Të hysh në Pushimin e Zotit

Jan 18 • Meditimi i ditës

18 janar 2019 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Heb 4,1-5.11; Ps 78,3.4bc.6c-8; Mk 2,1-12)

 

Prania e Hyjit
E pranishme për mua është ajo që ndikon në të ekzistuarit tim.
Reflektoj për praninë e Hyjit, i cili është gjithmonë pranë meje në dashuri,
në mesin e shumë gjërave që po ashtu ndikojnë në mua.
Ndalem dhe lutem që t`i lejoj
që të ndikojë në të ekzistuarit tim, në jetën time, në këtë moment.

 

Liria
”Jam i/e lirë”.
Kur i shikoj këto fjalë të shkruara, më duket se krijojnë në mua një ndjenjë mrekullie.
Po, ndjenja e çuditshme e lirisë.
Faleminderit, o Zot.

 

Ndërgjegjësimi
Duke ditur që Hyji më do pa kushte,
mund t`i lejoj vetes të jem i sinqertë se si jam.
Si më kaloi dje dita? Si po e ndiej veten tani?
Krejt hapur, do t`i ndaj ndjenjat e mia me Hyjin.

 

Fjala

E lexoj, e dëgjoj tekstin e zgjedhur biblik fjalë për fjalë, mendim pas mendimi, siç e lexoj një letër nga një miku im i dashur. Lejoj që fjala e Zotit të gjejë jehonë brenda meje: vështroj, dëgjoj, besoj.


Heb 4,1-5.11

1 Prandaj, le të trembemi se, deri sa mbetet premtimi të hyhet në Pushimin e tij, të mos vërtetohet për ndonjërin prej jush se ka vonuar. 2 Sepse edhe ne e kemi marrë lajmin e mirë sikurse edhe ata, por atyre nuk u vlejti gjë fjala që dëgjuan sepse nuk u bashkuan me fe me ata që e pranuan fjalën. 3 Në Pushim veç, në të vërtetë hyjmë ne që besuam sipas fjalës që ka thënë:

»Kështu, u përbetova në zemërimin tim:

kurrë s’do të hyjnë në Pushimin tim«.

Ndonëse veprat i kishin marrë fund që në krijimin e botës. 4 E njëmend ka thënë diku për të shtatën ditë kështu: »Dhe Hyji pushoi nga të gjitha veprat e veta të shtatën ditë«. 5 E këtu prapë: »Kurrë s’do të hyjnë në Pushimin tim«.

11 Të vrapojmë, pra, për të hyrë në atë Pushim, që asnjë të mos mbarojë pas shembullit të të njëjtës padëgjesë!


Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimi i Shenjtë:

 

  • Ndoshta ke bërë një premtim apo ke marrë ndonjë vendim për vitin e ri disa javë më parë. A e ke mbajtur akoma? Çdo vit njerëzit bëjnë premtime për të jetuar thjesht, në mënyrë të qëndrueshme dhe në solidaritet dhe shpresojmë që edhe më shumë do të angazhohemi për sfidën për të jetuar thjesht këtë vit. Çfarë do të premtoje ti?
  • Ndërkohë që deklarimet dhe idetë e veprimit vijnë e shkojnë, premtimi i Hyjit kurrë nuk shuhet. Dashuria e Hyjit është e përjetshme. Dhe oh kaq e domosdoshme për ta njohur atë në botën tonë sot. A mund ta hap unë zemrën time ndaj këtij premtimi? A mund të më kujtohen njerëzit që i njoh e që duhet ta dëgjojnë premtimin e Hyjit?
  • Është një sfidë e madhe të jesh një ndjekës dhe kjo thirrje për të jetuar thjesht, në mënyrë të qëndrueshme dhe në solidaritet i mbulon të gjitha aspektet e jetës sime. Nganjëherë duket si e pamundur! Ndërsa e dëgjon përsëri leximin, dëgjoje premtimin e Hyjit. Premtimin e vendit të Pushimit.

 

Bashkëbisedimi

Ku ndodhen ato fjalë kryesore që po mundohen të më tregojnë dashurinë e Hyjit?
Ku jam i/e thirrur për të falur, për të kuptuar, për të kërkuar falje, për tu përmirësuar?
Ku kam qenë i/e lëvizur nga dashuria apo nga frika?
Ndaji ndjenjat e tua me Jezusin.

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë meditimit mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Ndodh, siç thotë lutja irlandeze, kur jemi të mbajtur në pëllëmbën e dorës së Hyjit, ne gjejmë pushim. Kështu mund ta bësh këtë si pasqyrë tënde reflektimi tani. Zot, dëshiroj ta ndjej veten sot, në pëllëmbën e dorës sate. Dëshiroj ta ndjej kujdesin, mbështetjen, dashurinë dhe veshët që dëgjojnë. Dua ta vendos veten në duart e dashurisë sate, o Zot. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »