Sa i drejtohem Zotit drejtpërdrejt?

Jan 25 • Meditimi i ditës

25 janar 2019 – E premte, Kthimi i Shën Palit, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Vap 22,3-16 (ose: Vap 9,1-22); Ps 117,1-2; Mk 16,15-18)

 

Prania e Hyjit
Sytë e i kam drejt Zotit Hyj. Pa marrë para sysh ku ndodhem tani, rrugës për në punë, duke ecur në park, ulur në shtëpi … çfarë po shoh? Çfarë mund të shoh rreth meje? Kujtohem një moment se Zoti është i pranishëm në gjithë këtë, se e gjithë kjo është bërë nga Hyji dhe duhet nga Hyji, se Hyji më mban mua dhe të gjitha këto në pëllëmbën e dorës së vet.

 

Liria
S`ka situatë prej së cilës nuk do të mund të dilja më i pasur me dashuri dhe jetë.
Mirëpo, dëshirat e mia janë shpesh herë të fiksuara, të robëruara në iluzione se të gjitha do jenë të plotësuara.
E lus Hyjin që nëpërmjet lirisë sime
t`i bëjë dëshirat e mia këngë melodie gjallëruese të një dashurie plot harmoni.

 

Ndërgjegjësimi
Të jesh i vetëdijshëm për diçka do të thotë këtë edhe ta vëresh.
O Zot, më ndihmo që gjithmonë të jem i vetëdijshëm se ma ke dhuruar jetën;
Faleminderit për këtë dhuratë të jetës.
Më mëso se si të koncentrohem dhe të jem i/e qetë dhe të kënaqem në sendet që i ke krijuar për mua.
Ta vërej bukurinë që më rrethon,
mrekullitë e majave të maleve, qetësinë e liqenit, thyeshmërinë e fletës së lules…
Gjithmonë duhet qenë i vetëdijshëm se të gjitha këto vijnë prej teje.

 

Fjala
Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.


Vap 22,3-16

 

3 “Unë jam hebre, i lindur në Tarsin e Cilicisë, por që u rrita në këtë qytet e te këmbët e Gamalielit u edukova sipas Ligjit të të vjetërve: isha zelltar i Hyjit ashtu siç jeni edhe ju sot e kësaj dite. 4 Këtë Udhë e kam salvuar deri në vdekje, i kam hedhur në pranga dhe kam burgosur burra e gra, 5

si mund të ma bëjnë dëshmi edhe kryeprifti dhe paria. Prej atyre kam marrë edhe letrat për të burgosur vëllezërit në Damask dhe qesh nisur që edhe ata atje t’i bie të lidhur në Jerusalem për t’i ndëshkuar.”

6 “Ndërsa po udhëtoja dhe po i afrohesha Damaskut, papritmas, rreth mesditës, prej qiellit më shndriti një dritë e madhe, 7 unë rashë për dhe e dëgjova një zë që më tha: ‘Saul, Saul, pse po më salvon?’ 8 Unë u përgjigja: ‘Kush je, o Zot?’ Ai më tha: ‘Unë jam Jezusi, Nazarenasi, të cilin ti e salvon!’ 9 Ata që ishin me mua, dritën njëmend e panë, por zërin e atij që fliste me mua nuk e dëgjuan. 10 Atëherë thashë: ‘Çka duhet të bëj, o Zot?’ E Zoti më tha: ‘Çohu e shko në Damask e atje do të të thuhet çka duhet të bësh. 11 Pasi prej shkëlqimit të asaj drite më nuk shihja, shoqëruesit e mi më morën për dore e arrita në Damask.

12 Një farë Ananie, zbatues besnik i Ligjit, i cili gëzonte zë të mirë ndër hebrenj që banonin atje ‑ 13 erdhi tek unë dhe, si m’u afrua më tha: ‘Vëlla Saul, rifitoje dritën e syve!’ Dhe unë, aty për aty e rifitova të parët e syve. 14 Ai vijoi: ‘Hyji i etërve tanë caktoi ta njohësh vullnetin e tij, ta shohësh të Drejtin e ta dëgjosh zërin prej gojës së tij, 15 sepse do të jesh dëshmitari i tij para të gjithë njerëzve për të gjitha ato që ke parë e dëgjuar. 16 Ç’ke që ngurron? Ngrihu, pagëzohu dhe laji mëkatet e tua duke e thirrur në ndihmë Emrin e tij!’”


Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Pali është shumë i prirë t’i pohojë referencat personale të tij – origjinën e tij, vendin e lindjes, rritjen dhe edukimin e tij. Cilat janë referencat e mia, apo ‘të dhënat e jashtme’ që të japin kredibilitet dhe të bëjnë të pranueshëm në qarqet në të cilat normalisht ti lëviz?
  • A ka momente, nga ana tjetër, kur e ndien nevojën për të shkuar përtej këtyre ‘të dhënave të jashtme’ dhe të merresh me personin real prapa tyre? Si mund ta ndryshojë kjo jetën time dhe qëndrimin tim ndaj njerëzve të tjerë?
  • Gjatë kohës që lexohet përsëri pjesa kryesore e fragmentit biblik, dëgjoje sërish marrëdhënien e drejtpërdrejtë të Palit me Krishtin,.

 

Bashkëbisedimi
A ka ndonjë dialog të drejtpërdrejtë dhe personal që dëshiron ta kesh me Jezusin, tani?

 

Përmbyllja
Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty. Sot festojmë kthimin e Shën Palit. Iu bind urdhrit për të shpallur lajmin e mirë për të gjithë krijesat. Pafuqia e tij, verbëria dhe konfuzioni ishin gjëra që e hapën për të të pranuar, o Zot. Nëpërmjet mëkatit dhe brishtësisë sime të lejofsha që ta marrësh udhëheqjen e jetës sime.
Zot Jezus, ne e jetojmë dobësinë tonë që është brenda nesh – ajo është e hapur për prekjen/kontaktin tënd. Gëzimi dhe dobësitë e jetës po t’i dorëzojmë ty. Përdori ato për tu sjellë të mira të tjerëve. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »