërtuar paqen, por jemi ngatërruar mes vete. Siç thotë Papa Françesku, të veprojmë të gjithë që paqja të lulëzojë ndër shëmbijë të dhunës, sepse vetëm ashtu arrijmë ta duam paqen e të bëhemi shpallës e promovues të paqes mes nesh – ishin ndër të tjera fjalët e Ipeshkvit tonë, i cili me fjalë shumë të përzemërta falënderoj ligjëruesit, stafin që ka përgatitur këtë mbrëmje kulturore dhe shpirtërore, pastoralin studentor të ipeshkvisë në Prishtinës dhe gjithë të pranishmit, që ishin të shumtë, për përkrahjen.

Gjithë kjo ngjarje kulturore ishte e animuar dhe e gërshetuar bukur me këngë e recitime për paqen; me aktorë nga Shqipëria, korin e studentëve që kënduan këngë për paqen, dhe lexuan fragmente të shkëputura nga mesazhi Paqen për vitin 2019, të përzgjedhura enkas për këtë paraqitje.

Pas një orë e tridhjetë minuta, sa zgjati prezantimi, të pranishmit vazhduan me një koktej rasti në pjesën Agorá të qendrës të animuar me muzikë qytetare./drita.info 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »