Dhurata e Zotit brenda teje

Jan 26 • Meditimi i ditës

26 janar 2019 – E shtunë, Shën Timoteu dhe Titi, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: 2Tim 1,1-8 (ili: Tit 1,1-5); Ps 96,1-3.7-8a.10; Lk 10,1-9)

 

Prania e Hyjit
Ndërsa jam duke qëndruar pranë këtu, Hyji është i pranishëm,
ai i jep jetë jetës sime dhe të gjitha sendeve që më rrethojnë.
Do të qëndroj në heshtje një moment,
dhe do të bëhem i vetëdijshëm për praninë e Hyjit.

 

Liria
Në realizimin e lirisë së brendshme më së shpeshti më bllokon prirja ime
që lejoj të robërohem me frikën dhe pritshmëritë çfarë do të nevojitej apo duhej të isha.
Reagimet e mia të zakonshme më pengojnë që t`i kërkoj fusha të ndryshme të zhvillimit dhe rritjes sime.
Do të lus për një ndjenjë më të madhe të lirisë së brendshme
dhe që të mund të arrij diçka të re nga ajo çfarë Hyji kërkon prej meje.

 

Ndërgjegjësimi
E di që Zoti më do pa kushte.
Për këtë arsye me sinqeritet e vështroj ditën që po kalon, ngjarjet dhe përjetimet.
A ekziston diçka që duhet të jem mirënjohës? Atëherë do të shpreh ndjenja falënderimi.
Diçka që ndihem fajtor? Atëherë do të lus për falje.

 

Fjala
Hyji na dëfton veten e vet me anë tëshkrimeve të shenjta.
Degjoje fragmentin biblik dhe lejoji vëmendjes sate të pushojë nëdisa pjesë të tij.


2Tim 1,1-8

 

1 Pali, apostulli i Krishtit Jezus për vullnet të Hyjit i dërguar për të shpallur jetën e premtuar që është në Krishtin Jezus: 2Timoteut, birit të dashur: hir, mëshirë, paqe prej Hyjit Atë dhe prej Krishtit Jezus, Zotit tonë.

3 E falënderoj Hyjin, të cilit i shërbej, sikurse edhe të parët e mi, me ndërgjegje të pastër, ndërsa pa pushim të kujtoj në lutja të mia natë e ditë. 4 Dhe, kur më bien në mend lotët e tu, më kap një dëshirë e madhe të të shoh ty që të mbushem me gëzim. 5 Kujtoj fenë e çiltër që është në ty, që më parë ishte në gjyshen tënde Loidën dhe në nënën tënde Eunikën dhe jam i bindur se banon edhe në ty.

6 Këndej të përkujtoj ta ringjallësh dhuratën e hirit të Hyjit që është në ty në saje të vënies së duarve të mia. 7 Sepse Hyji nuk na e ka dhënë shpirtin e frikës, por përkundrazi, shpirtin e virtytit, të dashurisë dhe të urtisë. 8 Prandaj mos të të vijë turp ta dëshmosh Zotin tonë, as mua të burgosurin e tij, por hiq keq bashkë me mua për Ungjill duke u mbështetur në fuqinë e Hyjit, 9 i cili na shëlboi dhe na grishi me thirrje të shenjtë – jo në saje të veprave tona, por në saje të vullnetit të vet dhe të hirit, që na u dha që prej amshimit në Jezu Krishtin.


Çka dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • A mund ta marrësh mesazhin e Palit drejtuar Timoteut si një mesazh për ty tani, mesazhin e `hirit, mëshirës, paqes prej Hyjit Atë dhe prej Krishtit Jezus, Zotit tonë`? Nëse mundesh – atëherë, si të bën kjo të ndihesh?
  • Paramendoje nëse dikush e afirmon besimin tënd, si ‘besim të çiltër`, si do të ndiheshe? I/e inkurajuar? I/e zënë ngushtë? I/e trazuar?
  • Dhe po të ishin drejtuar këto fjalë drejtpërdrejtë ty, se ‘ke një dhuratë të Hyjit që është brenda teje’ – një dhuratë që mund ta rizbulosh – çfarë do të doje të bëje për të?
  • A mund të jetë e vërtetë kjo? A mund të jenë të vërteta të gjitha ato “sikur”? Ndërsa e dëgjon sërish leximin, mendo sikur të gjitha këto fjalë të jenë të menduara për ty, tani.

 

Bashkëbisedimi
Leximi na tregon se thirrja jonë dhe dhuratat që marrim janë të dhëna falas nga Hyjit, të pa krijuara prej nesh, as të fituara as të merituara nga përpjekjet tona. Cilën dhuratë – që nuk e ke merituar – e ndjen  dëshirën për t`ia kërkuar Hyjit? Lutu për të me fjalët e tua.

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Udhëzimet e tua, Jezus, kërkojnë thjeshtësi dhe ndershmëri në shërbimin tënd. Besimin tonë e mbështesim në ty më shumë sesa në tepricat dhe varësitë tona nga të hollat. Lutja dhe shërbimi, dashuria ndaj të tjerëve dhe të varfërve e afrojnë Mbretërinë në fjalë dhe vepër.

Ti, o Zot, i kishe ndihmësit e tu: njerëzit shkonin përpara teje dhe kumtonin ardhjen e tënde. Mbretëria jote, o Zot, nuk përhapet vetvetiu. Si bashkësi ne e dëgjojmë fjalën e Hyjit dhe i përgjigjemi asaj. Veprimi i përbashkët është gjithmonë përparim për bashkësinë e krishterë. Lutja na ndihmon t`i identifikojmë dhuntitë dhe talentet e çdonjërit dhe dinjitetin e secilit prej nesh në sytë e HyjitAti ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »