Politika e ka mandatin për të punuar për të mirën e qytetit, kombit dhe njerëzimit

Jan 17 • Kisha në Kosovë, Opinion

Nga Dr. Gerhard Albert, Freising (Gjermani)

 

“Në cilëndo shtëpi të hyni, më parë thoni: ‘Paqja me këtë shtëpi!’” (Lk 10, 5-6)

Me këtë fjalë të Jezu Krishtit drejtuar dishepujve të vet, Ati i Shenjtë Papa Françesku e fillon mesazhin e tij për Ditën Botërore të Paqes 2019. Unë do ta marr këtë fjalë dhe do t’ju përshëndes të gjithëve: Paqja me këtë shtëpi! Paqe për të gjithë të mbledhurit sot: për ju, më të nderuarit, i dashur ipeshkëv Dodë, paqe gjithë dioqezës Prizren-Prishtinë, qytetit të Prishtinës dhe gjithë Republikës së Kosovës.

Faleminderit i dashur Imzot, që më keni bërë nder duke më ftuar për të folur këtu sot. Unë ju përgëzoj ju dhe të gjithë ata që janë përgjegjës për përfundimin e qendrës së re “Bogdanipolis”. Është një vend i denjë për t’u kujtuar biri i madh i Kishës dhe i popullit shqiptar, ipeshkvi Pjetër Bogdani, i cili punoi shumë për të mirën e përbashkët të njerëzve që i ishin besuar atij. Pjesa e dytë e emrit “Polis” – qyteti, shteti – tregon përgjegjësinë që e kanë të krishterët dhe të gjithë njerëzit vullnetmirë, për punët e komunitetit/shoqërisë dhe në të vërtetë për “politikën”.

Dhe me këtë tashmë jemi te tema jonë. Titulli i mesazhit për Papa Françeskun është “Politika e mirë është në shërbim të paqes”. Ky mesazh është një thirrje për inkurajim për secilin individ dhe për shoqërinë që t’i bëjë këto përpjekje në shërbim të së mirës së lartë që është paqja.

Teksti është i ndarë në shtatë kapituj. Në kapitullin e parë, Papa i drejtohet me përshëndetjen e paqes së Jezu Krishtit të gjithë banorët e “shtëpisë” sonë “të përbashkët”. Kapitulli i dytë thekson detyrimin e gjithë politikës për të mirën e përbashkët. Në kapitullin tjetër, duke ndjekur një mendim të Papës Benedikti XVI, paraqitet dashuria ndaj të afërmit si përmirësim/rritje e këtij shërbimi dhe citohen “Lumnitë e politikanit” që janë shumë prekëse, që ndërlidhen me kardinalin vietnamez Nguyen Van Thuan. Si kontrast, kapitulli i katërt përmban një listë të veseve të politikës. Kapitulli i pestë tërheq harkun përtej ditës drejt së ardhmes, duke e trajtuar angazhimin e politikës për të përfshirë brezin e ri dhe për të ndërtuar të ardhmen në besimin e ndërsjellë. Temat qendrore të doktrinës së fundit të Kishës për paqen i trajton kapitulli i gjashtë, që është titulluar “Jo luftës dhe strategjisë së frikës”; përmban një apel të veçantë në dobi të Fëmijëve të Botës, prej të cilëve çdo i gjashti është i goditur nga dhuna e luftës dhe pasojat e saj. Kapitulli i shtatë dhe i fundit kujton Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut të shpallur shtatëdhjetë vjet më parë si “një projekt i madh i paqes”. Pastaj iu kthehet sërish politikanëve veç e veç, individëve që iu duhet të përballen çdo ditë me sfidën e paqes si “konvertim mendjeje dhe zemre.” Mesazhi përfundon me falënderim nga goja e Virgjërës Mari, Nënës së Shëlbuesit, Mbretëreshës së Paqes, me Magnificat (Shpirti im e madhëron Zotin), e cila ofron frymëzim nga më të thellët për një politikë të vërtetë paqeje.

Përmbledhja tregon se ky tekst jo shumë i gjatë trajton një numër të madh çështjesh të rëndësishme që nuk mund të ndiqen në këtë pikë të gjitha. Në vazhdim do të doja t`i veçoja vetëm tre prej tyre.

 

Përgjegjësia e individit për politikën

Për një numër të madh njerëzish, politika është një ngjarje abstrakte dhe jopersonale (e papërcaktuar) që ndodh mbi kokat e tyre dhe në të cilën ata nuk kanë pjesë. Pra, ata nuk mund ta dallojnë se ajo vjen nga vendime dhe aktivitete konkrete njerëzore. Ekziston gjithashtu dyshim i përhapur se ky është një “biznes i pistë”, në të cilin anëtarët e një klase politike të korruptuar ndjekin interesat e tyre dhe në të cilat ndërvarësitë nuk lejojnë më njëri të veprojë me përgjegjësi – një dyshim që duket se shumë shpesh rishtas po rivërtetohet.

Në të kundërt, mesazhi i paqes së Papës kujton në mënyrë të qartë faktin se liria e personit njerëzor është burimi i veprimit, duke përfshirë edhe veprimin politik. Por kjo përgjegjësi për këtë veprim është edhe individuale sado komplekse mund të paraqiten proceset politike, dhe në të gjitha nivelet. Kjo theksohet me një fjalë të Papa Palit VI: “… njeriu [duhet] ta pranojë se çdo njeri e ka për detyrë ta njohë realitetin konkret dhe rëndësinë e lirisë së zgjedhjes/vendimit që i është dhënë dhe të përpiqet në mënyrë të njëjtë për të arritur të mirën e qytetit, kombit dhe njerëzimit.”[1]

Pavarësisht përkatësisë së tyre kulturore dhe fetare, kështu vazhdon Papa Françesku, të gjithë politikanët mund ta ri-gjejnë veten e tyre duke praktikuar virtytet njerëzore të cilat janë bazë e një veprimi të mirë politik: drejtësinë, barazinë, respektimin e ndërsjellë, sinqeritetin, ndershmërinë dhe besnikërinë. Kësaj qasje, mundësuar nëpërmjet moralit natyror, të krishterit, në shërbim të së mirës së përbashkët, i shtohet dashuria ndaj të afërmit si motivimi më i lartë; këtu citohet Papa Benedikti XVI, i cili thotë: “Nëse angazhimi për të mirën e përbashkët është i frymëzuar nga dashuria, ka një vlerë më të lartë sesa ai thjesht laik dhe politik.”[2]

Një vend qendror në Mesazh zënë “Lumnitë e politikanit”, që vijnë nga kardinali François-Xavier Nguyen Van Thuan.[3] Ato e lidhin gjuhën e ungjillit me përmbajtjet e etikës personale të njeriut dhe tashmë janë cituar në fillim. Edhe atje zë një vend qendror raporti me të mirën e përbashkët: “Lum politikani që punon për të mirën e përbashkët dhe jo për interesat e veta.” Realizimi i së mirës së përbashkët është norma më e rëndësishme me të cilën janë të lidhura veprimet e politikanëve. Duke theksuar të mirën e përbashkët, mesazhi i Papës qëndron në traditën koherente të filozofisë politike greke, nëpër teologjinë e krishterë deri te teoritë moderne të demokracisë.

 

Ndërlidhja midis drejtësisë dhe paqes

Opus iustitiae pax – paqja është vepër e drejtësisë – drejtësia krijon paqe, kështu thuhet te profeti Isaia.[4] Profeti kujton se siguria dhe paqja nuk vijnë nga egoizmi i njerëzve, por nga ndjekja e drejtësisë që vjen nga vetë Hyji.

Këtu bazohet dallimi në mes të shërbimit për paqen dhe pacifizmit të kulluar. Papa Pali VI në vitin 1968 themeloi Ditën Botërore të Paqes dhe këtë e bëri të qartë në mesazhin e tij të parë: “Paqe s`do të thotë pacifizëm, pas saj nuk fshihet një konceptim frikacak dhe dembel jete, por ajo shpall vlerat më të larta dhe më universale të jetës, të vërtetën, drejtësinë, lirinë, dashurinë.”[5] Ishte ky konfuzioni i shërbimit ndaj paqes dhe pacifizmit absolut, i cili në momente kritike të historisë së kohëve të fundit nuk e pengonte luftën dhe tiraninë, por hapi rrugën për to. Paqja e vërtetë gjithmonë i përkushtohet respektimit të ligjit dhe të drejtësisë.

Këtë qartë e kujton edhe mesazhi i këtij viti. Ai e akuzon “terrorin ndaj më të dobëtëve” që bën që grupe të tëra popullatash të nisen për ekzil (mërgim) në kërkim të paqes (kap. 6). Qartë vihet në dukje se “paqja bazohet në respektimin e çdo qenieje njerëzore, pavarësisht historisë së saj, në respektimin e ligjit dhe të mirës së përbashkët, si dhe krijimit që na është besuar dhe trashëgimisë së pasur morale të brezave të mëparshme” (ibid.). Kështu armiqtë e paqes së jashtme janë veset e politikës që kërcënojnë të mirën e përbashkët edhe përbrenda: “korrupsioni, mohimi i së drejtës, mosrespektimi i rregullave të përbashkëta, pasurimi i paligjshëm, prirja për të ruajtur pushtetin, ksenofobia dhe racizmi” dhe shumë të tjera (kap. 4). Në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur reciprokisht, nga kjo pikëpamje nuk ka pengesë ndërmjet “brenda” dhe “jashtë”. Padrejtësia me politikë të keqe, të padrejtë, rrezikon paqen sociale në popullin e vet, në epokën e globalizimit në mënyra të shumëllojshme del jashtë dhe rrezikon paqen mes popujve.

 

Drejtësia midis gjeneratave si një promovim i paqes

Sigurisht i frymëzuar nga sinodi i fundit i Ipeshkvijve për të rinjtë, mesazhi i paqes gjithashtu i drejtohet përgjegjësisë së politikës për gjeneratën e ardhshme. Këto pjesë në Kapitullin 5 janë padyshim më të freskëtat dhe më origjinalet e tërë tekstit. Politika egoiste, e cila mbron privilegjet e individëve, vë në rrezik besimin e të rinjve, të cilët nuk kanë mundësi të formojnë të ardhmen – domethënë jetën para tyre që iu takon atyre. “Nga ana tjetër, nëse politika në promovimin e talenteve dhe profesioneve të reja … bëhet konkrete, paqja do të rritet në zemra dhe do të jetë e dukshme edhe në fytyra”. Nëse politika sillet në këtë mënyrë, ajo i shërben paqes sepse krijon besim. Këtu edhe një herë citohet Papa Benedikti XVI, i cili pat thënë përpara politikanëve afrikanë: “Çka ka më bukur se një dorë e zgjatur? Atë na ka dhënë Zoti për të dhënë dhe për të marrë. Zoti nuk donte që ajo të vriste … ose të linte vuajtjen, por të kujdeset dhe ta ndihmonte për të jetuar. Përveç zemrës dhe mendjes, dora mund të bëhet një mjet dialogu.”[6] Pra, politika e mirë duhet të guxojë të besojë dhe të lejojë të zhvillohen shumëllojshmëri talentesh njerëzore, sidomos të të rinjve – “… nisur nga bindja se çdo person dhe çdo brez mbart në vetvete premtimin për të liruar energji të reja lidhore, intelektuale, kulturore dhe shpirtërore.“ Dhe anasjelltas, kjo do të thotë një humbje fajtore e potencialeve njerëzore, të cilat tek e fundit rrjedhin nga plotësia e pafundme e vetë Zotit, nëse gjeneratat e ardhshme të shtyrë nga mosbesimi i mohojnë mundësitë për zhvillim.

Të gjithë ju do ta kuptoni më mirë se unë, ç`do të thonë këto mendime për një vend si Kosova me të rinjtë e saj që duan të zhvillojnë mundësitë e tyre.

 

Mendimet përmbyllëse

Të gjithë ju që jetoni në këtë vend, shumë më drejtpërdrejtë dhe më konkretisht do ta merrni një mesazh për shërbimin ndaj paqes sesa njerëzit në vende të tjera në Europë. Kaluan pikërisht njëzet vjet që populli i Kosovës e pat përjetuar në lëkurën e vet dhunën, terrorin dhe luftën ku shumë ishin të detyruar të ikin nga shtëpitë e tyre. Unë vetë e mbaj mend edhe takimin me refugjatët në Gjermani dhe nga një udhëtim të zgjatur në gjithë vendin menjëherë pas ngjarjeve të luftës, kur shumë vende, por edhe më shumë njerëz ishin fizikisht dhe emocionalisht të prekur nga tmerret e luftës. Renovabis së bashku me shumë të tjerë në atë kohën u përpoq për të siguruar ndihmë për rindërtimin dhe për të mundësuar ura mirëkuptimi midis armiqve. Në vitet në vijim deri më sot, në të cilat Republika e re e Kosovës është forcuar, ishim të lidhur me ju, me shpresë se “politika e mirë” edhe nga brenda edhe nga jashtë të mund të promovojë paqen në shoqëri dhe me fqinjët. Edhe këtu, ju e dini më mirë se unë nga përvoja juaj personale se sa i kërcënuar është një proces i tillë nga pengesat dhe që vazhdon të zgjatë sot e kësaj dite. Por njerëzit në vendin tuaj mund të jenë krenarë për gjithë progresin që është bërë në këtë rrugë. I uroj Kishës në Kosovë që ajo të mbetet një shoqëruese besnike për bashkatdhetarët e saj dhe, në kohën e duhur, të tregojë rrugën drejt drejtësisë dhe pajtimit.

Në fund, më lejoni një koment personal nga pikëpamja e brezit tim dhe vendit tim. Pavarësisht nga borxhi i madh që Gjermania e kishte ngarkuar në shekullin e 20-të nga shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore, populli në vendin tonë tani për më shumë se 70 vjet e gëzon hirin (privilegjin) për t`u kursyer nga tmerret e luftës. Vitin e kaluar e kemi kujtuar edhe Luftën e Parë Botërore që përfundoi njëqind vjet më parë, e cila në atë kohë shfarosi lulen e rinisë së Evropës. I kujtuam edhe përvjetorët e një tragjedie të mëparshëm të Europës,[7] Luftën Tridhjetëvjeçare, e cila midis 1618 dhe 1648 shkatërroi Gjermaninë me themel dhe është ankoruar ende thellë në kujtesën historike pas një kohe kaq të gjatë. E gjithë kjo na kujton se paqja ka nevojë për angazhimin më të madh të njerëzve, pikërisht për “politikën e mirë”, por në fund të fundit ajo është gjithmonë një dhuratë e Zotit. Në mes të tmerreve të Luftës së Parë Botërore, Papa Benedikti XV në litanitë lauretane e shtoi edhe klithjen drejtuar Marisë, Nënës së Shëlbuesit, “Regina Pacis” – “Mbretëresha e Paqes”. Ajo na ka lindur Atë që është “paqja jonë”[8] dhe i ka udhëzuar dishepujt e tij që ta sjellin këtë paqe te njerëzit. Kështu që unë ju përshëndes përsëri në fund me përshëndetjen e Jezu Krishtit: ‘Paqja me këtë shtëpi!’/drita.info

Përktheu nga gjermanishtja: Don Shtjefën Dodes

(Ligjëratë me rastin e prezantimit të Mesazhit të Papa Françeskut për Ditën Botërore të Paqes 2019. Qendra “Bogdanipolis” Prishtina, 15 janar 2019.)

 

——-

[1] Letra Apostolike Octogesima adveniens (14 maj 1971), 46 (cit. në kap. 2).

[2] Enciklika Caritas in veritate (29 qershor 2009), 7 (cit. në kap. 3).

[3] Khs. Fjala me rastin e konferencës dhe ekspozitës “Civitas“ në Padovë:  “30giorni“ , Nr. 5/2002, këtu cit. në kap. 3.

[4] Is 32, 17.

[5] Messaggio del Santo Padre Paolo VI per la celebrazione della I giornata della pace, 1 gennaio 1968.

[6] Benedikti XVI, Fjalimi në takimin me anëtarët e qeverisë, përfaqësuesit e institucioneve shtetërore, me trupën diplomatike dhe me përfaqësuesit e feve më të rëndësishme në Benin, Cotonou, 19 nëntor 2011.

[7] Khs. Peter H. Wilson, The Thirty Years’ War: Europe’s Tragedy, London 2009; gjermanisht: Der Dreißigjährige Krieg. Eine europäische Tragödie, Darmstadt 2017.

[8] Ef 2, 14.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »