Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë komuniste sipas dosjeve të diplomacisë zvicerane (I)

Jan 23 • Histori, Kulturë

Nga Zef AHMETI, Zvicër

                                                                                    

Hyrje

Tashmë gjatë Luftës së Dytë Botërore kishte kontakte të ngushta ndërmjet komunistëve jugosllavë dhe atyre shqiptarë. Qysh nga ajo kohë planifikohej që pas luftës Shqipërinë t`ia bashkojnë federatës jugosllave për ta shmangur problemin me popullsinë shqiptare në Kosovë e Maqedoni.[1] Më 28 prill 1945 Jugosllavia njohu qeverinë shqiptare-komuniste. Jugosllavia dhe Shqipëria, me komunistët në pushtet, në janar të vitit 1946 miratojnë kushtetutat e tyre komuniste.[2] Si rezultat i kësaj “vëllazëri ideologjike“, në vitin 1946 lidhet një traktat miqësie dhe bashkëpunimi, i cili parashikonte koordinimin e planeve ekonomike të dy vendeve, rregullimin e sistemit monetar, një bashkim doganor dhe një sistem të përbashkët çmimesh.

Me këtë traktat Shqipëria u bë një shtet satelitor jugosllav.[3]Komunistët shqiptarë u konsideruan si pasues të jugosllavëve.[4] Zvicra nuk donte të vendoste marrëdhënie diplomatike me qeverinë komuniste në Shqipëri. Nga njëra anë, për shkak se kjo çështje për politikën e jashtme të Zvicrës ishte në fund të listës së prioriteteve dhe, në anën tjetër, sepse paraqitte shqetësim për shkak të konfliktit mes Greqisë – me të cilën Zvicra donte t`i ruante edhe më tutje “marrëdhëniet miqësore tradicionale” – dhe Shqipërisë. Tensionet midis Bashkimit Sovjetik dhe fuqive perëndimore kishin njashtu një rëndësi të caktuar, si dhe për arsye të “kushteve të vështira” në vetë Shqipërinë që ende nuk ishin sqaruara mjaft.[5] Qeveria zvicerane dyshonte në legjitimitetin e qeverisë shqiptare. Kjo mosnjohje megjithatë nuk do ta pengojë Zvicrën në rast nevoje herë pas herë të trajtoj çështje ekonomike me përfaqësuesit zyrtar të Shqipërisë.[6] Në anën tjetër Zvicra njohu qeverinë e Titos me emërimin e një ambasadori të ri zviceran, më 04. 05.1945, përpara tërheqjes së Ushtrisë së Kuqe nga Jugosllavia dhe shpalljes së vendit Republikë Popullore.[7] Në prill të vitit 1945 një mision tregtar jugosllav vizitoi Zvicrën për të blerë mallra të nevojshme për rindërtim. Megjithatë një marrëveshje tregtare dhe pagesash nuk pati deri në vitin 1946.[8]

Në janar të vitit 1948 në Moskë u diskutua çështja e Shqipërisë midis përfaqësuesve jugosllav dhe Stalinit. Stalini dha dritën e gjelbër që Jugosllavia ta “gëlltit” Shqipërinë, ndërsa pala jugosllave e quante “bashkim”.[9]  Në rrjedhën e këtyre bisedimeve lidhet një marrëveshje midis Titos dhe udhëheqësit të Partisë Komuniste Shqiptare, Enver Hoxha, sipas të cilës do duhet të dërgohen dy divizione jugosllave për ta mbrojtur Shqipërinë jugore nga një sulm i mundshëm “monarko-fashistët” grekë. Për Moskën kjo ishte e patolerueshme. Ky projekt u konsiderua si një përpjekje për të mashtruar qeverinë sovjetike, ndonëse “zotëria i Kremlinit (Stalini) ishte më pak i shqetësuar për vetë çështjen por më tepër për përpjekjen e mashtrimit të atij si udhëheqës i rendit politik“.[10] Moska do të kishte pranuar një federatë jugosllave-shqiptare nën kontrollin sovjetik.[11]Për shkak të konfliktit të Kominform-it (1948)[12]mes Moskës dhe Beogradit, ku Shqipëria mbështeti anën e Bashkimit Sovjetik, si dhe për arsye të planit të udhëheqjes jugosllave në Beograd për të dërguar trupa jugosllave, çoi në një kthesë të politikës së Moskës ndaj Shqipërisë, edhe pse Beogradi ndaloi dërgimin e trupave jugosllave në Shqipëri. Moska kësaj situate i përgjigjet në mars 1948 me dërgimin e njerëzve të besueshëm në Shqipëri. Me këtë udhëheqja pro-jugosllave u pastrua shpejt pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë dhe krahu pro-sovjetikë mori pushtetin.[13]Pas prishjes së marrëdhënieve me Moskën fillon përndjekja e stalinistëve në Jugosllavi[14], e në anën tjetër përndjekja e “titistëve” në “demokracitë e popullore” si Shqipëria, por edhe në vende të tjera. Në vjeshtën e vitit 1949, Bashkimi Sovjetik anuloi paktin e miqësisë me Jugosllavinë dhe i kërkohet ambasadorit jugosllav të largohet nga vendi.[15]

Në këtë kohë të “marrëdhënieve të ftohta” është interesante të shikohet se si janë parë marrëdhëniet jugosllave-shqiptare nga diplomacia zvicerane? Zvicra, një shtet që përdor neutralitetin si një parim udhëzues në politikën e jashtme, kishte marrë informacione interesante dhe të sakta duke i përfshirë edhe marrëdhëniet midis këtyre dy vendeve. Këtu është bërë një përpjekje për të dhënë një pasqyrë të marrëdhënieve jugosllave-shqiptare sipas dosjeve të diplomatëve zviceranë dhe si janë vlerësuar këto marrëdhënie. Natyrisht jo të gjitha dosjet janë marrë parasysh këtu sepse shumë prej tyre janë të mbyllura deri në një kohë të pacaktuar.

 

I.  Traktat-marrëveshja ekonomike, monetare mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë[16]

 

Deri në vitin 1948, kur marrëdhëniet ndërmjet Jugosllavisë dhe Shqipërisë zhvilloheshin në kuadër “vëllazërisë ideologjike“, regjimi komunist shqiptar në Shqipëri përpiqej nëpërmjet Jugosllavisë të fitonte njohje ndërkombëtare për legjitimitetin e saj.

Në vitet e para të pasluftës nën patronazhin jugosllav[17]përfaqësimi diplomatik i Zvicrës në Jugosllavi si dhe departamentet (ministritë) përgjegjëse trajtojnë kryesisht çështjen e marrëveshjes së përgjithshme ekonomike, doganore dhe monetare midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë të nënshkruar më 27 nëntor 1946. Këtu potencohet përherë se Zvicra ende nuk e njeh qeverinë komuniste në Shqipëri.

Zyrtari i ngarkuar i zyrës Zvicerane përkatësisht sekretari i Legatës në Jugosllavi i dërgon një letër dt. 4 shkurt 1947 sektorit të tregtisë në Departamentit Federal për Ekonomi (DFE)[18] dhe transmeton tekstin e marrëveshjes ndërmjet Jugosllavisë dhe Shqipërisë[19]të miratuar nga byroja e parlamentit të Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë më 27 nëntor 1946. Kjo marrëveshje ishte e lidhur për 30 vite. Letrës së sekretarit të legatës, përveç marrëveshjes, i bashkëngjitet edhe një shkrim i publikuar në gazetën “Borba” të dt. 16 dhjetor 1946 i përkthyer në gjuhën frënge[20], ku komentohet kjo marrëveshje mes dy vendeve. Aty potencohet se Jugosllavia angazhohet për të promovuar rindërtimin e Shqipërisë. Në këtë kontekst ishin paraparë organe koordinuese, një përafrim monetar dhe një bashkim doganor dhe se marrëveshja është “nënshkruar në një atmosferë miqësore“.

Sektori i tregtisë në Departamentit Federal për Ekonomi (DFE) orienton me një letër të datës 18.02.1947[21] Departamentin Politik Federal (vër. Ministrinë e Jashtme) (repartin për drejtësi, financa dhe çështjet e transportit), Drejtorinë Federale të Doganave dhe Bankën Kombëtare Zvicerane. Në një shënim të datës 20.2.1947 sektori i tregtisë në DFE[22] drejtuar sektorit për çështje politike informon, se për këtë çështje është në kontakt me përfaqësinë diplomatike në Beograd. Në këtë kontekst shtrohet pyetja nëse ndonjë mall i Jugosllavisë mund të eksportohet nëpërmjet Shqipërisë në Zvicër kundruall një “valute të lirë”. Kjo ishte e mundshme për shkak se me Shqipërinë nuk kishte marrëdhënie ekonomike obliguese dhe se qeveria e re ende nuk ishte e pranuar nga Zvicra. Ambasada ndiqte zhvillimet e eksporteve shqiptare nga Beogradi. Nëse mallrat jugosllav arrijnë Zvicrën nëpërmjet Shqipërisë, sektori i tregtisë do të nxirrte “një detyrim pagesë të njëanshme për eksportet shqiptare“. Një çështje tjetër për t`u sqaruar ishte: a duhet që marrëveshja ekonomike zvicerane-jugosllave të shtrihet sipas marrëveshjes që parashikonte bashkimin doganor jugosllav-shqiptar.

Këtu potencohet gjithashtu një aspekt politik i marrëveshjes midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë: “Bashkimi doganor jugosllav-shqiptar ka të ngjarë të jetë rezultati i parë i përpjekjeve për të krijuar një konfederatë ballkanike nën udhëheqjen komuniste. Siç është e ditur në kuadër të kësaj federate mëtohet të krijohet një “Maqedoni e Madhe” si dhe po punohet për përfshirjen edhe të Bullgarisë“.[23]

Sektori për çështje ligjore në Departamentit Politik (DP, vër. ministrisë së jashtme zvicerane) shkruan në përgjigjen e datës 27.2.1947[24], se Zvicra deri më tani “nuk e ka njohur qeverinë shqiptare“ e kështu që duhet të shqyrtojë çështjen e efekteve në marrëdhëniet zvicerane-shqiptare të një bashkimi doganor midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Ndër të tjera, cili do jetë qëndrimi i autoriteteve zvicerane që kanë ndërmend ta mbajnë, nëse qeveria jugosllave këmbëngul në këtë bashkim doganor, që raportet tregtare me Zvicrën të vlejnë jo vetëm për territorin e Jugosllavisë por edhe për Shqipëri. Përgjigjja ishte: “[edhe pse] Zvicra për arsye të veçanta politike ka refuzuar të lidhë marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë, nuk ka arsye të kundërshtojë krijimin dhe mirëmbajtjen e marrëdhënieve tregtare me Shqipërinë“. Nëse qeveria jugosllave do kërkonte që marrëveshja midis Jugosllavisë dhe Zvicrës të zgjerohet edhe për territorin e Shqipërisë, Zvicra nuk do të kishte gjë kundër. “Një procedurë e tillë mbase do të ishte edhe e përshtatshme që për shkak të vështirësive në një sektor të caktuar që dalin nga qëndrimi politik zviceran, nëse është e nevojshme, të zgjidhet në kuadër të sektorit të marrëdhënieve tregtare“. Pasi këto çështje sqarohen brenda organeve, më 10.3.1947 Departamenti Politik (DP) i shkruan legatës zvicerane në Beograd[25]për njoftim edhe sektorit të tregtisë së Departamenti Federal për Ekonomi (DFE, vër.: ministria për çështje të ekonomisë) dhe sektorit politik, se Zvicra do të pajtohej me zgjerimin e marrëveshjes edhe në Shqipëri, parimisht pa pasur nevojë “të ndryshoj qëndrimin politik përballë qeverisë së Hoxhës“.[26] Për shkak se disa çështje të marrëveshjes midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë në Zvicër ende nuk ishin të qarta, përfaqësimi zviceran në Beograd merr qëndrim dhe e informon Zvicrën në çështjen, nëse marrëveshja mes këtyre dy vendeve ishte në fuqi ose jo. Në këtë shkresë potencohet: “Siç del nga neni 5 i marrëveshjes, ajo hyri në fuqi pas nënshkrimit. Ratifikimi nuk u njoftua në Gazetën Zyrtare të Jugosllavisë, por e publikoi rregulloren nr. 150, datë 10 mars 1947, për shfuqizimin e kufijve doganorë ndërmjet dy vendeve.[27] Përveç kësaj për këtë flet edhe neni 2, paragrafi 1, për masat e parashikuara ku caktohet një normë fikse e dinarit (monedha jugosllave) 1.250.- për 100.- lekë (monedha shqiptare). Përfaqësia duke u mbështetur në burimet përgjithësisht të besueshme informon, se çështjet e importit dhe eksportit të Shqipërisë drejtohen nga Ministria e Tregtisë së Jashtme e Jugosllavisë. Diplomati në Jugosllavi informon po ashtu, se “Shqipëria nuk ka pothuajse asnjë produkt për eksport, përveç pak duhan dhe frutave tropikale. Momentalisht eksportet mjaft të mëdha për në Shqipëri (drithëra, makina rrotulluese, automjete dhe materiale ndërtimore) shpjegohen me 2 miliard dinarët e vënë në dispozicion nga parashikimet për kompensimin e planeve ekonomike të Jugosllavisë, siç doli nga konsultimet buxhetore. Po ashtu, planet e mëdha investuese, të tilla si ngritja e një impianti për furnizim me ujë dhe një qendër kontrolli elektrik për Tiranën, si dhe projektet për ndërtimin e një centrali në lumin Drin. Një pjesë e kësaj pune janë kryer nga ministritë e ndryshme të Jugosllavisë dhe pjesërisht nga “ndërmarrja importuese-eksportuese shqiptare-jugosllave” e themeluar pak më vonë në Tiranë me qendër kryesore në Beograd, Pariska ulica 13.”[28]Ambasadori nga Beogradi raporton:Duke pasur parasysh situatën ekonomike në Shqipëri fundja nuk mund të mohohet se interesat e Jugosllavisë në Shqipëri nuk janë vetëm të natyrës ekonomike.“[29] Ky interpretim flet për ndikimin politik të Jugosllavisë mbi Shqipërinë, siç u përmend më lart, me qëllim të “gëlltitjes” së vendit ose “bashkimit” të saj.

Sektorit të tregtisë së Departamenti Federal për Ekonomi (DFE ), më 4 shtator 1947 i drejtohet me një shkresë Departamentit Politik ku thuhet: “Rrethanat e treguara nga njëra anë dhe takimi i shpejt i Komisionit të Përbashkët të përzier zviceran-jugosllav dhe negociatat e mëvonshme që mund të bëhen, e bëjnë megjithatë të dëshirueshme që të merret parasysh çështja e shtrirjes së zbatueshmërisë së Marrëveshjes të dt. 21 shtatorit 1946 edhe në territorin e Shqipërisë …[30] Departamenti Politik (ministria e jashtme) nga brenda (intern) bie dakord që kjo çështje të trajtohet në takimin e ardhshëm për të “mbyllur zbrazëtirën ekzistuese“.[31] Në një përgjigje tjetër të Departamentit Politik (DP) drejtuar Sektorit të tregtisë së Departamentit Federal për Ekonomi dt. 17 shtator 1947 ministria e jashtme e Zvicrës është shumë konkrete: Pas kontaktit me sektorin tonë të çështjeve politike ne ju informojmë, se nuk kemi asnjë kundërshtim për përfshirjen e Shqipërisë në marrëveshjen tonë ekonomike me Jugosllavinë“.[32]

Pas sqarimit të kësaj çështjeje nuk do zgjatë shumë kohë deri sa të shpërthej konflikti midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Si rezultat i konfliktit politik midis Moskës dhe Beogradit, Shqipërisë Moska i dërgoi njerëzit e vet të besueshëm në fillim të marsit 1948 për ta fituar për vete udhëheqjen politike të vendit. Më 9 korrik 1948 i dërguari zviceran në Jugosllavi i shkroi një letër konfidenciale[33] me anë të së cilës informon sektorin e tregtisë të Departamentit Federal për Ekonomi (DFE ) edhe Departamentin Politik, se Shqipëria kishte anuluar të gjitha kontratat ekonomike me Jugosllavinë. Njëkohësisht me të njëjtin akt anulimi Shqipëria kërkoi që nga vendi brenda 48 orëvetë largohen të gjithë specialistët jugosllavë. Përfaqësia zvicerane më tuje informon po ashtu se: “Jugosllavët janë të mendimit, se marrëveshjet bazë ekonomike janë nënshkruar për tridhjetë vjet. Anulimi është një shkelje e rëndë e rregullave themelore të së drejtës ndërkombëtare.Pretendimi që qeveria jugosllave nuk u është përmbajtur marrëveshjeve është hedhur poshtë dhe se për këtë është fajësuar sie replikë qeveria shqiptare, e cila gjithashtu ka bërë llogaritjet për atë sa ka bërë Jugosllavia deri tani për vëllain mosmirënjohës: ndihmë ekonomike nga Jugosllavia me një bilanc aktual prej 2 miliardë dinarë, për financimin e ushtrisë shqiptare me 1 ½ miliardë në vit, duke përjashtuar atë çfarë ka deklaruar Enver Hoxha, se aleanca e përjetshme me Jugosllavinë e Marshall Titos paraqet “arritjet e lavdishme të popullit shqiptar.“[34] Përfaqësimi zviceran gjithashtu raporton, bazuar në gazetat, se qeveria jugosllave ka marrë njoftimin për përfundimin e marrëveshjeve, por kundërshton tezën, se këto janë tani të pavlefshme. Raportohet gjithashtu për një artikull në gazetën Borba të 6 korrikut 1948, f.3, e cila kritikon sjelljen e Shqipërisë dhe se ka qenë Jugosllavia ajo e cila e ka forcuar Shqipërinë kundër imperializmit perëndimor dhe sa shumë ka bërë vendi (Jugosllavia) për ta mbështetur ekonomikisht Shqipërinë.[35]/drita.info

-vazhdon –

Fotografia në ballinë nga Kastriot Dervishi (FB)

 


[1] Holm Sundhaussen, Jugoslawien und seine Nachfolgerstaaten 1943-2011, Eine ungewöhnliche Geschichte des Gewöhnlichen, Wien, Köln, Weimar 2012, fq. 86.

[2] Ulf Brunnbauer, Politische Entwicklung Südosteuropas von 1945 bis 1989/91, në: Konrad Clewin, Oliver J. Schmitt (ed.), Geschichte Südosteuropas, Regensburg 2011, fq. 597-645, këtu fq. 606.

[3] Holm Sundhaussen, Jugoslawien und seine Nachfolgerstaaten 1943-2011, fq. 87.

[4] Ulf Brunnbauer, Politische Entwicklung Südosteuropas von 1945 bis 1989/91, fq. 610.

[5] Zef Ahmeti, Der lange Weg zur Errichtung diplomatischer Beziehungen zwischen der Schweiz und Albanien, në: Albert Ramaj (Hg.), Poeta nascitur, historicus fit – Ad honorem Zef Mirdita, St. Gallen-Zagreb 2013, fq. 1169-1214, këtu fq. 1190, 1193.

[6] Po aty fq. 1191.

[7] Therese Steffen Gerber, Jugoslawien, in: http://www.hls-dhs-dsfq.ch/textes/d/D3360.php (05/05/2015). 

[8] Po aty.

[9] Holm Sundhaussen, Jugoslawien und seine Nachfolgerstaaten 1943-2011, Eine ungewöhnliche Geschichte des Gewöhnlichen, Wien, Köln, Weimar 2012, fq. 87.

[10] Holm Sundhaussen… fq. 87.

[11] Po aty., fq. 87.

[12] Ulf Brunnbauer, Politische Entwicklung Südosteuropas von 1945 bis 1989/91, fq. 628. Fjala kominform përdoret si shkurtesë për byronë informative komuniste dhe partisë së punës, një aleancë shtetesh.

[13]Holm Sundhaussen, Jugoslawien und seine Nachfolgerstaaten 1943-2011, fq. 88.

[14] Po aty, fq. 92.

[15] Po aty, fq. 94.

[16] Dosja në Schweizerische Bundesarchive: Abkommen Jugoslawien-Albanien (r.C.45. You.113.4.) CH-BAR E2001E 1000-1571 3873.

[17] Për më tepër krhs. Südosteuropa-Handbuch, Bd 7: Albanien, ed. von Klaus-Detlev Grothusen, Göttingen 1993, fq. 113 v.

[18] Marrëveshja Jugosllavi-Shqipëri: CH-BAR E2001E 1000-1571 3873 13.

[19] Marrëveshja në gjuhën frënge: CH-BAR E2001E 1000-1571 3873 14. Shiko shtojcën..

[20] Dosja e marrëveshjes Jugosllavi-Shqipëri: CH-BAR E2001E 1000-1571 3873 14.

[21] Po aty,CH-BAR E2001E 1000-1571 3873 16

[22] Po aty,CH-BAR E2001E 1000-1571 3873 12.

[23] Po aty.

[24] Po aty, CH-BAR E2001E 1000-1571 3873 11 (p.B.15.11.Alb. – SP.).

[25] Po aty, CH-BAR E2001E 1000-1571 3873 10 (r.C.45.You.113.4. – UG.).

[26] Po aty.

[27] Po aty.

[28] Po aty.

[29] Po aty.

[30] Marrëveshja Jugosllavi-Shqipëri: CH-BAR E2001E 1000-1571 3873 8

[31] Po aty, CH-BAR E2001E 1000-1571 3873 6, CH-BAR E2001E 1000-1571 3873 5.

[32] Po aty, CH-BAR E2001E 1000-1571 3873 4.

[33] Po aty, CH-BAR E2001E 1000-1571 3873 2.

[34] Po aty.

[35] Marrëveshja Jugosllavi- Shqipëri: CH-BAR E2001E 1000-1571 3873 2.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »