Sekretet (nuk) dalin në dritë

Jan 31 • Meditimi i ditës

31 janar 2019 – E enjte, Shën Gjon Bosko, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Heb 10,19-25; Ps 24,1-4b.5-6; Mk 4,21-25)

 


Prania e Hyjit
“Ja, para derës qëndroj dhe trokas: kush e dëgjon zërin tim dhe e hap derën, do të hyj te ai dhe me të do ha darkë dhe ai me mua”, thotë Zotëria.

Çfarë privilegji i mrekullueshëm që Krijuesi dhe Zotëruesi i të gjitha krijesave dëshiron të vijë tek unë!

Me gjithë zemër e pranoj ardhjen e tij.

 

Liria

Do ta lus Hyjin që të më ndihmojë

që të lirohem nga ankthet dhe brengat e mia,

që t`i hapem nëpërmjet kësaj kohe të lutjes,

në mënyrë që ta dua dhe t`i shërbej edhe më shumë.

 

Ndërgjegjësimi
Në çka jam duke e gjetur momentalisht në jetën time shpresën, guximin dhe zhvillimin?
Duke i reflektuar disa muaj të mëparshëm,
a jam i/e aftë t`i vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryt të mirë?
Nëse i kam vërejtur fusha të tilla,
do të vendosi që edhe në të ardhmen t`u siguroj hapësirë dhe kohë.

 

Fjala

Në gjendjen momentale të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me mbështetje, me besim.

Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm

dhe që ai mundet të të frymëzojë për ta zbuluar çfarë po të flet ky tekst i sotshëm.

Lexo me vëmendje dhe kuptim; përgjo çfarë po ndodhë në zemrën tënde.


 

Mk 4, 21-25


21 Pastaj u tha:

“A thua bihet llamba për t’u vënë nën enë ose nën tryezë? E jo për ta vënë në dritëmbajtës? 22 Sepse asgjë s’është e fshehtë, veçse për t’u zbuluar, asgjë në fshehtësi, veçse për të dalë në dritë. 23 Kush i ka veshët për të dëgjuar, le të dëgjojë!”

24 Edhe u tha:

“Mbani mend çka dëgjoni! Me atë masë që të matni, me atë do t’ju matet! Madje edhe do t’ju shtohet! 25 Sepse, atij që ka, do t’i jepet më, e atij që s’ka, do t’i merret edhe çka ka.”


 

Çka dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Në shërbimin e tij, Jezusi shpesh i udhëzon njerëzit që iu ndihmonte të mos t`i tregojnë askujt asgjë. Sikur ai po përpiqet ta mbajë sekret punën e tij. Por kjo kurrë nuk funksionon, dhe fjala përhapet më shpejtë se kurrë. Ndoshta kjo është ajo për çka po flet ai në këtë fragment të Ungjillit: nuk mund ta mbulosh një dritë të ndritshme! Njeriu s`mund t`i mbajë sekretet pa dalë ato në dritë! A është kjo ajo se si e sheh ti fjalën e Zotit? Si një dritë e ndritshme? A e ndien nganjëherë veten se po përpiqesh ta mbulosh atë?
  • Është ky një mesazh i mirë për ne kur jemi të shqetësuar mos ndoshta s`po mund të arrijë tek ne Ungjilli. Jezusi na siguron që Fjala e mbjellë në zemrat tona gjithmonë e bën punën e vet. Duke e shikuar jetën në retrospektivë, mund ta shohësh se si Jezusi pas një jete një kohë të gjatë pa rënë në sy ka dalë në sipërfaqe? … A mund të jetë edhe ai i fshehur tani, vetëm duke pritur për ta dëftuar Veten?
  • Ndërsa i dëgjon përsëri fjalët e Jezusit, shiko rreth vetes dhe shikoje një botë ku drita hyjnore e Krishtit është e mbuluar. Dëgjoje premtimin e Jezusit se “do të jepet më shumë”. Vë re se si ndryshon qëndrimi yt ndaj botës në dritën e këtij premtimi.

 

Bashkëbisedimi

Jezusi na siguron që Hyji do të vazhdojë të derdhë hirin e Tij mbi ne duke na treguar lavdinë e Tij. Kthehu tek Zoti tani dhe ndaji me Të mendimet dhe ndjenjat e tua, dëshirat dhe ankthet e tua. Kërkoji Atij, nëse dëshiron, të ta dëftojë lavdinë e Tij sot.

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Fjala e urtë e jote, Jezus, për “masën që të matni” duket si variant i tjetrës që thua: “Atë që jep, atë edhe merr.” Me këtë, Jezus, po mendon se nëse dikush kërkon të arrijë kuptim në fushën shpirtërore për atë çfarë je duke folur, ky kuptim do të rritet duke dëgjuar shëmbëlltyrat, kurse ai që nuk dëgjon do të përfundojë në injorancën shpirtërore, d.m.th. në padituri dhe pakuptim. Bëj, o Zot, që të lejoj që shëmbëlltyrat e tua të më habisin dhe sfidojnë. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »