Paralajmërim dhe premtim

Jan 28 • Meditimi i ditës

28 janar 2019 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Heb 9,15.24-28; Ps 98,1-6; Mk 3,22-30)

 

Prania e Hyjit

Për të hyrë në praninë e dikujt nevojitet që me sinqeritet t`i afrohem i tillë siç jam.
Në këtë moment, Hyji është këtu dhe më pret.
Hyji më afrohet gjithmonë i pari, dëshiron të më njohë më shumë se miku im më i miri.
Do të ndalem një moment dhe do ta përshëndes Hyjin që më do.

 

Liria

O Zot, ma jep hirin që të jem i lirë nga ekseset dhe teprimi.

Mos lejo që të më robërojnë dëshira për posedim dhe pasuri.

Ma ruaj mendjen dhe zemrën të lira që të dua dhe të shërbej ty.

 

Ndërgjegjësimi

E di që Zoti më do pa kushte.

Për këtë arsye me sinqeritet e vështroj ditën që po kalon, ngjarjet dhe përjetimet.

A ekziston diçka që duhet të jem mirënjohës? Atëherë do të them: faleminderit, o Zot.

Diçka që ndihem fajtor? Atëherë do të lus për falje.

 

Fjala

O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;

Ke ecur dhe ke punuar mbi këtë tokë; ke duruar vapën dhe të ftohtët.

Kohën e kalove në tokë duke u përkujdesur për njerëz.

Ke shëruar të sëmurë, ke ngjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.


Mk 3,22-30

 

22 Kurse skribët që zbritën nga Jerusalemi, thoshin:

“E ka në trup Beelzebulin e me anë të kryetarit të djajve i dëbon djajtë”

23 Ai i thirri t’i afrohen dhe filloi t’u flasë me shëmbëlltyra:

“Si është e mundur që Djalli ta dëbojë djallin. 24 Në qoftë se një mbretëri çohet kundër vetvetes, ajo shkatërrohet. 25 Po ashtu edhe ajo shtëpi që çohet kundër vetvetes, shkatërrohet. 26 Nëse, pra, Djalli çohet kundër vetvetes dhe përçahet, ai shpartallohet ‑ i erdhi fundi! 27 Dhe dihet që s’ka njeri që mund të hyjë në shtëpinë e të fortit dhe t’ia marrë plaçkat pa e lidhur atë më parë. Vetëm atëherë mund t’ia plaçkisë shtëpinë.

28 Për të vërtetë po ju them: njerëzve do t’ju falen të gjitha mëkatet e blasfemitë, me të cilat do të blasfemojnë, 29 por kush ta shajë Shpirtin Shenjt, ai s’do të ketë falje për amshim; është fajtor i një mëkati të përhershëm. 30 Sepse thoshin: “Ka qoftëlargun në trup!”


Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?
Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Mund të jetë pak e vështirë ta dëgjosh këtë paralajmërim për rrezikun e një shtëpie të ndarë, të çuar kundër vetvetes. A po ma kujton ky paralajmërim ndonjë ndarje që e di në botën përreth meje që janë të panevojshme, destruktive apo të turpshme?

·                     Megjithatë, ashtu si një paralajmërim, këtu është edhe një premtim, se një fuqi më e madhe ka hyrë në botë, një fuqi më e madhe sesa forcat e ndarjes dhe urrejtjes. Cilat shenja të kësaj fuqie më të madhe mund t’i njoh në botën rreth meje dhe në jetën time?

·                     Ndërsa e dëgjoj fragmentin e ungjillit të Markut përsëri, a mund ta dëgjoj premtimin e Jezusit për diçka radikale që është duke ndodhur dhe ta dëgjoj atë si të rëndësishme për rrethanat e mia, jetën time?

 

Bashkëbisedimi

Çfarë mund të bëj në rrethanat e jetës sime, për ta kapërcyer ndarjen? A mund të flas me Zotin tani për atë që ndoshta jam i/e thirrur për të bërë për të ndërtuar dhe për të bashkuar, për të qenë një instrument shërimi dhe pajtimi?

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty. O Zot, ti na ke dashur i pari, ndërsa ne ende ishim mëkatarë. Falja që ti, o Jezus, na jep është pa kushte. Ti thua se në qoftë se të refuzon shoqëria, dije se Hyji të pranon. Kur askush tjetër nuk ta fal turpin, ndjeje mbi vete faljen e pashtershme të Hyjit. Atë ti nuk e meriton, ajo është dhuratë e kulluar – pranoje atë!

Ka nga ata që më kanë lënduar. O Zot, mos i mbaj mëkatet e tyre; ata janë të çmueshëm në sytë e tu, kështu që po t`i dorëzoj ty. Mos m`i mbaj mëkatet e mia, dhe në qoftë se  dua të jem afër teje, s`më mbetet asgjë tjetër, pos t`i falë ata. Duhet t`ua dua të mirën pa marrë parasysh dhimbjen që më shkakton. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »