Kujt ia kushton jetën tënde?

Jan 24 • Meditimi i ditës

24 janar 2019 – E enjte, Shën Françesku i Sales-it, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Heb 7,25 – 8,6; Ps 40,7-10.17; Mk 3,7-12)

 

Prania e Hyjit
E marr me mend se gjatë kohës së qëndrimit tim ulur, këtu dhe tani, Hyji më vështron me dashamirësi dhe dashuri
duke lejuar që të ekzistoj.
Do të ndalem një moment dhe do të mendoj për këtë.

 

Liria
O Zot, më ke krijuar që të jetoj në liri.
Shpesh herë lehtë e pranoj dhe e marrë këtë dhuratë.
Më frymëzo që të jetoj në lirinë që e ke parashikuar për mua,
me një zemër të pangarkuar dhe me një besim të plotë në ty.

 

Ndërgjegjësimi
Në këtë moment merr pak çaste për të reflektuar për flinë e Krishtit kushtuar në kryq për të gjithë…

 

Fjala
E lexoj, e dëgjoj tekstin e zgjedhur biblik fjalë për fjalë, mendim pas mendimi, siç e lexoj një letër nga një miku im i dashur. Lejoj që fjala e Zotit të gjejë jehonë brenda meje: vështroj, dëgjoj, besoj.


Heb 7,25 – 8,2

25 Këndej edhe mund t’i shëlbojë plotësisht ata që nëpër Të i afrohen Hyjit – sepse gjithmonë jeton për të ndërmjetësuar për ta.

26 Vërtet, një Kryeprift i tillë edhe na lypej ta kishim: i shenjtë, i pafajshëm, i panjollë, i ndarë nga mëkatarët dhe më i madhërueshëm se qiejt 27 – i cili s’ka nevojë, sikurse ata kryepriftërinjtë e tjerë, të kushtojë si një ditë për ditë fli më parë për faje të veta dhe pastaj për faje të popullit. Këtë Ai e bëri njëherë e përgjithmonë kur flijoi vetveten.

28 Ligji në të vërtetë, vë për kryepriftërinj njerëz të nënshtruar dobësive, kurse fjala e betimit – që vjen pas Ligjit – vë Birin që u bë i përsosur për amshim.

1 Dhe ja, pika kryesore në këtë shtjellim: kemi një Kryeprift të tillë, i cili rri në të djathtën e fronit të Madhërisë në qiell, 2 si Mbarështues i Shenjtërores dhe i Tendës së vërtetë, të cilën e ngriti Zoti dhe jo njeriu.


Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Ky lexim e përshkruan Jezusin si prift – si ai që ndërmjetëson ndërmjet Hyjit dhe qenieve njerëzore dhe atij që ofron sakrificë për mëkatet. Si ndihem për këtë mënyrë përshkrimi të Jezusit? Çfarë më tregojnë reagimet e mia rreth qëndrimit tim ndaj “priftërisë” dhe qëndrimit tim ndaj vetë Jezusit?
  • Leximi gjithashtu e vendos Jezusin në qendër të jetës sonë, si një pikë e rëndësishme, mënyrën, rrugën se si e gjejmë Hyjin Atë, me ndihmën e Shpirtit të Shenjtë. A është kjo mënyra se si e shoh Jezusin? A është ky vendi të cilinë dua që ai ta ketë në jetën time?
  • Vdekja dhe ringjallja e Jezusit, flijimi i tij “njëherë për të gjithë” kushtuar në Kalvar – njëherë e përgjithmonë, një herë për të gjithë popujt – është ngjarja e vetme më e rëndësishme në historinë njerëzore. Ndoshta mund të reflektosh se çfarë do të thotë kjo për ty, ndërsa e dëgjon leximin përsëri.

 

Bashkëbisedimi
Mos e harro “pikën kryesore” të autorit: Jezusi është në të djathtën e Hyjit; gjithmonë aty, gati për të shpëtuar dhe për të ndërmjetësuar për ata që i afrohen Hyjit nëpërmjet tij. Pra, pse të mos i lutesh tani, me besim, Jezusit, për nevojat e tua më të thella.

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Këtyre ditëve lutemi për bashkimin e të krishterëve. Të gjithë të krishterët thonë për ty, o Krisht: “Ti je Biri i Hyjit!” Ndarja fetare është shqetësuese. Megjithatë, dëshirojmë të përpiqemi për unitet dhe respekt të ndërsjellë. Me mijëra lule ndodhen në kopshtin e Hyjit.

O Zot, ti ke thënë se janë me ty ata që nuk janë kundër teje. Ti je ndërtuesi i shtëpisë sonë. Edhe pse ne jemi ende dishepuj të papërsosur megjithatë jemi gurë të gjallë. O Zot, bëj që të paktën të angazhohem në një iniciativë për bashkim dhe shërbim të përbashkët dashurie. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »