Rrugëtimi dhe fati i portretit të Skënderbeut

Jan 26 • Histori, Kulturë, Recension

Gjergj Kastriot – Skënderbeu është një nga figurat kryesore të historisë sonë. Si figurë e tillë, ai ka frymëzuar dhe është bërë personazh kryesor i shumë krijimeve. Është vështirë të gjenden personalitete të tilla të shquara nga e kaluara, për të cilët të jetë shkruar aq shumë dhe në vazhdimësi, qoftë në fushën e historisë, të krijimtarisë letrare e artistike, në fushën e studimit të artit luftarak, diplomacisë, etj., si për heroin kombëtar shqiptar, Gjergj Kastriotin – Skënderbeun! […] për ne është e rëndësishme që këtë imazh, këtë portret të tij, ta ruajmë, ta kujtojmë dhe ta t’ua përcjellim te gjeneratat që vijnë pas nesh, si një nga figurat e paprekshme, bazë të identitetit tonë kombëtar.

 

Nga Gjon BERISHA, Prishtinë

 

Viti 2018 që sapo lamë pas, i shpallur nga qeveritë shqiptare, Viti Mbarëkombëtar kushtuar 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, sikur ka shërbyer si nxitje për tu angazhuar institucione, individë, studiues, shoqata e profesionistë për të përkujtuar e nderuar jetën dhe veprën e Heroit tonë kombëtar, në forma të ndryshme: përmes simpoziumeve, konferencave, botimeve, ekspozitave, ngritjes së busteve e shtatoreve etj.

Në këtë frymë festive na vjen edhe kjo vepër artistike, të cilën po e prezantojmë sot, e artistit Luan Tashi, e titulluar “Portrete të Skënderbeut gjatë shekujve”, që në vetvete përfshin rrugëtimin e portretit të Skënderbeut që nga koha sa ishte gjallë, për të arritur në ditët e sotme. Këto portrete të heroit tonë, të përzgjedhura dhe ripunuara nga artisti Tashi, i gjejmë të punuara në pikturë, skulpturë, gravurë etj, të prezantuara në murale, medaljone, buste, libra, monedha, vula, mozaik, vitrazh e deri në ato të ditëve të sotme, në teknikat e format 3D.

Ajo që e bënë të veçantë këtë libër është se i gjithë rrugëtimi i portreteve, është i shoqëruar me të dhëna mbi kontekstin kohor dhe historik të krijimit të tyre, autorin apo autorët dhe fatin që i ka shoqëruar këto portrete deri sot.

Pa dyshim që Gjergj Kastriot Skënderbeu është një nga figurat kryesore të historisë sonë. Si figurë e tillë, ai ka frymëzuar dhe është bërë personazh kryesor i shumë krijimeve. Është vështirë të gjenden personalitete të tilla të shquara nga e kaluara, për të cilët të jetë shkruar aq shumë dhe në vazhdimësi, qoftë në fushën e historisë, të krijimtarisë letrare e artistike, në fushën e studimit të artit luftarak, diplomacisë, etj., si për heroin kombëtar shqiptar, Gjergj Kastriotin – Skënderbeun! 

Skënderbeu dhe qëndresa e tij (1443-1468) ishin kthyer prej kohësh në Evropë edhe shekull pas vdekjes së tij në referenca të rëndësishme politike ushtarake për fatin e vet Evropës. Kjo qëndresë jo vetëm që rriti rolin e prestigjin e tij në elitën princërore evropiane por shërbeu shumë më vonë si kredenciale e admirueshme e shqiptarëve në fatet politike dhe kulturore të kontinentit.

Heroi Kombëtar i shqiptarëve frymëzonte pareshtur edhe shumë vite pas vdekje së tij, artin dhe letërsinë evropiane duke qenë në këtë mënyrë, një hero jo vetëm i shqiptarëve por edhe i gjithë qytetërimit evropian.

Ky mendim për heroin tonë kombëtar i krijuar nga vepra e tij, kishte nxitur imagjinatën e artistëve, shkrimtarëve dhe personaliteteve të kohës në lidhje me atë se si mund të dukej pamja e tij e jashtme.

Pothuajse të gjitha përshkrimet që i janë bërë Skënderbeut, pamjen e jashtme të tij e japin si diçka krejt të jashtëzakonshme. Një përshkrim të jashtëzakonshëm për fizikun e Skënderbeut e kishte bërë edhe historiani francez Falmerajer. Sipas tij, “përveç trimërisë dhe mençurisë, ai e dispononte një forcën fizike, shtat të lartë dhe simetri të mrekullueshme të ndërtimit të trupit. Gjithnjë sipas tij, Skënderbeu ishte një nga shfaqjet (portretet) më të bukur të shekullit të tij.”

Deri më sot nuk kemi dijeni nëse ekziston një përshkrim, qoftë edhe i shkurtër mbi tiparet e fytyrës së Skënderbeut, të hartuar nga ndonjë njeri që e ka njohur atë nga afër. Për këtë arsye studiuesit, artistët, shkrimtarët etj, janë detyruar t’i drejtohen paraqitjes se tij në ikonografi.

Por ikonografia e Skënderbeut është shume e pasur dhe mjaft e larmishme. Sot, kemi trashëguar nga shekujt e kaluar jo pak piktura dhe afreske kushtuar Heroit tonë, të shpërndara në kështjella, në muze dhe në familje evropiane, pa llogaritur qindra gravura që zbukurojnë vepra të botuara në gjuhë të ndryshme, nëpër botë. Por në morinë e portreteve kushtuar Skënderbeut, të cilat vazhdojnë edhe në ditët tona të pasurohen me piktura, afreske ose gravura, madje edhe me skulptura, nuk ka një model të vetëm. Përkundrazi ka një varg modelesh me tipare të ndryshme të fytyrës, natyrisht edhe të veshjeve.

Historianët përmendin portrete të ndryshme, disa prej të cilëve si zbulime të kohëve tona, por cili prej tyre i ka ato atribute që u përmendën më lartë? Çështja është, nëse njëra prej tyre e paraqet, në mos plotësisht, të paktën afërsisht, portretin autentik të Skënderbeut. Këtë çështje e ka diskutuar qysh Faik Konica te revista “Albania” më 1901, në një artikull frëngjisht me titull “A ekziston një portret autentik i Skënderbeut?” Pas diskutimeve të gjata, Konica vjen në përfundim se ai nuk dinte që të kishte arritur në ditët tona një portret autentik i Heroit, i pikturuar kur ky ishte gjallë. 

Diskutimet vazhdojnë edhe sot, duke u përqendruar sidomos në portretin nga galeria Ufizzi e Firencës dhe rreth autorit të mundshëm të tij. Mirëpo, as konstatimi se portreti me autentik i Skënderbeut është ai që njohim nga botimi i parë i veprës së Marin Barletit “Jeta dhe bëmat e Gjergj Kastriotit Skënderbeut”, nuk është dalë të jetë ndonjë konstatim bindës. Megjithatë, Barleti ka meritën e madhe se, ashtu siç është vepruar kudo për personalitetet e shquara para shpikjes së fotografisë, është i pari që nëpërmjet artit figurativ na ka treguar pamjen e Heroit tonë Kombëtar, të cilin artistikisht e ka ngritur më lartë portreti i Galerisë Ufizzi të Firencës.

Për shumë vite ky portret (i cili është në kopertinën e librit që po e prezantojmë, me autor Luan Tashi) konsiderohej me autor anonim, më pas iu dedikua Kristofano Altissimo, sipas disa kritikëve të artit, i realizuar në vitet 1552 – 1556. Në fakt, sipas studiuesve, ky portret i Gjergj Kastriotit nuk është vepër origjinale e Kristofano Altissimos, por kopje e një portreti të mëhershëm dhe pa mëdyshje e Xhentile Bellinin, piktor italian i shkollës së Venecias (1429 – 1507). Mendohet se ky portret është bërë nga Bellini gjatë viteve 1466-1467, ndoshta, gjatë udhëtimit të Skënderbeut në Romë. Ai këtu paraqitet në moshë të shtyrë si duket këtu ndërmori edhe udhëtimin e fundit drejt Italisë.

Merita e Kristofano Altissimo është, se e ka riprodhuar besnikërisht dhe cilësisht portretin origjinal te Bellinit, që ndodhej në koleksionin e famshëm të Paolo Xhiovio në Komo.

Gjatë punimeve restauruese, që u kryen mbi këtë portret në periudhën maj 1993 –1994, u konstatua, se një autor anonim i shekullit XVIII, kishte ndërhyrë mbi pikturë, duke shtuar në pjesën e sipërme mbishkrimin me germa kapitale GEORGIVS SCANDERBEK, me ngjyrë të bardhë. Pas fshirjes së shkronjave të bardha nga restauratori, doli në dritë mbishkrimi i hershëm i piktorit Altissimo: GEORGIVUS CASTRIOTUS SCANDERBECUS, me shkronja të punuara në arë.

Gjatë shek. XV, deri sa Skënderbeu ishte gjallë, janë punuar edhe një sërë portretesh. Nga një autor anonim janë gjetur tre medalje me portretin e Skënderbeut në çerekun e tretë të këtij shekulli (XV) dhe saktësisht midis viteve 1450-1475. Në shtëpinë ku Skënderbeu qëndroi në Romë gjatë vizitës që ai bëri në takimin me Papën u realizua në hyrje të ndërtesës portreti i tij në afresk (në formë medaljoni), me pamje në profil në anën e djathtë dhe me veshje veneciane. Në katedralen e Shibenikut në Kroaci ndodhet një portret në skulpturë i Skënderbeut që u realizua nga artisti i njohur me origjinë shqiptare Andrea Aleksi (1425-1507).

Gjatë shek. XVI-XIX u realizuan një mori portretesh të Skënderbeut, sipas pikturës në Galerinë Uffizi, ose atë bazuar në veprën e Barletit.

Përgjithësisht duhet thëne se piktorët dhe gravuristet, të cilëve, nga fundi i shek. XIX u shtohen skulptorët, u përkasin të gjitha kombeve. Por në to fizionomia e Skënderbeut është tepër e larmishme. Në radhët e tyre vihen re modele të ndryshme, të cilat, në shumë raste, nuk kanë ngjashmëri me njëri-tjetrin. Vetëm një pjesë e vogël i afrohet, kush me shumë e kush me pak, përfytyrimit autentik të Heroit. Kjo ndodh me krijimet e artistëve, të cilët janë mbështetur në gravurat e Vitalit ose të Custos apo në pikturat e Altissimo-s ose te Fontana-s. Të tillë janë, për shembull, portretet që ndodhën në Bibliotekën Ambrosiane (Milan), në Pinakoteken e Seminarit te Monreales (Palerm), në Kolegjin Italo-Arbëresh të Kozencës (Kalabri), mbi portalin e shtëpisë në Vicolo Skanderbeg ne Rome, e në ndonjë tjetër. E njëjta gjë mund të thuhet për gravurat e piktorit anonim të botuar në veprën e Dh. Frëngut, të gravuristëve dhe te artistëve të tjerë

Në kohën e Rilindjes Kombëtare, në veprat e artistëve shqiptar figura e Skënderbeut u bë temë qendrore. Në artin shqiptar të fundit të shekullit XIX dhe gjatë shekullit XX, vërehet që imazhi i Skënderbeut (portreti i tij), ka krijuar gradualisht një klishe tip, që fillimisht bazohej në gravurat kushtuar kësaj figure nga artistë gjermanë, italianë, francezë etj. Kështu do dallonim mjaft qartë që portreti i Skënderbeut në Shqipëri u realizua nga artistët e Rilindjes shqiptarë në dy variante: 1 – sipas tipi të krijuar nga autorë italianë (me veshje veneciane) dhe 2. atij shqiptar me përkrenare mbi krye, që pati dhe përhapjen më të madhe (mbështetur nga një gravure e një autori gjerman të shek. XVI -XVII). Kol Idromeno ka krijuar tri portrete kushtuar Skënderbeut. Portreti i parë i takon vitit 1887, portreti i dytë 1890 dhe portreti i tretë në vitin 1900. Në realizimin e portretit të vitit 1887 Idromeno është mbështetur në portretin e heroit në një nga gravurat që ilustron librin e M. Barletit të viti 1537, kushtuar Skënderbeut . Më tej pothuaj të gjithë artistët shqiptarë të traditës e ata pas viteve 1944 pothuajse “kopjuan” imazhin klishe të Skënderbeut në profil me përkrenaren me kokën e dhisë.

Për fund duhet të themi se, pa marrë parasysh se cili është portreti më autentik apo më i hershmi i Skënderbeut, e rëndësishme është se fama dhe vepra e tij, na ka arrit deri në ditët e sotme. Dhe për ne është e rëndësishme që këtë imazh, këtë portret të tij, ta ruajmë, ta kujtojmë dhe ta t’ua përcjellim te gjeneratat që vijnë pas nesh, si një nga figurat e paprekshme, bazë të identitetit tonë kombëtar.

Krejt për fund, autorit, artistit, Luan Tashit, i urojmë punë të mbarë, suksese dhe vepra tjera! /drita.info

(Fjalë nga promovimi i veprës artistike “Portrete të Skënderbeut gjatë shekujve”, të artistit Luan Tashi, Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani”, Prishtinë, 26 janar 2019)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »