Pranimi i dashurisë së Zotit na liron nga egoizmi

Jan 30 • Meditimi i ditës

30 janar 2019 – E mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Heb 10,11-18; Ps 110,1-4; Mk 4,1-20)

 

Prania e Hyjit

O Zot, ki mëshirë; O Krisht, ki mëshirë. Këto fjalë lutëse, që janë kënduar për shekuj, janë një kujtesë për mëshirën e pashtershme të Hyjit, për dhembshurinë dhe faljen e pandërprerë të Hyjit. Ndërsa dëgjoj, mund të mendoj për një çast për nevojën time për atë falje dhe për nevojën që unë të tregoj të njëjtën falje për të tjerët.

 

Liria

O Zot, më ke krijuar për të jetuar në liri.

Shpirti Shenjt më udhëheqtë që lirisht të të ndjek.

Mbille në zemrën time dëshirën që për çdo ditë

gjithnjë e më shumë të të njoh dhe të të dua.

 

Ndërgjegjësimi

E pyes veten, ç`po ndjej sot në vete?
A jam ndoshta i/e lodhur, me stres apo ndjehem se nuk jam në formë?
Nëse diçka prej kësaj ekziston në mua,
a mund të provoj t`i hedh tej këto brenga që më shqetësojnë?

 

Fjala

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje fragmentin e sotëm biblik me mend e zemër
dhe lejoji vëmendjes sate të pushojë nëdisa pjesë të tij.


 

 

Heb 10,11-18

 

11 Dhe, ndërsa çdo prift tjetër qëndron gati për çdo ditë për të kryer shërbesën e kultit dhe shpesh kushton po të njëjtat fli – të cilat assesi s’mund t’i shlyejnë mëkatet – 12 Krishti, përkundrazi, duke pasë kushtuar për mëkate vetëm një fli të vetme, rri përgjithmonë në të djathtën e Hyjit, 13 dhe që atëherë pret vetëm që armiqtë e tij të vihen shtrojë e këmbëve të tij. 14 Dhe, vërtet, me një kusht të vetëm i përsosi për amshim të shenjtëruarit.

15 Këtë gjë na e dëshmon edhe Shpirti Shenjt. Dhe njëmend, pasi tha:

16 »Kjo është Besëlidhja me të cilën do të lidhem me ta pas këtyre ditëve – thotë Zoti –

ligjet e mia do t’i thadroj në zemrat e tyre dhe do t’i shkruaj në shpirtin e tyre,

17 nuk do t’i sjell në mend mëkatet e tyre as paudhësitë e tyre«.

18 Tashti, atje ku u falën mëkatet, nuk ka më kushte për to!


 

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt

 

  • Këto fjalë nxjerrin një kontrast midis kuptimeve të frytshme dhe të pafrytshme se si funksionon falja e Hyjit. Mund të filloj mirë duke njohur mënyrat me të cilat mendoj se mund të fitoj faljen e Hyjit nga përpjekjet e mia dhe t`i pranoj mënyrat, gjegjësisht mundësitë ku mund të përpiqem ta arrij këtë.
  • Nga ana tjetër, mund të ketë raste kur unë me të vërtetë e pranoj se vetëm akceptimi mirënjohës i dashurisë së Hyjit është ajo që më bën të lirë nga egoizmi, që përfshin mëkatin dhe fajin. Çfarë më ndihmon të bëhem i/e vetëdijshëm/e dhe ta ndiej dashurinë e pakushtëzuar të Hyjit për mua?
  • Ndërsa e dëgjoj përsëri fragmenti biblik, dëgjo me kujdes theksin që vendos te falja që është dhuratë nga Hyji.

 

Bashkëbisedimi

Kjo mund të jetë një kohë e mirë për ta harruar vetveten një moment dhe shkurt ta kërkoj hirin që sot t`iu tregojë falje të tjerëve, atë falje që unë e di që e kam marrë nga Hyji.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty. Jezus i dashur, po ta hap zemrën. Mund të të them gjithçka më mundon. E di që kujdesesh për gjithçka i përket jetës sime.

Më mëso që të jetoj në dijeni se ti kujdesesh sot për mua, se do të kujdesesh edhe të gjitha ditët e jetës sime. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »