Cilat vlera dëshiroj të ma udhëheqin jetën time të përditshme?

Jan 29 • Meditimi i ditës

29 janar 2019 – E martë, Shën Tomë Akuini, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Heb 10,1-10; Ps 40,2.4ab.7-8a.10-11; Mk 3,31-35)

 

Prania e Hyjit

Shpirti im shumë e dëshiron praninë tënde, o Zot.

Kur i drejtoj mendimet e mia kah ti,

e gjej paqen dhe pushimin.

 

Liria

Hyji më do pa kushte,
Dhe më tërheq pas çdo gjëje që është e mirë,
Duke më sjellë në plotësinë e jetës.
I kërkoj Shpirtit Shenjtë që të ma hapë zemrën time,
Në këtë mënyrë mund t`i përgjigjem lirshëm
lëvizjes së Shpirtit në jetën time.

 


Ndërgjegjësimi

“Kush i ka urdhërimet e mia dhe i mban, ai më do; dhe atë që më do mua, do ta dojë edhe Ati im, edhe unë do ta dua dhe do t’i dëftohem”, thotë Zoti.

Kur i dëgjoj këto fjalë – ju kushtoj gjithë vëmendjen – i dëgjoj me mendje e zemër.

 


Fjala

I jap vetes kohë dhe e dëgjoj Fjalën e Zotit,

dhe ndalem në atë fjalë apo ngjarje që më prek, që më flet pikërisht për mua.


 

Mk 3, 31-35

 

31 Ndërkaq erdhën nëna e tij dhe vëllezërit e tij. Zunë vend përjashta dhe dërguan dikë ta thërrasë. 32 E kishin rrethuar shumë njerëz. Po i thonë: “Nëna jote dhe vëllezërit e tu janë përjashta e po të kërkojnë.”

33 Ai u përgjigj:

“Kush është nëna ime e kush janë vëllezërit e mi?”

34 Dhe, si ua hodhi sytë rreth e rrotull atyre që rrinin përreth tij, tha:

“Ja nëna ime e vëllezërit e mi! 35 Sepse, kushdo e kryen vullnetin e Hyjit, ai është vëllai im, motra ime e nëna!”


 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Kur familja e Jezusit e kërkon atë këtu, reagimi i tij duket, në shikim të parë, të jetë i dhimbshëm për njerëzit e afërm të tij, që kujdesen për të. Pse mendon se ai zgjodhi ta bëjë këtë çështje kaq hapur?
  • Në pasazh bëhet e qartë se vlerat thellë formojnë gjithçka që bën Jezusi. Cilat janë vlerat që dëshiroj që të ma udhëheqin jetën time të zakonshme, të përditshme?
  • Dëgjoje sërish pjesën biblike, duke u përpjekur ta imagjinosh veten në situatën e Jezusit.

 

Bashkëbisedimi

Po të kishe qenë i/e pyetur, “cilët janë vëllezërit dhe motrat e tua dhe nënat?”, si do të përgjigjeshe? A mund të bisedosh me Zotin për këtë tani?

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty. O Zot, po e ndiej butësinë, jo ashpërsinë në zërin tënd. Marinë e ke bekuar jo për shkak të lidhjes së gjakut me ty, por për shkak se ajo është shërbëtorja e Hyjit. Përgjigjja e saj dhënë Lajmëtarit të Hyjit çoi drejt Mishërimit. Në një kulturë ku lidhja e gjakut (farefisnisë) është më e rëndësishmja ti na drejton te një lidhje më e thellë siç është ajo që kam me ty.

Jezus, ti hedh dritë mbi faktin se marrëdhënia më e rëndësishme në jetën time është ajo që kam me Hyjin. Madje lidhjet nga më të thellat natyrore janë krijuar brenda kësaj dashurie parësore. Nëna dhe familja kanë qenë të rëndësishme për ty, Jezus, në jetën dhe vdekjen tënde. Por thirrja e vërtetë ka qenë brenda kësaj lidhjeje familjare duke dëgjuar dhe duke e mbajtur fjalën e Hyjit. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »