100-vjetori i themelimit të Eparkisë – Ipeshkvisë arbëreshe në Ungri (Lungro) të Kalabrisë

Jan 18 • Kisha ndër Shqiptarë

Më 13 shkurt 1919 Papa Benedikti XV me bullën e veçantë “Catholici fideles” ka themeluar eparkinë – ipeshkvinë lindore të ritit grek, duke e ndarë nga ipeshkvijtë perëndimorë italianë. Arsyeja e këtij vendimi dhe themelimi përshkruhet në bullë: “Besimtarët katolikë të ritit grek, banorë të Epirit dhe të Shqipërisë, duke u larguar në një numër të madh nga sundimi turk, kanë emigruar në Italinë e afërt, ku janë pranuar me dashuri dhe janë vendosur në krahinën e Kalabrisë dhe të Sicilisë, duke ruajtur, siç është e drejtë, traditat dhe institucionet, ritin e Kishës së tyre, si dhe të gjitha ligjet tjera zakonore që i kanë pranuar nga paraardhësit e tyre, dhe që gjatë shumë shekujve i kanë ruajtur me kujdes dhe dashuri…”

Bulla vazhdon kështu: “Shi për këtë Ne, me fuqi të plotë apostolike, vendosim që menjëherë të themelohet kanonikisht një ipeshkvi e ritit grek në Kalabri, me emërtim e selisë në Ungri – Lungro, me katedralen e Shën Kollit nga Mira, ipeshkvin ordinar…”.

 

Eparkia apo Ipeshkvia e Lungrit ka sot:

3.800 besimtarë – katolikë

29 famulli

44 meshtarë

32 murgesha

 

Ipeshkvijtë arbëreshë:

Imzot Giovanni MELE (1919 – 1979)

Imzot Giovanni STAMATI (1979 – 1987)

Imzot Ercole LUPINACCI (1987 – 2010)

Imzot Donato OLIVERIO (2012 – )

Gati të gjitha përkthimet liturgjike, biblike, katekistike dhe pastorale i ka bërë atë Emanuele Giordano (1920 – 2015).

Nga kjo Kishë ishte edhe Imzot Eleuterio Fortino (1938 – 2010), teolog, ekumenist, veprimtar arbëresh shumë i shquar dhe tejet i dalluar, njeri dhe meshtar që ka lënë gjurma të pashlyeshme jo vetëm në Kishën arbëreshe, por edhe më gjerë, në mbarë popullin tonë shqiptar.

 

Nga Qarkorja e Eparkisë së Ungrit (Lungro) me rastin e kremtimit të 100-vjetorit të themelimit të Eparkisë së Ungrit, 13 shkurt 2019

Më 13 shkurt 2019, në ora 16:30 do të fillojë kremtimi i 100-vjetorit të Eparkisë sonë. Do të mblidhemi si Kisha e Eparkisë në Katedralen tonë, për t’u lutur dhe falënderuar Zotin, Atin, Birin dhe Shpirtin Shenjt për dhuratën bujare që ka dashur të na bëjë nëpërmjet Papës Benediktit XV, i cili më 13 shkurt 1019, kishte themeluar Eparkinë e Ungrit të Arbëreshëve të Italisë kontinentale.

Dëshiroj që mos të mungojë asnjë meshtar, diakon, murgeshë, që së bashku me fëmijë, rini, të pjekur dhe të moshuar të bashkësive tona. Kush e do Kishën, duhet ta kuptojë rëndësinë e këtij përvjetori, që nuk domethënë shkuarje në Kishë, por duhet të kuptohet rëndësia e kësaj ngjarjeje të veçantë, që do të jetë para së gjithash një ftesë për t’u thelluar në motivet dhe frymëzimin e këtij themelimi. Ngjarje kjo historike me domethënie të madhe për Shqiptarët e Kalabrisë, me kuptim antropologjik dhe shoqëror, dhe natyrisht, fetar.

Imzot Donato OLIVERIO, ipeshkëv

 

Përgatiti: Don Lush Gjergji

Fotografia në ballinë: Katedralja e Eparkisë së Ungrit, kushtuar Shën Kollit

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »