Bota shpirtërore e të rinjve

Jan 28 • Bota e të rinjve

Nga Mihály Szentmártoni

 

Nëse pjekurinë e të rriturve e kuptojmë si përgjegjësi për vetën, atëherë të rinjtë janë ende në rrugë kah kjo pjekuri. Në këtë rrugë ekzistojnë detyrat dhe gabimet, realizimet dhe krizat. Nëse duam t’i kuptojmë të rinjtë, duhet të angazhohemi që t’ju bashkëngjitemi në këtë rrugë të kërkimit të identitetit të tyre.

 

Rrugët e vetëpavarësimit

Sipas Eduaard Spranger, shndërrimi dinamik i personave të rinj është i përqendruar në tri detyra të mëdha: zbulimi i unit personal, ndërtimi i projektit jetësor dhe gjetja e vendit në mjedisin konkret shoqëror. Këto janë thjeshtë detyra objektive, të cilat u imponohen të rinjve në epoka të caktuara të jetës dhe veprojnë si forca të motivit dinamik e të cilat e lëvizin nga fëmijëria kah pjekuria.[1]

Zbulimi i unit personal nënkupton zbulimin e atyre cilësive të cilat një person e bëjnë origjinal dhe të ndryshëm prej të tjerëve. Adoleshentët i karakterizon një përbrendësim i caktuar, të dhënët pas vetvetes, një gjurmim i botës së tyre të brendshme. Kjo kahe për në brendësi ka edhe shenjat e veta të dukshme.

Para së gjithash duhet të përmendim atë mbyllje në vete, e cila është tipike tek adoleshentët. Çdo problem i adoleshentit ka në vete vulën e unit të tij. Në këtë kuptim është shumë interesante të vështrojmë dallimin mes filozofisë së të rinjve dhe filozofisë së fëmijëve. E kemi të njohur se edhe fëmijët e vegjël dinë të shtrojnë pyetje shumë serioze, në mënyrë të veçantë për sa i përket kuptimit të jetës. Porse në shtrimin e pyetjeve të këtilla ekziston dallim i madh mes fëmijëve dhe të rinjve. Fëmija pak a shumë kështu e formulon pyetjen e vet: “Ku kam qenë para se të lindsha?” apo “Çka kam qenë para ekzistimit tim?”. Këto pyetje ende nuk gjurmojnë misterin e ekzistencës personale të fëmijës – kjo për të është një fakt në vetvete i kuptueshëm – porse atij i intereson më tepër realiteti objektiv. E kundërta tek të rinjtë, pyetjet e tyre kanë të bëjnë pikërisht me vlerën personale dhe gjurmojnë kuptimin e jetës së tyre: “Pse, thjesht, ekzistoj?”, “Pse ja vlen të jetohet?”, “Cili është kuptimi i jetës sime”, etj.

Adoleshenti ballafaqohet me problemin e rëndë të të dhënit kuptim jetës së vet. Është kjo një epokë e jetës kur shqyrtohet misteri i njeriut. Gati mund të themi se kemi të bëjmë me një përthellim metafizik. Kjo është koha kur të rinjtë shkruajnë ditarët e tyre të fshehta (e kemi të njohur Ditarin e Ana Frank) apo ndoshta koha e letrave të mëdha në stilin e një monologu të gjatë e të pambarim, e tek disa shfaqen tendencat që ndjenjat e tyre t’i shprehin në formën e këngës. Pikërisht për shkak të shqyrtuarit të misterit, fshehtësisë, të rinjtë në këtë kohë kanë ndjenjën e theksuar për mbinatyroren, për transcendencën. Rreth viteve 15 apo 16 ka shumë kthime rinore, e në këtë moshë lindin thirrje meshtarake dhe rregulltare. Është damë që shumë të rritur më vonë e harrojnë këtë epokë të jetës kur qëndronin të mahnitur dhe të magjepsur para misterit të shenjtë të njeriut dhe të jetës. Nëse më lejohet të them: në kohën e pjekurisë, ekzistencën tonë e marrim si diçka të mirëqenë, si diçka që është e vetëkuptueshme dhe nuk dimë më të adhurojmë Krijuesin e të gjitha gjërave.

Megjithatë, duket se po i njëjti përjetim shfaqet, natyrisht me një përmbajtje të ndryshme, edhe tek te rriturit, atëherë kur njeriu arrin deri te ajo pikë e thyerjes në jetën e vet, që shpesh e quajmë krizë e moshës së pjekur (diku mes viteve 40 dhe 50). Atëherë njeriu prapë e analizon vetveten, tani me një theks në të kaluarën e vet, në rrugën e tij të kaluar. Këtu qëndron dallimi mes krizës së adoleshentëve dhe kizës së moshës së pjekur, të rritur: adoleshenti është i preokupuar me trishtim para ardhmërisë, kurse i rrituri me barrën e përjetimeve të së kaluarës. Përsëri shtrohen pyetjet ekzistenciale: “Çfarë ishte kuptimi i jetës sime të deritanishme?”, “A ja vlen të luftosh dhe të punosh edhe më tutje?”.

Shenja tjetër e jashtme e pjekurisë shpirtërore e të rinjve është pasioni për aventura (bredhje). Pasionin e marrim këtu në kuptimin figurativ, sepse është e qartë se nuk kemi të bëjmë me një nevojë të lindur, por për një shqetësim të caktuar që i karakterizon përherë të rinjtë për të shkuar larg shtëpisë, për të udhëtuar. Kjo bredhje e jashtme është simbol edhe i kërkesës nevojë të brendshme për të shkëputur të gjitha ato lidhje të cilat e pengojnë për të qenë një person i vetëpërcaktuar, autonom.

Ndjeshmëria e theksuar, të qenit i lëndueshëm, karakteristikë tek të rinjtë që është po ashtu manifestim i procesit të pjekurisë. Mandej, nevoja për ta respektuar, për të qenë i pranueshëm, i tërheqtë rinjtë përsëri të jenë në mesin e njerëzve. Por këtu në plan të parë qëndron gjithnjë ai, jo personi tjetër. Do të jetë dikush, jo vetëm të provojë por edhe ta argumentojë atë. Për këtë arsye kjo epokë është koha e ëndrrave të mëdha, ideve mesianike, me të cilat do të magjeps botën dhe njerëzit.

Së fundi, është autonomia, nevoja e emancipimit, një shenjë e personaliteti që po lind. Adoleshenti e braktis figurën që tjerët e kanë krijuar për të, e si pasojë edhe ato qëllime që tjerët i kanë përcaktuar. Tani ai e sfidon vetveten – në fakt, ky është qëllimi i tij. Eksperimenton me vetveten. Ja pse për shumë marrëzira rinore kot kërkojmë të gjejmë arsyet, sepse ato nuk i gjënë.

Detyra e dytë madhore për adoleshencën është gjetja e qëllimit të jetës. Megjithatë, këtë nuk duhet ta njëjtësojmë me përcaktimin e thirrjes, vokacionit. Tani për tani, bëhet fjalë për orientimin bazë, porse e njëjta do të ketë pasoja për gjithë jetën. E rëndësishme është të hetojmë atë nevojë të brendshme që e lëvizë këtë kërkim. Një fëmijë e përjeton jetën si një kronologji ngjarjesh të palidhshme mes veti, sepse atij i mungon “vetëdija e tërësisë”, ndjenja e lidhshmërisë, për të përbashkëtën. Edhe koha për të është e pakufishme. Shikuar në aspektin subjektiv, asnjë periudhë e jetë nuk duket më e gjatë për fëmijën se vetë fëmijëria. Ai ende nuk mendon për ardhmërinë, por e jeton të tashmen. Thënia se fëmijëria ka kaluar shpjet, është një frazë e të rriturve. Në fakt, asnjë fëmijë nuk është i aftë ta mendon vetën si person të rritur. Kurse në adoleshencë, hapen perspektiva të reja të kohës: i riu fillon të mendojë dhe të veprojë në kategori të tërësisë. Gjithçka që mund të futet e të ndërtohet në këtë tërësi mbetet vlerë e përhershme, si pjesë e tij. Problemi qëndron në atë se adoleshenti, këtë tërësi, tani për tani, e kërkon në vetvete e jo tek plani krijues objektiv në botë. Kjo është koha kur lindin idealet.

Kur i kemi parasysh këto të dhëna, atëherë mund të kuptojmë ato shkëputje të radikale të adoleshentëve me ata persona dhe ato vlera që i kanë menduar përpara të paprekshme dhe të vetëkuptueshme, siç mund të jenë: ritualet familjare (nuk duan më lutje të përbashkëta), detyrimet fetare (deri tani ministrant, përnjëherë nuk shkon më në kishë), etj. Megjithatë, ky nuk është një vendim i përnjëhershëm, por një arritje logjike e një procesi të caktuar, kuptimin e të cilit e gjejmë te dëshira e të riut që të bëhet zot i jetës së vet.

Së fundi, detyra e tretë madhore e adoleshencës është të gjesh vendin tënd në rrethin konkret të shoqërisë. Natyrisht, adoleshenti edhe deri tani ka jetuar në të njëjtin rreth, ambient, por ky ambient ka qenë i dhënë, kurse tani duhet të bëhet një realitet i pranuar. Ky është një proces i gjatë, e si përfundim është kalimi në moshën e pjekur. Në vazhdim do të analizojmë pikërisht këtë proces të transformimeve dinamike të shpirtit rinor drejt pjekurisë personale./drita.info

 

*Është jezuit, psikolog dhe atë shpirtëror, me një përvojë të gjatë në fushën e konsultave psiko-shpirtërore. Aktualisht është profesor i psikologjisë në Universitetin Papnor Gregoriana në Romë. 

Ky shkrim është pjesë e librit të tij të njohur për të rinjtë në gjuhën kroate: “Svijet mladih. Psihološke studije”, i botuar në Zagreb, në vitin 2007. Libri është në proces të përkthimit në gjuhën shqipe nga Don Shtjefën Dodes & Don Fatmir Koliqi.

 

———–

[1] Khs. E. SPRENGER, Psychologie des Jugendalters, Heidelberg, 1966, f. 46 dhe ff në vazhdim.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »