Fillesa gjurmimesh mbi tekstet e vjetra shqipe (kontribute dhe personalitete)

Jan 18 • Kulturë, Letërsi

Nga Evalda PACI, Tiranë

 

Gjurmimet mbi tekste e vjetra shqipe kanë qenë përherë objekt vëmendjeje nga ana e studiuesve të historisë së gjuhës e të letërsisë së shkruar shqipe, gjithashtu dhe të një periudhe të veçantë të historisë së kombit shqiptar që presupozonte pa dyshim dhe njohjen sa më të mirë të një arsenali të posaçëm dokumentar që lidhet me të tilla zhvillime historike. Për arsye të kuptueshme veprat e letërsisë së vjetër shqipe, rrethanat e realizimit të secilës, dokumentacioni përkatës në të cilat shfaqet emri i autorëve të tyre e që njëkohësisht ishin prelatë të një hierarkie të caktuar për kohën, elemente biografike të secilit prej tyre janë bërë objekt trajtesash dhe nga historianë e studiues arkivash, ndërkohë që pikërisht periudha e përcaktuar kohore për të cilën do të bëjmë fjalë dhe në këtë trajtesë është një dëshmi me rëndësi për përvijimin e nismave të tilla studimore. Dekadat e para të shekullit të kaluar janë të shënuara dhe nga një interes i dukshëm në lidhje me dokumente e dëshmi shkrimore që lidhen drejtpërdrejt me historinë e vendit tonë, me historinë e librit, me historinë e shkrimit dhe të letërsisë së shkruar, një periudhë mjaft me rëndësi e që trajtohet po në pikëpamje të kësaj rëndësie në manuale dhe punime studimore mbi historinë e gjurmimeve albanologjike. Në këto dekada është përvijuar një interesim dhe kureshtje shkencore në rritje në lidhje me letërkëmbime që bënë të mundur të dihet më konkretisht mbi ekzemplarë të rrallë librorë të shkruar e përpiluar në gjuhën shqipe në kohë më të hershme, është tërhequr vëmendja në revista të kohës  dhe mbi rëndësinë që paraqiste rigjetja, disponimi i tyre dhe përafrimi i tyre me anë formatesh a botimesh të plota që do të bënin të mundur të njiheshin më nga afër monumentet shkrimore të gjuhës sonë amtare.

Shkrimet e një natyre specifike që kanë të bëjnë me praktikën fetare dhe atë liturgjike duket se kanë një traditë të hershme në arealet arbëreshe, fakt që pasqyrohet në një sërë burimesh bibliografike që datojnë dhe dy shekuj më parë e që mund të gjurmohen në arkiva të veçantë, në një dokumentacion të posaçëm në të cilin mund të evidentojmë jo pak botime apo të dhëna mbi dorëshkrime që lidhen pikërisht me një tematikë të tillë. Kësisoj, mund të reflektohet mirëfilli që botime më sintetizuese e që u kanë shërbyer më së miri studimeve që kanë të bëjnë me historinë e shkrimit shqip si në viset tona, si tej Adriatikut, janë parapërgatitur dhe mbështetur nga një tërësi e tillë sprovash dhe punimesh që dhe pse të natyrave të ndryshme përbëjnë një pasuri të pamatë për disa drejtime studimore, përfshirë gjurmimet arkivore, por dhe ato më specifike që lidhen me traditën e shkrimit të shenjtë në viset arbëreshe, një traditë që karakterizohet nga veçantia e riteve dhe nga origjinaliteti i tyre. E gjejmë të natyrshme ta lidhim një fakt të tillë me zhvillimet që evidentohen përmes botimeve më modeste në pikëpamje vëllimi e që kanë të bëjnë me letërsinë e vjetër shqipe, sinjalizimet mbi të cilën vijnë gjithashtu nga autoritete të botës arbëreshe, kontributi i të cilëve lidhet pazgjidhshëm dhe me çështje të rikthimit të vëmendjes ndaj dokumenteve më të hershme shkrimore të shqipes e njëkohësisht dhe të rigjetjes së tyre në biblioteka dhe arkiva specifike të botës romane dhe asaj evropiane. Në të përkohshme në zë të kohës flitet për autorët më të hershëm të letërsisë së shkruar shqipe, madje në lidhje me to në një këndvështrim më të vonë mund të shihet se jo menjëherë ka qenë vetëdija mbi rendin përkatës që karakterizonte realizimin e veprave të secilit, ndërkohë që në shkrime që pasojnë njëri-tjetrin do të ndërmenden me radhë vepra të rëndësishme për historinë e shkrimit shqip, por dhe variante të tyre, siç është rasti i botimit të katekizmës së Ledesmas nga Marco La Piana në vitin 1912, një botim që sjell të reja të rëndësishme në lidhje me panoramën që njihej deri atëherë dhe që shërben për të vënë në vend të dhënat që disponoheshin aso kohe pikërisht në vendin tonë në lidhje me letërsinë e vjetër shqipe dhe veprat që e përfaqësojnë atë. Në parim mund të bëhet fjalë për një periudhë të ngushtë kohore, por pikërisht në vitet e para të fillimshekullit të kaluar konkretizohet një interes i gjallë për të ditur më shumë dhe më qartë mbi fillesat e shkrimit shqip, si dhe në lidhje me personalitete që duke qenë destinuar nga historia të ishin autorë, përpilues, shqipërues dhe përshtatës, mbetën përherë të konsideruar si prelatë të letrave shqipe dhe personalitete që shënuan me kontributet dhe sprovat e tyre një periudhë mjaft të rëndësishme për shkrimin shqip dhe letërsinë shqipe.

Pavarësisht saktësisë shkencore dhe këndvështrimit me të cilin të tilla shkrime mund të shihen në ditët e sotme, dalja në dritë të shtypit e tyre përbën një dëshmi të vyer në lidhje me inicimet e shkrimit shqip dhe dokumentimit të mëtejmë të tij në studime të mirëfillta shkencore.  Mund të gjurmohen dhe shkrime në të cilat shprehet dhe vetëdija që të dhënat mbi variante apo kësomblla më të hershme nuk vijnë përherë në momentin e duhur, por sidoqoftë, duhet nënvizuar dhe në këtë rasë që shtysa të konsiderueshme vijnë pikërisht nga viset përtej Adriatikut, ndërkohë që dhe si vijim i gjurmimit të letërkëmbimeve më të hershme në kohë, rikthehet vëmendja dhe ndaj gjetjes dhe evidentimit të ekzemplarëve konkretë, siç ishte dhe rasti i Mesharit të Gjon Buzukut, i ndërmendur që në krye të herës në proces të shkëmbimeve mes prelatëve të kishës së Romës dhe atyre të Seminarit Arbëresh të Palermos. Siç dhe e dimë prej kohësh, shfaqja e vëmendjes ndaj një monumenti shkrimor si libri i Gjon Buzukut nga ana e Imzot Pal Skiroit(1909-1910) do të rimerret dhe nga Eqrem Çabej në studimin introduktiv me të cilin ai i paraprin një ndërmarrjeje serioze që ka të bëjë me transliterimin dhe transkribimin e teksteve të këtij libri, pikërisht në pikëpamje të rindërtimit të historisë së gjurmimeve që lidhen me vetë veprën dhe përmbajtjen e saj. Do të jetë pikërisht Imzot Pal Skiroi që do të iniciojë në rolin e kryeredaktorit në shkurt të vitit 1912 daljen në dritë të shtypit të një fletoreje të përjavshme(Fiala e t-in Zoti) që përveç destinimit kryesor ndaj praktikës së liturgjisë dhe leximit të Ungjillit të së dielës përmes saj, do të bëjë të mundur të realizojnë shkëmbime dhe studiues në zë të kohës, të interesuar dhe për gjurmimet albanologjike si Norbert Jokli, Kristo Luarasi, Lumo Skëndo, Atë Shtjefën Gjeçov O.F.M., Dom Lazër Mjedja etj.

Është e qartë për këdo që ndërmerr të ndjekë në kohë dhe në rezultate vijimësinë në pikëpamje të zbulimit dhe evidentimit të ekzemplarëve të veprave të letërsisë së vjetër shqipe që nga shkrimi në shkrim, nga inciativa në iniciativë është arritur të radhiten kontributet në fjalë në pikëpamje ecurie kohore, por dhe vlerash sa i takon përmbajtjes konkrete të secilit prej tyre. Në këtë vështrim paraqet mjaft interes leximi i interpretimeve dhe i emërtesave përkatëse që jepen në lidhje me doracakët e Budit, Fjalorin latinisht-shqip të Frang Bardhit, për të cilin gjejmë dhe të dhëna që kanë të bëjnë me arsimimin e tij në Kolegjën e Shejtes Propagandë në Romë. Duke qenë se studiues të vëmendshëm ndaj aspekteve në dukje teknike të ballinës, faqeve të para të tyre kanë bërë objekt të kureshtjes shkencore elemente të caktuara që vihen në dukje nëpërmjet citimesh të vendosura në fund të faqeve të hulumtimeve të tyre, do të ndiqet dhe metoda e përdorur për të arritur në përfundime nëse një vepër a një variant i caktuar i saj ka patur dhe më parë ndonjë botim më të hershëm në kohë.[1]

Pikërisht në vitin 1916 do të gjejmë shënime me vlerë në lidhje me historikun e dokumenteve që i prijnë në kohë Dicionarit latinisht-shqip të Frangut të Bardhë dhe vepërzave të tjera që mendohej se njiheshin deri atëherë. Në shkrimin tematik me titull Mê të vjetrët shkrime shqip, botuar në n. 1 të vitit 1916 të së përkohshmes Diturija, do të gjejmë një sprovë të qartë që mëton të ndjekë në pikëpamje ecurie realizimin dhe evidentimin e dokumenteve shkrimore që konsiderohen si më të hershmet, madje dhe elemente më të hershme në pikëpamje dokumentimi që bëhen të ditura dhe i shtrohen vëmendjes së kërkuesve dhe studiuesve të letrave shqipe. Vetëdija që ka përherë vend për të dhëna të reja dhe për hulumtime të mëtejme shprehet qartë dhe në fjalinë e mëposhtme nga ky shkrim i sipërcituar:

S’ka dyshim që kërkime të rinj nëpër bibliotekat do të na qitin në dritë dhe gjërra mê të vjetra, dhe mê të vjejtura për neve; kjo gjë akoma s’është filluarë dhe punonjësit e rrëmonjësit do të kenë një shesh të gjerë për aktivitetin e tyre.[2] 

Dekadat e para të shekullit të kaluar mbeten bazilare në vështrimin tonë dhe sa i përket trajtimit të çështjes së unifikimit të kulturës shkrimore apo përpjekjeve për të kontribuar në drejtim të njësimit dhe përmirësimit të aspekteve të paraqitjes grafike të teksteve dhe të leximit të tyre në të përkohshme, botime shkollore, por dhe të destinacioneve të tjera më të ndryshme. Vijimësia e ndryshimeve që kanë të bëjnë me të shkruarit dhe sistemin shkrimor në të tilla organe dhe mjete të shkollimit dhe të kulturës mund të ndiqet pikërisht nëse hulumtohet në historikun e të përkohshmeve të caktuara, në faqet e të cilave pasqyrohet shqetësimi i drejtuesve apo i iniciatorëve të tyre në lidhje me realizimin e një platforme shkrimore përherë e më të konsoliduar që do t’i shërbente kulturës së shkrimit, por dhe përhapjes së dijes e të bibliofilisë në kontekstin shqiptar. Pikërisht në të tilla botime do të mund të gjurmohen tekste që më vonë duke marrë përmasa të tjera dhe duke u përfshirë në vepra më të përfunduara do të jenë gjithsesi dëshmi të hapave të parë të konkretizimit të shkrimtarisë dhe krijimtarisë së mjaft personaliteteve shqiptare, të cilat do të shkëlqejnë gjithashtu dhe në të tjera fusha të veprimtarisë intelektuale njerëzore. Po përmes numrave përkatës që mund të disponohen dhe sot e kësaj dite nga bibliotekat tona, është e mundur të ndiqet dhe vetë evoluimi i sistemit shkrimor të përdorur, i shenjave diakritike përkatëse, që mëton të jetë më i thjeshtuar në vitet që do të pasojnë themelimin e të përkohshmeve që kanë kontribuar konkretisht dhe në lidhje me këtë çështje.

Në vitet ’30 të shekullit të kaluar do të shohin dritën e botimit vepra që kanë mbetur për dekada të tëra prijës të papërsëritshëm në pikëpamje të parashtrimit të platformave studimore që lidhen me historinë e shkrimit, me historinë e shtypit, me shkrimet e vjetra shqipe, me botimet që në format dorëshkrimesh apo shtypshkrimi vijojnë të përfaqësojnë veçanti për gjurmime më të specializuara që kanë të bëjnë me tekstologjinë apo me vëzhgimet mbi periudha më të hershme të dokumentimit shkrimor të gjuhës sonë. Një paraprirje e qartë e arritjeve të tilla janë dhe disa nga shkrimet e cituara e mjaft të tjera që të shfaqura që në fund të një shekulli më parë e më tej në vijim në dy dhjetëvjeçarët e parë të nëntëqindës dëshmojnë më së miri përqendrimin e vëmendjes dhe rritjen e vetëdijes mbi rëndësinë dhe domosdoshmërinë e njësimit të një gjuhe të shkruar dhe të një sistemi grafematik që do të përafronte më tepër të përkohshme dhe iniciativa që kanë të bëjnë me shkollimin dhe miradministrimin e teksteve shkollore dhe shkencore në atë kohë.

Nuk qe e rastit që pas botimit të këtyre shkrimeve u kalua në realizime tekstesh që dhe duke qenë me destinacion të pastër shkollor vijojmë t’i kemi burime referimi ndërkohë që ndërmarrim të përshkruajnë rrugëtimin që nisën dhe vijuan nismat dhe përpjekjet për të rindërtuar historinë e letërsisë së shkruar shqipe, historinë e dokumentimit shkrimor të gjuhës sonë, duke u përforcuar herë pas here të dhënat mbi gjendjen e njohjes nga kërkuesit dhe studiuesit sa u përket ekzemplarëve dhe kësombllave që përfaqësonin periudhat më të hershme të këtij dokumentimi.

Nuk është aspak e rastit që në proces të diskutimeve që janë zhvilluar në tribuna të rëndësishme të shtypit kulturor dhe atij shkencor në lidhje me përdorime të veçanta fjalësh e që i përkasin leksikut dituror, leksikut historik dhe regjistrave më të specializuar të shqipes, të konsiderohen për nga vlera dhe shqipërimet që u realizuan në këto vite nga letërsia klasike, kryesisht greke e romake, si dhe visaret që natyrshëm i ka ofruar letërsia gojore shqipe, e konsideruar dhe asokohe për vlerat dhe pasurinë që u ofronte  studimeve gjuhësore, antropologjike dhe të fushave të tjera të albanologjisë. Krahas tyre dhe autorët e letërsisë së vjetër shqipe radhiten dhe vlerësohen për nga rëndësia e veprave dhe e gjuhës që ata lëvruan, për nga pasuria e elementeve që pasqyruan në këto vepra.[3]

Janë vite në të cilat personalitete të spikatura të kulturës e të fushave më të specializuara të dijes së albanologjisë dhanë kontribute të vyera që më tej ose do të konkretizohen e përmbyllen në vepra madhore, ose do të mbeten të konsultueshme e të vlerësuara për nga vizioni që transmetojnë dhe për nga besimi i qartë që gjuha shqipe, letërsia e saj e shkruar dhe pasuritë kombëtare që përfaqësohen në disa drejtime do të vijonin të ishin një referent i qartë i një trashëgimie kulturore dhe kombëtare me mjaft vlera dhe të një lashtësie të konsiderueshme./drita.info

 

—————————————

[1] Skëndo L., Istori e chkrimit cqip, në Diturija, n. 1, 1909, f. 1-2.

[2] Mê të vjetrët shkrime shqip, në Diturija, n. 1, 1916, f. 4-6.

[3] Shih në veçanti shkrimin me titull Fjalor për skaja dhe fjalë që kan’nevojë të kthiellohen, në Diturija, n. 3, 1927, f. 111: Studimi i autorëvet të vjetrë, njohja e ligjevet filologjike, shoshitja e visarit tënë Kombiar(këngë, përalla, fjalë pleqsh..me një fjalë foklor), dhe shënimet mbi dialektet do të na japin, pa dyshim, material dhe mjete të rinj për të hartuarë enë të ra në të cilat të vëmë idé të ra, me vullnet që t’i ndryshojmë sa të mundet me pakë, t’i kemi të patundura.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »