Krishti e shikon potencialin tonë të fshehur

Jan 19 • Meditimi i ditës

19 janar 2019 – E shtunë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Heb 4,12-16; Ps 19,8-10.15; Mk 2,13-17)

 

Prania e Hyjit
Për të hyrë në praninë e dikujt nevojitet që me sinqeritet t`i afrohem i/e tillë siç jam.
Në këtë moment, Hyji është këtu dhe më pret.
Hyji më afrohet gjithmonë i pari, dëshiron të më njohë më shumë se miku im më i miri.
Ndalem një moment dhe e përshëndes Hyjin që më do.

 

Liria
E lus Hyjin që të më ndihmojë

që të lirohem nga mërzitë dhe brengat e mia,

që t`i hapem nëpërmjet kësaj kohe të lutjes,

në mënyrë që ta dua dhe t`i shërbej edhe më shumë.

 

Ndërgjegjësimi
O Zot, ma ke dhënë natën për pushim dhe fjetje.

Në momentet e mia kur jam zgjuar kurrë mos e harrofsha mirësinë tënde.

Më mëso që bekimin tënd ta ndaj me të tjerët.

 

Fjala

Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.

Lexoj me vëmendje

dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më lë përshtypje.


Mk 2, 13-17

 

13 Jezusi përsëri doli në breg të detit. Populli mbarë shkonte tek ai e Jezusi e mësonte. 14 Duke kaluar andej, pa Levin e Alfeut. Ishte në vendin e pagimit të taksave. Jezusi i tha:

“Eja pas meje!”

Ai u çua dhe shkoi pas tij.

15 Kur, më vonë, Jezusi ishte në tryezë, në shtëpinë e Levit, bashkë me të e me nxënësit e tij ishin ulur në tryezë tagrambledhës e mëkatarë. Vërtet ishin shumë. E ndiqnin edhe 16 disa skribë të sektit të farisenjve. Këta, kur e panë se po hante me tagrambledhës e me mëkatarë, u thanë nxënësve të tij:

“Pse ha me tagrambledhës e me mëkatarë?”

17 Jezusi, kur i dëgjoi, tha:

“Mjeku nuk u duhet të shëndoshëve, por të sëmurëve. Nuk erdha të grish të drejtët, por mëkatarët.”


Çfarë dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjtë:

 

  • Jezusi depërton nëpër nënkuptimet farizeike të konstruktuara me kujdes. Çfarë tronditje është dashur të jetë kjo! Levi, njeriu që njerëzit s`e donin, i refuzuar nga “të drejtët”, është marrës i hirit dhe faljes zemërgjerë të Zotit. Jezusi e shikon potencialin e tij të fshehur dhe e thërret në miqësi.
  • O Zot, dyfytyrësia, paturpësia dhe shpërfillja nuk kanë vend pranë tryezës sate të miqësisë. Shëroje zemrën time të paturp, që di t`i refuzojë dhe t`i gjykojë të tjerët, në mënyrë që të mund të ulem me ty në tryezë.

 

Bashkëbisedimi
Jezus, gjatë kohës sa ishe në tokë gjithmonë me gëzim i ke pranuar fëmijët e vegjël.

Më mëso që të kem besim prej fëmije në ty.

Që të jetoj me vetëdije se ti kurrë nuk do të largohesh prej meje.

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Masa e popullit që të dëgjonte, Jezus, ishte e përbërë nga lloj-lloj njerëzish. Shumë prej tyre nuk kishin asgjë të përbashkët, disa madje e shpërfillnin njëri-tjetrin. Lutem që të krishterët të mund të jenë tolerantë ndaj njëri-tjetrit në mënyrën me të cilën ti, o Jezus, ke qenë ndaj njerëzve të kohës së vet.

Të sëmurët edhe ata në nevojë zakonisht të janë afruar, o Zot, me guxim dhe drejtpërdrejt – “farisenjtë e mirësjellshëm” u janë afruar nxënësve të tu. Edhe pse varem shumë nga të tjerët kjo për mua është një përkujtim që nevojat dhe pyetjet e mia gjithmonë t`i vë para teje, Jezus, që ke kohë për mua. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »