Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë komuniste sipas dosjeve të diplomacisë zvicerane (II)

Jan 28 • Histori, Kulturë

Nga Zef AHMETI, Zvicër

 

II. Kolonia e fundit zvicerane në Shqipëri dhe ambasada jugosllave si përfaqësuese interesave shqiptare në Zvicër

 

Konsullata zvicerane në Trieste i shkruan Departamentit Politik, më 12 maj 1947, dhe pyet për koloninë e fundit ekzistuese zvicerane në Shqipëri, për të cilën deri në atë kohë ishte kujdes kjo përfaqësi, dhe si do duhej të vepronte më tutje. Bëhej fjalë për gjashtë persona: Baltischwiler Emil (e lind. 1894), Ebener Giulia (1894), Hartel Ernesto (1879) dhe fëmijët e tij Hartel Ernesto (i lind. 1903), Hartel Fernanda (e lind. 1915), Pavillard Marta Alice (1904).[1] Për Departamentin Politik në atë kohë e në ato rrethana një kujdes për qytetarët zviceranë që jetojnë në Shqipëri nga Triesta nuk ishte e realizueshme dhe praktikisht e pamundur. “Duke pasur parasysh rrethanat e veçanta që e lidhin Shqipërinë me Jugosllavinë, ne do ta konsideronim më të sigurt që ju të kujdeseni për bashkatdhetarët që jetojnë në Shqipëri “, i shkruan Berni ambasadës zvicerane në Jugosllavi, më 10 qershor 1947.[2] Berni dëshironte që misioni diplomatik në Beograd t`i kontaktojë njerëzit e përmendur më lart për të verifikuar nëse ata ishin ende në Shqipëri, si dhe “nëse është e nevojshme të kërkoni nga kolonia e vogël që të caktojë një personi të besueshëm për të kryer funksione të caktuara konsullore si regjistrimi, vazhdimin e pasaportës, përcjellja e raporteve të gjendjes civile etj.“[3] Berni donte jo vetëm që të mbajë marrëdhënie të brendshme me qytetarët e sajë në Shqipëri dhe të kryejë veprimet e nevojshme zyrtare, për më tepër ishte e dëshirueshme: “Nëse [përfaqësia zvicerane] nëpërmjet ndërmjetësimit të Ambasadës Shqiptare në Beograd ju mund të përdorni autoritetet shqiptare për mbrojtjen e këtyre zviceranëve dhe, rast pas rasti, edhe për mbrojtjen e interesave të Zvicrës.“[4] Berni i jep udhëzime përfaqësisë se si duhet të veproj. Së pari ajo duhet t’i drejtohet ambasadës shqiptare në Beograd me një kërkesë për të marrë pëlqimin e autoriteteve shqiptare se përfaqësia zvicerane de facto merr përsipër kujdesin e kolonisë zvicerane në Shqipëri dhe në këtë mënyrë t`i mbroj interesat zvicerane rast mbas rasti. Për shkak se Zvicra kishte dhënë pëlqimin për përfaqësimin de facto të interesave të shqiptarëve në Zvicër nga Jugosllavia,[5] Berni nuk dyshonte, se dëshira e Zvicrës nuk do pranohej pozitivisht nga pala shqiptare. Në të njëjtën shkresë thuhet më tutje: “Qasja jonë, madje edhe përgjigjja pozitive ndaj kërkesës për mbrojtjen e interesave shqiptare në Zvicër nga ambasada jugosllave, pa dyshim do të thotë nga ana e Zvicrës njohje e ekzistencës së shtetit shqiptar dhe, në njëfarë kuptimi, njohje de facto të qeverisë së saj. Ne e pranojmë këtë pasojë duke marrë parasysh ekzistimin e interesave të ndërsjella dhe duke pasur parasysh rrethanat e përgjithshme ekzistuese. Nga ana tjetër, për momentin nuk kemi arsye për ta njohur de jure qeverinë Hoxha ose për të ndërmarrë hapa për të vendosur marrëdhënie normale diplomatike me këtë qeveri.“[6] Meqë kjo shkresë për informim i dërgohet edhe ambasadës zvicerane në Greqi, kjo e fundit reagon me një përgjigje të dt. 18 qershor 1947[7] drejtuar Departamentit Politik (ministrisë së jashtme zvicerane) dhe shpreh shqetësimet e saja: “…kërkesa qeverisë shqiptare për kujdesie de facto të kolonisë zvicerane në Shqipëri nga ambasada jonë në Beograd është jo vetëm njohje aktuale e ekzistencës së shtetit shqiptar por do të thotë – jo vetëm në “njëfarë kuptimi” – por në mënyrë efektive, të paktën njohje de facto e qeverisë së saj… Do ishte e nevojshme edhe të shtrohet pyetja nëse procedura e propozuar nga ju legatës zvicerane nuk implikon një njohje de jure – një njohje e cila, pavarësisht rezervave të mia të shprehura më parë (shih letrën time të 11 korrikut 1946), do të jetë e vështirë për ta anashkaluar për një kohë të gjatë, pasi Shqipëria është pranuar të jetë nënshkruese e traktatit të paqes me Italinë.“[8]

Lidhur me përfaqësimin e interesave shqiptare në Zvicër, ministri (ambasador) jugosllav në Bernë i shkruan shefit të Departamentin Politik, z. Max Petitpierre, më 16 maj 1947, dhe e informon atë, se qeveria e republikës popullore të Shqipërisë ka kërkuar nga qeveria e republikës popullore federale e Jugosllavisë që të marrë përsipër mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të shtetasve shqiptarë në Zvicër dhe se qeveria jugosllave e ka pranuar propozimin e Shqipërisë dhe se ka marrë udhëzimin ta informoj qeverinë e Zvicrës se përfaqësia e Republikës Popullore Federale të Jugosllavisë në Bernë, tani e tutje është përgjegjëse për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të shtetasve shqiptarë në Zvicër.[9]

Departamenti Politik (DP) konfirmon se ambasadori jugosllav në Bernë ka njoftuar synimin e qeverisë jugosllave për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e shtetasve shqiptarë në Zvicër me kërkesën e qeverisë shqiptare dhe se DP e informoi ambasadorin jugosllav më 22 maj se – pa marrë një qëndrim përfundimtar mbi këtë çështje – nuk ka asnjë kundërshtim që përfaqësia e Jugosllavisë de facto të kujdeset për interesat shqiptare në Zvicër.[10]

Sipas udhëzimeve nga Berna, ambasada Zvicrës kontakton përfaqësuesin shqiptar në Beograd dhe ia shpreh dëshirën e Bernës. Ndërsa ministri shqiptar në Beograd, Tuk Jakova, ishte në Tiranë, diplomati zviceran këtë dëshirë të Bernës ja shpreh sekretarit të parë të ambasadës shqiptare, Peço Kagjini.[11] Ky i fundit premton të konsultohet me qeverinë shqiptare dhe sapo të marrë një përgjigje ai do të informojë ambasadën zvicerane.[12] Në Zvicër në të njëjtën kohë bëhen përpjekje për të konstatuar nëse personat e përmendur nga konsullata zvicerane në Trieste janë kthyer në Zvicër.[13]

Në përgjigjen e Departamentit Politik (18 gusht 1947) lidhur me informatën prej ambasadës në Beogradit thuhet, se ka marrë parasysh me interes informimin e bisedimeve me Ambasadën Shqiptare në Beograd në funksion të përfaqësimit de facto të interesave të Zvicrës në Shqipëri sipas propozimit të DP-së dhe sapo të vije përgjigja e qeverisë shqiptare për kërkesën të njoftohet menjëherë Departamenti Politik (DP).[14]Sa i përket çështjes së bashkatdhetarëve që ende mund të jenë në Shqipëri, DP thekson se nga dosja e tyre nuk shihet, që sipas raportit të përfaqësisë zviceran në Beograd, të vetmet femra zvicerane që janë në pyetje, zonjusha Julia Ebener dhe zonjusha Pavillard, të jenë ende në Shqipëri apo ndërkohë të jenë kthyer në Zvicër. DP njofton më tutje se i është drejtuar qendrës federale për diasporën zvicerane që të marr informacione prej Ernst Härtel, i kthyer nga Tirana në fillim të vitit të kaluar, nëse është e mundur që ai të mund të tregoj diçka për dy zviceranet në fjalë. Dhe posa të marrim përgjigje do ju njoftojmë, thuhet më tutje në letër.[15] Më 28 gusht 1947 ministria e jashtme zvicerane (DP) e informon përfaqësinë e saj në Beograd, se ajo pas sqarimeve të bëra del se vetëm edhe për zonjushën Marta Pavillard nuk dihet nëse e ka lëshuar apo ndodhet ende në Shqipëri.[16]Një muaj më vonë, 26 shtator 1947, DP i drejtohet përfaqësisë në Beograd dhe e informon për koloninë zvicerane në Shqipëri dhe Ernst Hartel, i cili deri me 1946 ka qenë në Shqipëri, i ka treguar ministrisë së jashtme, se ai nuk ka njohuri për vendndodhjen e zonjushës Pavillard. Ai atë e ka parë për herë të fundit me 1 gusht 1942 në restorantin e tij në Tiranë dhe se që nga ajo kohë nuk ka dëgjuar diçka prej saj. Ai ka shtuar, se sipas atij, nuk mund të pritet që ajo të mund të ndodhet ende në Shqipëri pasi që, nga përvoja që ka pas me rastin e arrestimit dhe depërtimin të tij nuk është e mundur që organet kompetente të vendit t`ia kenë mundësuar një zviceraneje të qëndroj edhe më tutje në Shqipëri.[17]

Hapi dhe rekomandimet e DP drejtuar përfaqësisë në Beograd nxitën përfaqësinë zvicerane në Rumani për t’iu drejtuar DP dhe të pyes nëse vërtetë lajmi që u dha në shtypin e Bukureshtit, se trupi diplomatik është përforcuar me një ministër të ri për Shqipërinë dhe se do të ishte mirë të informohej përfaqësia zvicerane në Rumani.[18] Për shkak se me gjasë kontakti ndërmjet përfaqësuesit të Zvicrës dhe sekretarit të parë të përfaqësisë shqiptare në Beograd kishte shpie në keqkuptime në lidhje me atë nëse kjo ishte njohje ose jo, përfaqësia zvicerane në Rumani kishte pranuar një kopje të përgjigjes nga DP ku i përgjigjet se: “M. Kagjini, à titre personnel, et sans vouloir rendre compte par-là de l’attitude de son Gouvernement, a exprimé l’avis qu’un échange de notes entre les deux Légations visant à expliciter, d’un commun accord, l’entente pratique des deux Légations, et partant, des deux Gouvernements, en ce qui concerne la défense des intérêts suisses en Albanie, lui paraissait superflu. Il existaient de bonnes relations entre la Légation de Suisse et la Légation d’Albanie; un usage s’était établi, point n’était besoin, à son sens, de le mieux définir. Il n’était d’ailleurs pas impossible que son Gouvernement répondît à l’aide-mémoire remis l’an dernier par M. Martin à sa Légation.

Tout en pensant que l’envoi d’une note de rappel à la Légation d’Albanie, par laquelle nous reviendrons sur la conversation qu’avait eue M. Martin avec M. Kagjini en 1947 ainsi que sur l’aide-mémoire présenté alors, ne serait pas inopportun, je pense qu’il ne serait pas indiqué que nous marquions trop d’empressement, – si la Suisse n’a pas l’intention de reconnaître, dans un avenir plus ou moins éloigné, l’Etat albanais – à demander la confirmation, en bonne et due forme de l’usage existant. A l’appui de cette opinion, je tiens encore à rappeler que les intérêts suisses en Albanie sont absolument minimes et que toute la colonie suisse, selon toute évidence, a quitté ce pays.[19] 

Përderisa ambasada zvicerane dhe Departamenti Politik (DP) fillojnë të diskutojnë me ambasadën shqiptare çështjen e përfaqësimit zviceran për Shqipëri, pa pranuar qeverinë shqiptare, marrëdhëniet midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë u përkeqësuan, kështu që në përgjigjen e DP për përfaqësinë zvicerane në Beograd thuhet, se duke pasur parasysh marrëdhëniet aktuale të tensionuara midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë, do të ishte më mirë që përfaqësia zvicerane të mos merrte një qëndrim përfundimtar në këtë kohë dhe, nga ana tjetër, nuk do të kundërshtohej për dërgimin e një note kujtese përfaqësisë shqiptare për t’ia kujtuar asaj marrëdhëniet e mira që ekzistojnë midis përfaqësisë së Zvicrës dhe asaj shqiptare në Beograd dhe duke pohuar se ajo zvicerane është e autorizuar të vazhdoj t’i adresoj kësaj përfaqësie kërkesat në lidhje me mbrojtjen e interesave në Shqipëri.[20]

Ngjarjet e njohura të pranverës së vitit 1948 rezultuan me një ndërprerje të papritur të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Tiranës dhe dorëheqjen e palës jugosllave nga detyra e përfaqësimit të interesave shqiptare në Zvicër. Më 3 tetor 1948 përfaqësia jugosllave informon DP, se nuk do t`i marrë më në mbrojtje interesat e Shqipërisë në Zvicër.[21] Me 13 tetor 1948 Departamenti Politik informon përfaqësinë e sajë në Beograd, se Jugosllavia me shkresën e dt. 3 tetor 1948 e ka njoftuar ministrinë e jashtme të Zvicrës (DP), se ky vend nuk do t`i përfaqësoj më tutje interesat shqiptare në Zvicër.[22]

DP i kërkon ambasadës Zvicerane që ajo për momentin t`mos ia përkujtoj ambasadës shqiptare në Beograd çështjen e hapur të përfaqësimit të interesave të Zvicrës në Shqipëri dhe se ajo (ambasada zvicerane) njëherë duhet të pres. DP shprehet se kjo qasje është më e rëndësishme sesa interesat zvicerane në Shqipëri, të cilat janë shumë të vogla.[23] Dhjetë ditë më vonë në një përgjigje konfidenciale lidhur me këtë temë nga ambasada zvicerane në Beograd drejtuar ministrisë së jashtme zvicerane (DP) thuhet: “Natyrisht pasojat fundit të kontekstit jugosllav-shqiptar nuk kanë kurrfarë ndikimi në marrëdhëniet e mira që mban përfaqësia (zvicerane) këtu me përfaqësinë shqiptare. Prandaj mund të supozohet se nuk do të pengoj asgjë në përfaqësimin de facto të mëtejshëm të interesave zvicerane në Shqipëri nga ambasada (zvicerane) në përputhje me praktikën deritanishme. Megjithatë duhet potencuar, se në këtë situatën e re një prej pikave të referimit të asaj kohe, tashmë është e pavlefshme.[24]Në telegramin e Bernës drejtuar ambasadës së sajë në Beograd me dt. 9.10.1948 thuhet: “Nuk kemi ndërmend nga ne ta ngrisim çështjen e përfaqësimit të interesave shqiptare në Zvicër. Për këtë të priten hapat e Shqipërisë. Përkitazi me interesat zvicerane në Shqipëri veproni si deri me tani.“[25] [sic]/drita.info

-vazhdon –

Fotografia në ballinë nga Kastriot Dervishi (FB)

 

——————–

[1] Dosja: Vertretung albanischer Interessen durch Jugoslawien in der Schweiz (p. B. 22. 10. 1. Alb.), CH-BAR E2001E 1976-17 1082; shkresa e cekur këtu: CH-BAR E2001E 1976-17 1082 35.

[2] E njejta dosje, letra: CH-BAR E2001E 1976-17 1082 31.

[3] Po aty.

[4] Po aty.

[5] Shiko më poshtë.

[6] Po aty.

[7] E njejta dosje, letra: CH-BAR E2001E 1976-17 1082 29.

[8] Po aty.

[9] Po aty, Le Ministre da’ Yougoslavie a la Monsieur Max Petitpierre Conseiller Fédéral Chef du Département Politique, Berne, le 16 mai 1947, në: CH-BAR E2001E 1976-17 1082 34. “Le Gouvernement de la République populaire d’Albanie a prié le Gouvernement de la République fédérative populaire de Yougoslavie de se charger de la protection des droits et intérêts des ressortissants albanais en Suisse.

Le Gouvernement de la République fédérative populaire de Yougoslavie a accepté la proposition du Gouvernement de la République populaire d’Albanie et m’a ordonné de porter à la connaissance du Gouvernement Suisse que la Légation de la République fédérative populaire de Yougoslavie à Berne est chargée dorénavant de la protection des droits et intérêts des ressortissants albanais en Suisse.

[10] Po aty, EPD (p.B. 22.10.I.Alb. – XA.), konfidenciale, Bern, 12 qershor 1947, në: CH-BAR E2001E 1976-17 1082 30.

[11] Po aty, legata zvicerane në Jugosllavi drejtuar departamentit Politik, 23 korrik 1947, në: CH-BAR E2001E 1976-17 1082 16.

[12] Po aty, letra: CH-BAR E2001E 1976-17 1082 26.

[13] Po aty, letra: CH-BAR E2001E 1976-17 1082 25

[14] Po aty, letra e Departamentit politik drejtuar ambasadës zvicerane në Beograd, 18 gusht 1947 , në: CH-BAR E2001E 1976-17 1082 24, letra e qendrës federative për diasporën zvicerane drejtuar Departamentit Politik, , 21 gusht 1947, CH-BAR E2001E 1976-17 1082 21.

[15] Po aty, CH-BAR E2001E 1976-17 1082 24.

[16] Po aty, letra i dërgohet edhe përfaqësisë në Athin dhe konsullatës në Triest, në: CH-BAR E2001E 1976-17 1082 19.

[17] Po aty, CH-BAR E2001E 1976-17 1082 18.

[18] Po aty, legata zvicerane në Rumani drejtuar Departamentit politik, 16 qershor 1948, në: CH-BAR E2001E 1976-17 1082 15.

[19] Po aty, ministri zviceran në Jugosllavi, Zellweger, drejtuar Departamentit Politik, 14 korrik 1948 në: CH-BAR E2001E 1976-17 1082 13.

[20] Po aty, Departamentit Politik drejtuar legatës zvicerane në Beograd, 31 korrik 1948, në: CH-BAR E2001E 1976-17 1082 12, krhs. po ashtu: CH-BAR E2001E 1976-17 1082 11. „Etant donné les relations actuellement tendues entre l’Albanie et la Yougoslavie, il serait en effet préférable de ne pas prendre une décision définitive en ce moment. En revanche, nous n’aurions rien à objecter contre l’envoi d’une note de rappel à la Légation d’Albanie faisant état des bonnes relations existant entre le Légation de Suisse et la Légation d’Albanie à Belgrade, et demandant à ce que vous soyez autorisé à continuer d’adresser à cette dernière Légation les demandes concernant la défenses des intérêts que nous pouvons encore avoir en Albanie.“

[21] Po aty, letra e përfaqësisë jugosllave drejtuar Departamentit Politik, 3 tetor 1948, në: CH-BAR E2001E 1976-17 1082 8. “En se référant à la lettre de Son Excellence Monsieur Milan Ristić, Ministre de Yougoslavie en Suisse, no. 345 du 16 mai 1947, et à la lettre de Son Excellence Monsieur Max Petitpierre, Conseiller fédéral, p.B. 22.10.1-Alb. Xa du 22 mai 1947. la Légation de la République Fédérative Populaire de Yougoslavie à Berne a l’honneur de porter à la connaissance du Département Politique Fédéral que, d’ordre de son Gouvernement, elle a cessé de se charger de la protection des droits et des intérêts des ressortissants albanais en Suisse.“

[22] Departamentit Politik drejtuar legatës zvicerane në Beograd, 13 tetor 1948, në: CH-BAR E2001E 1976-17 1082 7.

[23] Po aty, Departamentit Politik drejtuar përfaqësisë zvicerane në Beograd, 9 shtator 1948, në: CH-BAR E2001E 1976-17 1082 9 dhe CH-BAR E2001E 1976-17 1082 10.

[24] Po aty, letra: CH-BAR E2001E 1976-17 1082 4.

[25] Po aty, telegrami në: CH-BAR E2001E 1976-17 1082 5.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »