Empatia – nuk është aftësi por cilësi

Jan 30 • Opinion

Nga M. Franciska (Suzana) Lekaj

 

Shpesh ose rallё, mund t’ju ketë ndodhur që së fundmi ta keni dëgjuar, apo ta keni hasur termin empati, ndoshta gjatë leximit të librave, kryesisht tё atyre psikologjikё, dhe keni thënë me vete se ky është një term që i takon psikologjisё, u takon atyre që studiojnë psikologji, dhe se janë vetёm ata, psikologët, që merren e duhet të merren me të. Por, le tё shohim, me durim, se pёr çfarë bëhet fjalë!

Sot, njeriu çdo ditë e më shumë, pa përjashtim, e ndjen nevojën që të ndihet i pranuar, i dëgjuar, i respektuar, i dashur, i mbështetur, të marrё në përkujdesje e tё ndihet i kuptuar nga të tjerët, ndaj gjithnjё e mё shpesh dëgjojmë individё që ankohen, se njё gjё e tillё u mungon. Atëherë, këto pak mendime lënë për të kuptuar se sa shumë mungon ndjenja e empatisё në shoqërinё tonë, dhe sesi njeriu çdo ditë e më shumë, e ndjen nevojën për empati dhe bashkëndjeshmëri.

Sigurisht, empatia është një term që përdoret dhe praktikohet në literaturёn e psikologjisё, po ashtu i jepet një rëndësi e veçantë në seancat terapeutike, në marrëdhëniet terapist-klient. Gjithsesi, nuk mund të thuhet se kjo duhet të funksionojё vetëm në qendrat e këshillimit, sepse empatia, ndjeshmëria, me njё fjalё bashkëndjeshmëria, nuk mund të mësohet në shkollë si një lëndë mësimore dhe kaq, por secili prej nesh duhet ta edukojё eta zhvillojë kёtё cilёsi para se të hyjë në jetёn profesionale, ku tё ushtrojё mё tej profesionin e tij.

 Pёr tё pasur njё ide mё tё qartё mbi empatinё, t’i referohemi paksa historikut dhe studimeve në psikologji, ku termi empati u përdor pёr herё tё parё nga psikologu amerikan E. B. Titchener, i cili kërkoi ta pёrkufizojё me një fjalë tjetër, atё ndjesi që ndryshon thellёsisht nga ajo e keqardhjes. Duke e bërë  të qartë se termi empati, nuk do të thotë keqardhje, por shpreh diçka më shumë e më thellë. Mё tej, termin empati e gjejmë shumë të cekuar e të praktikuar tek psikologjia humaniste, konkretisht tek psikologu  Carl Rogers[1] ku thuhet: “terapia roxheriane kuron, shëron përmes empatisё.” Kuptohet, pa lënë mёnjanё apo pa përjashtuar edhe shkollat e tjera psikologjike, të cilat e praktikojnë atё dhe ajo është pjesë e seancave ose mund të themi së është çelësi i marrëdhënies terapist-klient.

Empatia ka një vlerë të rëndësishme, jo vetëm në procesin e këshillimit, por edhe në të përditshmen, në marrëdhëniet tona ndërpersonale. Daniel Goleman thotë: Nëse nuk ke empati, ndjeshmëri, marrëdhëniet e tua personale nuk janë efektive. Nuk është e rëndësishme sesa inteligjent je, pasi pa tё nuk do tё shkosh larg. Gjё qё e gjejmë shumë edhe në shkrimet e Edith Stein e cila shkruan për efektin dhe rëndësinë e empatisё.

Pa përjashtim, çdo njeri prej nesh, e ndjen nevojën që të ndihet i kuptuar, i pranuar, i dashur, i respektuar, i mbështetur, i përkrahur etj. Lidhur me kёtё gjё, empatia nuk duhet konsideruar si një aftësi që duhet të funksionojë vetëm në aspektin profesional, apo në zyrat e këshillimit, apo që mund të mësohet nëpër auditore. Ajo është një cilësi që secili prej nesh e ka tё nevojshme ta zbulojё, ta edukojё, dhe ta zhvillojё brenda vetes, e pastaj ta reflektojё atё edhe tek të tjerët. Pёr ta kuptuar  rëndësinё dhe efektin e saj, duhet të dimë se:  Çfarë është  empatia?

Në psikologji, empatia është një përpjekje e terapistit për të kuptuar ndjenjat dhe perceptimet e klientit. Pra, për të kuptuar jo vetëm atë që thuhet me fjalë, por diçka më shumë e më thellë. Empatia, është procesi emocional që ndërton lidhjet mes njerëzve, që do të thotë të ndihesh një me tjetrin, dhe e ka themelin tek vetëdija emocionale, ёshtë një gjendje lidhjeje me ndjenjat dhe nevojat e tjetrit pa e fajësuar, këshilluar, apo pa u përpjekur për ta rregulluar situatën. Porse, të pranohet tjetri dhe gjendja e tij, ashtu siç është.

Empati, do të thotë ta lexosh gjendjen e brendshme të tjetrit dhe ta interpretosh atë në një mënyrë që mund ta ndihmoj duke i ofruar mbështetje dhe duke zhvilluar besimin e përbashkët e të ndërsjellët. Me një fjalë, ta vendosësh veten në vendin e tjetrit. Henry Ford thotë: Nëse ke ndonjë sekret të vetëm suksesi, ai mbështetet në aftësinë për të arritur tek këndvështrimi i tjetrit, dhe t’i shohësh gjërat nga këndi i tij, si nga këndi yt.

Gjithashtu, empatia, është një formë komunikimi që përfshin dëgjimin, jo vetëm me fjalë, por edhe tё lexuarit me anë të  gjestikulacionit dhe tё shprehjeve tё fytyrës. Do të thotë, të dish  të bashkёndash dhe të kuptosh situatën, ndjenjat, dhe motivet e tjetrit, të bashkëndjesh me tjetrin. E nga kjo, mund të kuptohet se empatia nuk është thjesht një term që përdoret dhe praktikohet  vetëm në psikologji, por ajo duhet të praktikohet çdo ditë, e çdo minutë, nga secili prej nesh. Ndoshta, kur e lexojmë termin empati (bashkëndjesi), apo edhe kur e themi na duket e thjeshtё, por nëse mundohemi që ta praktikojmë, e shohim sesa e vështirë është, ndaj dhe  hasim shumë pengesa gjatë rrugës. Gjё qё nuk duhet të na frenojё dhe as tё na frikësojё.

Të mos harrojmë se empatia, bashkëndjesia, është një cilësi shëruese, çliruese, mbështetëse, saqë edhe njeriun më të pashpresë, më të paaftë dhe të frikësuar e forcon. Është një instrument që tё ndihmon për ta kuptuar dhe pranuar tjetrin, pa kërkuar dëmshpërblim e pa kushte, e gjithashtu pa kërkuar që tjetri të ndryshojё sepse unë dua. Është ajo që tё bën të ndjesh se çfarë ndjen tjetri, si në gëzime, po ashtu edhe në dhimbje. Është ajo që ka të bëjë me mirëdashjen, respektin, mirësinё, mbështetjen, dhembshurinë dhe dashurinё, sidomos dashurinё si agape[2].

Për t’u kuptuar sa më mirë rëndësia e empatisё, shpesh përdoret metafora: të qenit i aftë për të veshur dhe pёr tё ecur me  këpucët e tjetrit.  Mjafton, qё secili nga ne ta provojë tё vihet nё vendin e tjetrit, do të kuptojё se nuk është aq e thjeshtë, dhe aq e lehtë, që të ecësh më këpucët e tij. Këtu, nuk flitet qё tё konsiderojmё vetëm miq dhe tё afёrm, por për një ndjeshmëri, bashkëndjeshmëri,  për të gjithë individёt nё pёrgjithёsi. Mirёpo, që të arrihet nё nivele kaq tё larta ndjeshmёrie, duhet një njohje sa më e mirë e vetes, sepse sa më shumë i njohim emocionet tona, ndjenjat, dhe sa mё të hapur që të jemi ndaj emocioneve  e ndjenjave tona, aq më të aftë do të jemi t’i lexojmë e kuptojmë ndjenjat e të tjerëve.

A. Cury thotë: Gatishmëria për t’u vendosur në këpucët e të tjerëve është një nga funksionet më të rëndësishme të inteligjencës. Tregon pjekurinë e njeriut.

 

Çfarë do të thotë të jesh empatik?

Të jesh empatik, do të thotë të bashkëndjesh me tjetrin, jo vetëm të të vijё keq ose ta mëshirosh atё, por përkundrazi ta pranosh, ta mbështetësh, ta kuptosh dhe ta duash. Është pra, dёshira për ta vënë veten në vendin e tjetrit, mirëpo që kjo të ndodh, duhet ta edukosh, dhe të lejosh veten ta kuptosh tjetrin. Të jesh empatik, do të thotë të dish të dëgjosh në mënyrë tё vёmendshme, ta dëgjosh në mënyrё aktive tjetrin dhe të jesh i kujdesshëm edhe ndaj gjesteve tё tija mё të vogla, qё nё pamje tё parё duken tё parёndёsishme. Të jesh i kujdesshëm ndaj mënyrёs sё vёshtrimit, dëgjimit dhe tё shqiptimin tё fjalës prej tij. Për të kuptuar se çfarë do të thotë të jesh empatik, jo vetëm me fjalë, por me gjeste apo shembuj konkret, i gjejmë shumë qartë dhe të shprehur bukur në disa pjesë të Shkrimit të Shenjt – Biblës.

Po tё bёhet njё kërkim hulumtues në Bibël, vetëm pёr termin empatia, nuk do tё gjendet e shkruar, nё asnjё fjali tё vetme tё saj, por nëse e keni kuptuar se çfarë do të thotë empati dhe si shprehet ajo, aty keni mundësi të gjeni shumë këshilla, shembuj dhe gjeste konkrete që flasin direkt për empatinё. Gjithashtu, aty mund të gjeni shumë më shumë, nga ato që mund t’i lexoni në këtë artikull, pasi këtu janë shkëputur vetëm disa prej syresh nga Besëlidhja e Re. Në Letrën e parë të Pjetrit, do të gjeni: Më në fund, jini të gjithë një mendimi, të dhimbshëm, plot dashuri vëllazërore, të mëshirshëm, të përvuajtur.”( 1 Pj 3, 8)

Pjetri, pёrmes kёsaj fjalie na këshillon sesi të jemi plot dashuri, sepse vetëm nëse jemi të mbushur prej saj mund të jemi të dhimbshëm, të mëshirshëm e të një mendimi, e kjo ndodh vetëm kur njeriu është i veshur, i mbështjellur prej ndjenjёs sё empatisё, pra tё bashkёndjesisё.

Tek e njëjta letër gjejmë: “Para së gjithash kini dashuri të vazhdueshme për njëri-tjetrin, sepse: Dashuria mbulon një shumicë mëkatesh”.(1 Pj 4, 8). Pjetri,  nuk e kufizon dashurinё në kohë ose në njerёz, pra, nuk thotë “kini dashuri” sot, nesër, dhe as nuk thotë: “kini dashurinё” vetëm për familjarёt, për miqtё, dhe dashamirёt, por ai na këshillon dhe e shpreh shumë bukur kur thotë:  “kini dashuri të vazhdueshme për njëri-tjetrin,” çka do të thotë, nuk ka kohë të caktuar që të duash, të pranosh, të ndihmosh e të bashkëndjesh me tjetrin e për tjetrin dhe të mos e kufizojmë dashurinё nё sekonda, minuta, nё ditë, por të jemi të hapur e të gatshëm për tjetrin gjithnjë, cilido qoftё ai.

Ndёrsa, tek Letra e parë e Gjonit, gjejmë një pjesë që flet shumë qartë për empatinё, ku shkruan: “Kush i ka të mirat e kësaj bote dhe e sheh vëllain e vet në ngushticë dhe e mbyll zemrën e vet para tij – në ç’mënyrë dashuria e Hyjit qëndron në të?  Fëmijëzit e mi, mos të duam me fjalë e me gjuhë, por me vepra e në të vërtetë! (1 Gj 3, 17-18).

Empatia, bashkëndjesia, nuk kërkon llafe, fjalë të bukura, miradije sepse nuk shprehet veç me fjalë, por ajo duhet dhe shprehet vetëm me anë të sjelljeve konkrete, me dashuri pa kushte, me përqafim, me shikim, me mbështetje, me dëshmi, me respekt, me përkrahje … nëse e përmbledhim me një fjalë, ajo shprehet në të përditshmen, me gjeste të vogla e konkrete.  Kёshtu pra, siç shkruhet qartazi edhe tek Letra e drejtuar Romakёve, ku gjejmё një tjetёr moment nё tё cilin thuhet: “Gëzohuni me ata që gëzojnë, qani me ata që qajnë!  Jini në përkim me njëri‑tjetrin! (Rom 12,15-16). Të gëzohemi pra, e të vuajmё me tjetrin, sepse vetëm kur i bashkëndjejmё dhe i  bashkëndajmё, marrin kuptim gëzimi dhe dhimbja. Sa herë na ndodh që t’i lexojmë këto rreshta mos të largohemi pa reflektuar, pa hyrë më thellë nё atё se çfarë na këshillohet nё tё vёrtetё, dhe se çfarë pasurie, vlere dhe mësimi konkret, na ofron Shkrimi i Shenjtë.

Po kёshtu, tek Letra e parë e Korintianëve shkruhet: “ Askush të mos e kërkojë interesin e vet, por interesin e tjetrit.”  (1 Kor 10,24). U bëra i ligshtë për të ligshtët. Për të gjithë u bëra gjithçka, që të kushtojë sa të kushtojë, por ta shpëtoj ndonjërin. (1 Kor 9,22). Sa bukur është e shprehur sesi të bëhesh një me tjetrin, pra, duke mos llogaritur sesa do të kushtojё. Dihet se nuk është e thjeshtё dhe as e lehtë të bëhesh një me tjetrin, sepse njё gjё e tillё të kushton shumë, sidomos në aspektin emocional, emotiv tё fjalёs. E nё kёtё frymё, gjejmё njё tjetёr moment tё çmuar tek Letra drejtuar Filipianëve: Mos kërkoni vetëm të mirën tuaj, por edhe të mirën e të tjerëve. (Fil 2, 4) Mos i shikoni vetëm interesat, nevojat, dëshirat tuaja, por shikoni më larg. Shikoni, përtej hundës tuaj!

Të shohim tani, se çfarë na ofrojnë Ungjijtë: “Jezusi vazhdoi e tha: – Një njeri po zbriste prej Jerusalemit në Jeriho e ra ndër cuba. Këta e plaçkitën, e rrahën dhe ikën dhe e lanë veç gjallë. Kurse një samaritanas, duke udhëtuar, kur erdhi tek ai dhe e pa, pati mëshirë për të,  iu afrua, ia lidhi plagët duke ia pasë larë me verë e me vaj. Pastaj e vuri mbi shtazën e vet, e çoi në bujtinë dhe u kujdesua për të. Të nesërmen, nxori dy denarë, ia dha bujtinarit dhe i tha: ‘”M’u kujdes për të dhe, çka të shpenzosh më shumë, do t’i jap kur të kthehem”.(Lk 10, 30. 33-35).

Jezusi, këtu flet për për kujdesin e pa kushtёzuar që tregoi samaritani. Ndoshta, kur e dëgjojmё, apo kur e lexojmё për t’u justifikuar i themi vetes: unë nuk jam samaritanas! Nё fakt, në mënyrë figurative një samaritanas mund të jesh, ti, unё, dhe secili nga ne. E padyshim mund të jemi  edhe njeriu që ra ndër “cuba”.

“Jezusi, kur e pa turmën e popullit, ndjeu dhembshuri për të, sepse ishte e nëpërkëmbur dhe e lënë pasdore si delet pa bari.” (Mt 9, 36) Mateo, në këtë pjesë shprehet kaq bukur, sesi Jezusi ndjen për tjetrin, por mos të lëmë mёnjanё dhe të na shpёtojё edhe një detaj tjetër, akoma dhe mё i rёndёsishёm, pёrpara se Aindjejё pёr ta, Ai i pa. Pra, sa shumë rëndësi ka mënyra e të parit, e tё shikuarit me zemër e jo vetëm me sy, sepse nёpёrmjet një vёshtrimi tё tillё zgjohet brenda nesh ndjeshmëria, nga ku edhe bashkëndjeshmëria. Citoj mё tej: “Kur doli Jezusi prej barke, pa një turmë të madhe njerëzish, pati dhembshuri për ta dhe i shëroi të sëmurët e tyre. (Mt 14,14). Jezusi u ndal, i thirri dhe u tha:“Çka kërkoni të bëj për ju?” Ata iu përgjigjën:“Zotëri, që të na çelen sytë!” Jezusi pati dhembshuri për ta e ua preku sytë.” (Mt 20, 32-34)

“Jezusi, kur pa duke qarë atë dhe se po qanin edhe judenjtë, që po e përcillnin, u trand në shpirt, u turbullua E Jezusit i ngufi vaji.” (Gjn 11, 33.35).

Nga këto pak pjesë të shkёputura nga Shkrimi i Shenjtë, kemi mundësi të shohim rëndësinё dhe efektin e empatisё, bashkёndjeshmërisё. Citimet e mёsipёrme, na ndihmojnё e na edukojnё që të jemi sa më të ndjeshëm për njëri-tjetrin. Ato e pasurojnё secilin prej nesh që i lexon. Helen Kelleri thotë: Për aq kohë sa mund të lehtësojmë dhimbjen dikujt tjetër, jeta nuk është e kotë.  

Empatia, është cilësi e mirë dhe e nevojshme për marrëdhëniet tona personale dhe ndërpersonale. Pra, nuk është vetëm dhe thjesht njё aftësi e jona psikologjike, e cila tё praktikohet vetëm nëpër qendrat e këshillimit, ajo është një cilësi që kërkon praktikim të përditshëm. Gatishmëria për të kuptuar se si ndihet tjetri vihet re dhe mund të ofrohet në një mori fushash të jetës si në sektorin e shitjeve, në dashuri, në menaxhim, në prindërim dhe në marrjen e masave politike.

Të jesh emfatik, do të thotë ta ndihmosh tjetrin të ndihet i sigurt për t’u hapur dhe për t’i ndarë përvojat e tija me ju, pa ndjenjën e frikës dhe tё paragjykimit. Ta bёjmё kёtё sjellje duke mos harruar se empatia është një cilësi, virtyt, jo një aftësi.

Të jesh empirik, do të thotë që të mos i vësh re vetëm gabimet tek tjetri por të mirën dhe të bukuren që është brenda secilit individ. Sipas të gjithë treguesve, gatishmëria  për të treguar dashamirësi, mirësi, dashuri, respekt dhe përkujdesje për të tjerët e ka burimin tek ndjesia e empatisё, bashkëndjeshmërisё.

 

Mungesa e empatisё

Mungesa e empatisё e çon njeriun në humbje, nga drejtësia në padrejtësi, nga dashuria në urrejtje, nga suksesi në dështim. Kjo mungesë shfaqet tek psikopatët kriminelё, përdhunuesit dhe abuzuesit e fëmijëve, e gjithashtu, edhe tek ata që ushtrojnë dhunë në familje e në shoqëri si në aspektin psikologjik ashtu edhe fizik. Mungesa e empatisё çon në konflikte të vazhdueshme, keqkuptime, mungesë mirësie, dashurie, përkujdesjeje, respekti, mirëdashje etj.

Njerëzit që tregojnë mungesë empatie, i lënë pasdore ndjenjat, nevojat dhe mendimet e tjetrit. Janë persona që kanë një egoizëm të theksuar, aq sa ndoshta vetë ata nuk e dinё dhe nuk e kuptojnё njё gjё tё tillё. Janë narcizistё, që sillen vetëm rreth vetes, që mendojnë vetëm për mirëqenien e tyre dhe i nënvlerësojnë nevojat e tё tjerëve. Gjithashtu, individёt me mungesë empatie mundohen t’i përdorin, t’i shfrytëzojnë t’i manipulojnë e të përfitojnë nga të tjerët për interesat dhe qëllimet e tyre personale. Mungesa e empatisё flet shumё në rrethin shoqëror dhe sjell shumë pasoja, si vetë individit, po ashtu dhe rrethit shoqëror. Sepse ata, nuk janë në gjendje të ndёrtojnë lidhje emocionale, pёrveçse në një nivel sipërfaqësor. Daniel Goleman: Paaftësia për t’i kuptuar ndjenjat e të tjerëve është një mangësi tepër e madhe në inteligjencën emocionale dhe një dështim i plotë i thelbit të qenies njerëzore.

Lind pyetja: Si ta shmangim mungesën e empatisё? Që ta shmangim mungesën e empatisё është shumë e nevojshme që t’i njohim mirё ndjenjat dhe emocionet tona, që të mund t’i njohim pastaj tek të tjerët, sepse emptia është ajo cilësi që buron nga njohja e vetes. Pra, të fillojmё nga vetja, e jo të presim që të tjerët të na pranojnë, të na kuptojnë të na duan, të përkujdesen,  por të jem une i pari që filloj t’i praktikoj këto tek vetja ime, që të mund t’i reflektoj edhe tek të tjerët. Duhet t’i kushtohet kujdes e vëmendje gjendjes emocionale, për të parë se çfarë i bën të rriten emocionet pozitive, dhe ato negative.  Me një fjalë, duhet një punë e plotë me edukimin e  emocioneve.

Owen D. Joung thotë: Njeriu i cili di të vendoset nën lëkurën e njerëzve të tjerë dhe të shikoj gjërat me sytë e tyre nuk duhet të brengoset për ardhmërinë e vet.

 

PRINCESHA

Ishte një herë një mbret që kishte një vajzë me një bukuri të madhe dhe zgjuarsi të jashtëzakonshme. Ajo vuante nga një sëmundje e panjohur. Ndërsa rritej, po humbiste fuqinё tek duart dhe këmbët e saj, ndërsa pamja dhe dëgjimi dobësoheshin. Shumë mjekё kishin provuar ta shëronin, por mё kot.

Një ditë, erdhi në oborrin mbretëror një plak, për të cilin thuhej se e njihte sekretin e jetës. Të gjithë shërbëtorët shpejtuan t’i kërkonin ta ndihmonte princeshën e sëmurë. Plaku i dha princeshës një shportë xunkthi, me një kapak të mbyllur dhe i tha: “Merre dhe kujdesu. Do të të shërojë.” Plot me gëzim dhe pritshmëri hapi kapakun, por ajo që pa e la pa fjalë dhe më të plogështuar. Në shportë kishte një fëmijë të shkatërruar nga sëmundja, akoma më i gjorë dhe i vuajtur se ajo. Princesha la të rritej në zemrën e saj ndjeshmërinë. Me gjithë dhimbjet mori në krah fëmijën dhe filloj ta përkundë. Kaluan muajt, princesha nuk kishte sy veç për fëmijën. E ushqente, e përkëdhelte, i qeshte. E ruante natën, i fliste butësisht. Megjithëse gjithë kjo i kushtonte një lodhej të madhe dhe dhimbje. Pothuajse shtatë vite më vonë, ngjau diçka e pabesueshme. Një mëngjes, fëmija filloi të qeshë dhe të ec. Princesha e mori në krahë dhe filloi të vallëzojë duke qeshur dhe kënduar. E lehtë dhe e bukur siç nuk kishte qenë pёr shumë kohë. Pa e vënë re ishte shëruar edhe ajo.

T’i kushtohesh lehtësimit të dhimbjeve të dikujt tjetër, është mënyra më e mirë për ta harruar dhimbjen tënde. (Shkëputur nga libri: Histori të shkurtra për shpirtin, Bruno Ferrero)./dita.info

 

REFERENCA

Goleman Daniel, Intelegjenca emocionale, 2018, Prishtinë.

Tamo Adem, Psikologjia e Këshillimit, 2007, Tiranë.

Webb Liggy, Si të jemi të lumtur, 2014, Prishtinë.

 

————— 

[1] Carl Rogers lindi me 8 janar 1902 dhe ndërroi jetë me 4 shkurt 1987. Psikolog amerikan dhe lider i lëvizjes së psikologjisë humaniste. Karriera e tij profesionale, ndër të tjera, u finalizua me librin: Terapia me klientë të qendërsuar.                                        

[2] Agape – dashuria pa kushte ose dashuria Hyjnore.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »