Lajmi i gëzueshëm i Jezusit – Hyji na do pa kushte

Jan 27 • Meditimi i ditës

27 janar 2019 – E diela 3-të gjatë vitit (C), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Neh 8,2-4a.5-6.8-10; Ps 19,8-10.15; 1Kor 12,12-30; Lk 1,1-4; 4,14-21)

 

Prania e Hyjit
Përqendrohem për një moment në frymëmarrjen time, në frymën që është brenda meje, në jetën që është brenda meje, në frymën – jetën – që Zoti ma ka dhënë.

 

Liria
O Zot, më ke krijuar që të jetoj në liri.
Shpesh herë lehtë e pranoj dhe e marrë këtë dhuratë.
Më frymëzo që të jetoj në lirinë që e ke parashikuar për mua,
me një zemër të pangarkuar dhe me një besim të plotë në ty.

 

Ndërgjegjësimi
Kur e ndjej ngrohtësinë e diellin në fytyrë,
jam i/e vetëdijshëm/e për praninë tënde në këtë botë.

 

Fjala
Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.


Lk 1,1-4; 4,14-21


1 Pasi shumë vetë ndërmorën të rendisin tregimin mbi ngjarjet që ndodhën në mesin tonë ‑ 2 ashtu siç na i lanë ata që i panë me sytë e vet që në fillim dhe u bënë mbarështues të Fjalës ‑ 3 e, pasi i shqyrtova hollësisht të gjitha që prej fillimit, vendosa t’i shkruaj për ty, i përndritshmi Teofil, të gjitha me radhë, 4 që të jesh i sigurt për palëkundshmërinë e mësimeve që more.
14 Atëherë Jezusi me fuqinë e Shpirit Shenjt u kthye në Galile dhe u hap zëri për të nëpër mbarë krahinën. 15 Mësonte nëpër sinagogat e tyre i nderuar prej të gjithëve.
16 Jezusi erdhi në Nazaret, atje ku ishte rritur dhe, sipas zakonit të vet, të shtunën hyri në sinagogë dhe u ngrit për të lexuar. 17 I dhanë librin e Isaisë profet. Kur e hapi librin, gjeti vendin ku shkruan:
18‘Shpirti i Zotit është mbi mua
sepse Ai më shuguroi!
Ai më dërgoi t’u kumtoj të vobektëve Ungjillin, t’u shpall robërve çlirimin,
të verbërve dritën e syve;
t’i lëshoj në liri të ndrydhurit,
19të shpall vitin e hirit të Zotit.’
20 E mbylli librin, ia dha shërbëtorit dhe u ul. Të gjithë në sinagogë i drejtuan sytë në të. 21 Atëherë u tha:
“Sot shkoi në vend kjo pjesë e Shkrimit të shenjtë që e dëgjuat me veshët tuaj.”


Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?
Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Viti “i hirit” është një kohë kur Hyji do ta “vizitojë popullin e tij.” Hyji do të vijë dhe do t`i ndryshojë rrethanat ku njerëzit e tij ndodheshin në pamëshirën e armikut. Do t`i lirojë të shtypurit, të burgosurit, do t`i shërojë të pafuqishmit dhe që lëngojnë nga sëmundjet. Ajo do të jetë një epokë krejtësisht e re – Hyji ka për t`i shpëtuar njerëzit nga fatkeqësitë e tyre.
  • Jezusi i porosit dëgjuesit e vet se me ardhjen e tij Hyji e viziton popullin e tij pikërisht tani. Dhe e viziton çdonjërin, në mënyrë të veçantë, që nga ajo ditë e deri më sot.
  • Lajmi i gëzueshëm i Jezusit është se Hyji na do pa kushte: nuk ka te ai “nëse” dhe “ose”. Kur ta pranoj këtë dhe përnjëmend besoj në këtë dhe jetoj sipas kësaj atëherë e fitoj lirinë e zemrës dhe mendjes dhe zbulimin e freskët për të kuptuar mënyrën se si Hyji vepron në jetën tonë.
  • Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta. Dëgjoje tekstin e Ungjillit të sotëm, nëse duhet,disa herë, dhe lejoji vëmendjes sate të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Bashkëbisedimi 
Si e kam përjetuar Fjalën e Zotit? A më ka lënë të ftohtë?
A më ka ngushëlluar apo nxitur të veprojë më ndryshe?
E paramendoj Jezusin ndenjur apo ulur pranë meje,
i drejtohem dhe i tregoj hapur se si po e ndiej veten.

 

Përmbyllja
Po të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty. Çka po thua Zot këtu duhet ta marrim personalisht. Ti po thua: “Ti je ai/ajo që të kam zgjedhur për t`ua sjellë sot lajmin e mirë të varfërve dhe të shtypurve. Shpirti Shenjt është me ty. Unë po të dërgoj!” Fjalët që ti, Jezus, vetë i ke aplikuar te vetvetja të japin identitet. Po e pyes veten: A më japin edhe mua?
Shpirti Shenjt i Hyjit, ti je forcë e gjallë në fjalët e ungjillit që i shpallim. Ti je fryma që ua solli të tjerëve mesazhin lidhur me Jezusin. Detyra jonë është që të shpallim ty. Kjo ka vlerë përkundër të gjitha problemeve që jeta mund të na sjellë. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »