Jeta e Shën Palit

Jan 22 • Këndvështrime

Nga Don Lush Gjergji

 

Sipas të dhënave të historiografisë të hulumtuara deri  me sot Shën Pali dihet se ka lindur në Tars, por nuk kemi të dhëna të sakta për vitin e lindjes, por vetëm supozime të mbështetura kryesisht në dëshmitë e tija, si dhe në historinë profane. Mendohet dhe supozohet se do të jetë lindur diku rreth viteve 5-10 pas Krishtit. Tani kryesisht mendohet dhe vlerësohet se viti 8 pas Krishtit mund të jetë si më i besueshëm për lindjen  e tij.

Po ashtu dihet se ai ishte në Korint gjatë udhëtimit të tij të dytë misionar, gjatë dimrit të vitit 50 e deri në verë të vitit 52. [i]

Sipas të gjitha gjasave kthimi i Shën Palit ka ndodhur diku në dimër të vitit 36, fill pas vrasjes së Shën Shtjefnit.[ii]

Ja dëshmitë e tija: “Falënderoj Atë që më dha fuqi – Krishtin Jezus, Zotin tonë – pse më çmoi të besueshëm duke më thirrur në shërbesë mua, që më parë isha blasfemues, salvues, mujshar “ (1 Tim 1, 12-13).

Në Veprat e Apostujve dëshmon kështu: “Unë jam hebre, i lindur në Tarsin e Cilicisë, por që u rrita në këtë qytet e të këmbët e Gamalielit u edukova sipas Ligjit të të vjetërve: isha zelltar i Hyjit ashtu sikurse që jeni edhe ju sot e kësaj dite… Ndërsa po udhëtoja dhe po iu afrohesha Damaskut, papritmas, rreth mesditës, prej qiellit më shndriti një dritë e madhe, unë rashë për dhe e dëgjova një zë që më tha: “Saul, Saul, pse po më salvon?. Unë përgjigja: “Kush je, o Zot?”. Ai më tha: “Unë jam Jezusi, Nazarenasi, të cilin ti e salvon! “ (Vap 22, 3. 6-).

Në Letrën Filipianëve Shën Pali e përdor një fjalë dhe shprehje tjetër, si mistikët, për ta shënuar dhe shpjeguar zgjedhjen hyjnore si dhe autoritetin e tij të pamohueshëm apostolik të cilin e mori drejtpërdrejt prej Jezusit të ngjallur. “Sepse edhe vetë kam qenë zënë prej Krishtit Jezus” (Fil  3, 12).

Dërgimin apostolik e vërteton edhe në Letrën e Parë Korintianëve me këto fjalë: “Sepse të shpall Ungjillin nuk është një arsye krenie për mua, është detyrë që më duhet ta kryej : i mjeri unë nëse nuk e predikoj Ungjillin! “ (1 Kor 9, 16).

Galatasve iu paraqitet dhe iu shpjegon se kush është  kështu:“Porse, kur Atij, që më zgjodhi qysh në kraharorin e nënës dhe më thirri me hirin e vet, i pëlqeu ta zbulojë në mua Birin e vet për ta shpallur ndër paganë  – unë, menjëherë, pa u këshilluar me asnjë njeri e pa u ngjitur aspak në Jerusalem te ata që para meje ishin apostuj, shkova në Arabi dhe përsëri u ktheva në Damask. E vetëm pas tri vjetësh u ngjita në Jerusalem, për t’u njoftuar me Kefën e ndeja te ai pesëmbëdhjetë dite” (Gal 1, 15-18).

Rreth kthimit të tij ka llojlloj interpretime dhe shpjegime. Disa flasin për vegim, të tjerët për përjetim mistik personal. “Më tepër se vegim, ishte zbulim i Krishtit : një zbulim në thellësi të qenies që menjëherë ia zbuloi tërësinë e misterit”[iii].

Rreth kthimit të Shën Palit është shkruar dhe diskutuar shumë gjatë shekujve e deri në ditët tona. Interpretimet janë të ndryshme. Mirëpo shumica, mos të them gati të gjithë, pajtohen së paku në disa elemente themelore: vegimi që e pati gjatë udhëtimit për Damask, ku iu zbulua Biri i Hyjit (Gal 1, 16), gjë kjo që pati  si pasojë ndriçimin hyjnor (2 Kor 4, 6), dhe me këtë Jezusi e “bëri  atë për vete” (Fil 3, 12).

Mësimet e Shën Palit shpeshherë janë nga brendia e tij mistike, nga drita e brendshme, dhe për ta kuptuar së paku deri diku, duhet të shkojmë deri te burimi i shpirtit dhe jetës së tij.

Pali deri diku i mbetet besnik Besëlidhjes së Vjetër, hebraizmit, së paku në karakteristikat themelore si monoteizmi, tradita e të parëve, sidomos Biblës, Fjalës së Zotit, si dhe shkollës rabine, por gjithnjë nën dritën e krishterimit dhe sipas përvojës së takimit me Jezu Krishtin e ngjallur. Kështu të vërtetat hebraike kanë një trajtë dhe përmbajtje tërësisht të re: Hyji është Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit; Ngjallja e Krishtit është ngjarja kryesore e mbarë historisë, në veçanti e historisë së njerëzimit, dhe në Të plotësohet Ligji dhe profetët, zbatohen premtimet mesinanike, na dhurohet të gjithëve shëlbimi.

Me këtë Pali bëhet apostull i Jezu Krishtit për mbarë botën e atëhershme.

Është mjaft vështirë të jepet profili i personalitetit të Shën Palit, sepse pas takimit me Jezusin e ngjallur në rrugë për Damask (krh. Vap 22, 6), ai përqendrohet tërësisht në Jezu Krishtin e ngjallur, dhe në prizmin e këtij përjetimi dhe takim vështron çdo gjë.

Nga elementet e pakta që i ka shënuar dimë këtë:

Shën Pali ishte i lindur në Tars në Cilici (krh. Vap 21, 39), ishte hebre i diasporës me prejardhje nga fisi i Benjaminit (krh. Rom 11, 1), disa vite më i ri se Jezusi. Kishte nënshtetësinë romake (Vap 16, 37), gjë kjo që dëshmon se familja e tij ishte  e njohur dhe e pasur. Emri i tij hebraisht ishte Saul, kurse latinisht apo në trajtën romake Pal (krh. Vap 13, 9).

Edukimi i tij fetar ishte mjaft i rreptë (krh. Fil 3, 5-), dhe qysh nga fëmijëria e kishte për mësues rabinin Gamalielin, kështu që ishte një farize mjaft i zellshëm (krh. Vap 22, 3; Gal 1, 14).

Nga kjo zbulojmë se ishte njohës mjaft i mirë i ligjit hebre, mendimeve dhe interpretimeve rabinike dhe i përshpirtërisë hebraike.

Pasi ishte qytetar i Tarsit, qytet bregdetar dhe lima, pati mundësi ta mësonte mjaft mirë gjuhën dhe kulturën greke, por edhe të njihte mirë traditën dhe kulturën e Perandorisë romake. Përpos kësaj merrej edhe  me prodhimin e tendave, punë kjo që e kishte vazhduar edhe si apostull i Jezu Krishtit (krh. Vap 18, 3).

Sa i përket shëndetit, sa duket ishte pak i sëmurë, por nuk dihet saktësisht se çfarë sëmundje kishte (krh. Gal 4, 13; 2 Kor 12, 7).

Pas takimit me Jezusin dhe kthimit në krishterim shkoi në Arabi (krh. Gal 1, 17), nuk e dimë me siguri se ku, por mendohet dhe supozohet se ishte ndoshta në ndonjë qytet në afërsi të Damaskut. Pastaj kthehet në Damask, dhe pas 3 viteve iku prej hebrenjve (krh. Vap 9, 24) dhe shkoi në Jerusalem, ku edhe u takua për herë të parë me Shën Pjetrin. Disa vite i kishte kaluar në Siri dhe në Cilici (krh. Gal 1, 18-21; Vap 9, 30).

Veprat e Apostujve na flasin për udhëtimet e tija, por si qëllim nuk e kanë kronologjinë dhe saktësinë e ngjarjeve, më tepër porosinë dhe veprimin e  Shpirtit Shenjt nëpërmjet predikimit dhe veprimeve të Shën Palit.[iv]/drita.info

 

—————-

[i]Krh. Wilfrid J. Harrington, Uvod u Novi Zavjet, KS, 1993, f. 65.  Lexo: Thanas L. Gjika, Kur dhe ku u shkrua Dhiata e Re, “Medaur”, Tiranë, 2007, f.31-46.

[ii] Wilfrid J. Harrington, v. e cit. f. 66. Thanas L. Gjika, v. e cit. f. 33-48.

[iii]Giuseppe Bonsirven, Il Vangelo di Paolo, EP, 1963, 64; Lexo: Po aty, vep. e cit. F. 21-29.

[iv]Lexo: Thanas L. Gjika, vep. e cit, f..31-46.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »