Obsesion me rregullat

Jan 22 • Meditimi i ditës

22 janar 2018 – E marte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
((Leximet e ditës:Heb 6,10-20; Ps 111,1-2.4-5.9.10c; Mk 2,23-28)

 

Prania e Hyjit

“Nëse ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, Ati im do ta dojë, tek ai do të vijmë dhe tek ai do të banojmë.”

I dëgjoj këto fjalë. Dëgjoj me gjithë vëmendjen time, me mendjen time dhe me zemrën time, që të mund ta dëgjoj vërtet fjalën e Zotit dhe ta mbaj atë.

 

Liria

Vdekja jote në kryq më ka liruar, o Zot.

Mund të jetoj lirshëm dhe gëzueshëm, pa frikë nga vdekja.

Mëshira jote nuk njeh kufi.

 

Ndërgjegjësimi

E di që Zoti më do pa kushte.

Për këtë arsye me sinqeritet e vështroj ditën që po kalon, ngjarjet dhe përjetimet.

A ekziston diçka që duhet të jem mirënjohës? Atëherë do ta falënderoj Zotin.

A ekziston diçka që ndihem fajtor? Atëherë do të lus për falje.

 

Fjala

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.


Mk 2, 23-28

 

23 Një të shtunë Jezusi po kalonte nëpër të mbjella. Nxënësit e tij, duke udhëtuar, filluan të këpusin kallinj. 24 Farisenjtë atëherë po i thonë:

“Shih! Pse po bëjnë atë që s’është e lejueshme të bëhet të shtunën?”

25 Jezusi u përgjigj:

“A s’ju ka rënë kurrë të lexoni ç’bëri Davidi kur pati nevojë, atëherë kur u urit ai e përcjellësit e tij? 26 Se si, kur ishte kryeprift Abiatari, hyri në Shtëpinë e Hyjit dhe i hëngri bukët e kushtuara, të cilat s’guxon t’i hajë askush përveç priftërinjve? Madje, ai u dha edhe përcjellësve të vet!”

27 Atëherë u thoshte edhe këtë:

“E shtuna u bë për njeriun e jo njeriu për të shtunën. 28 Prandaj, Biri i njeriut është zotëruesi edhe i të shtunës!”


Çka dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Farisenjtë ishin aq të etur për të mos i thyer rregullat saqë e kishin humbur nga sytë kuptimin e vërtetë të urdhërimeve. Në këtë rast vullneti i Zotit, që burrat dhe gratë duhet të pushojnë dhe ta gëzojnë të shtunën, nuk u arritë. Ata nuk arritën të kuptonin se Shabati (e shtuna) u bë për njerëzit dhe jo njerëzit për Shabatin (të shtunën). A mos është ky obsesion me rregullat ende një problem për njerëzit religjiozë? A mos është problem për mua?
  • Shabati (e shtuna) duhej të ishte një lajm i mirë, një pushim, një lirim, një çlirim – liri nga ngarkesat e punës dhe koha për të qenë të vëmendshëm ndaj Hyjit. A mendon se e kemi atë ndjenjën se e shtuna është një lajm i mirë? A është lajm i mirë që më duhet ta dëgjoj në jetën time?
  • Jezusi flet me autoritet në këtë fragment biblik. Ndërsa e dëgjoj përsëri, i dëgjoj me kujdes fjalët e tij dhe atë që më thonë.

 

Bashkëbisedimi
Duke i dëgjuar përsëri fjalët e Jezusit, cili ishte reagimi im? Ndoshta jam bërë më i vetëdijshëm për ankthet e mia të “thyerjes së rregullave”, ose ndoshta e kisha një ndjenjë se vetë më duhet të marr një pushim, ose ndoshta më la mbresa guximi i fjalëve të Jezusit. Çfarëdo që të jetë reagimi im, mund ta sjell atë përpara Zotit dhe t’i flas atij, ashtu siç do të bëja me një mik, duke i treguar se si më flasin fjalët e tij.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve me ty. E shtuna gjegjësisht e diela është për të mirën tonë. Mblidhemi në ditën kur të takojmë ty, o Zot, në mënyra të ndryshme. Të takojmë ty në bashkësi, në ndarjen e historisë së madhe të shpëtimit dhe në tryezën Tënde që e ke përgatitur. Shpirtrattanë kanë një shans për t’u shëruar, dhe të ripërtërirë i rikthehemi detyrave të përditshme.

O Zot, po kërkon prej nesh që të tjerëve t`ua tregojmë se je i gjallë në mënyrë që ne vetë të jetojmë nga plotësia jote. Varet prej nesh që të bëhemi “lajm i mirë në kohën e tashme.” Ky është një privilegj, por edhe detyrë. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »