Familja e krishterë – jeta  me Zotin dhe të afërmin

Jan 31 • Familja

Nga Don Lush Gjergji  

 

Çka mund të bëjmë ne sot si të krishterë për ta mbrojtur, ruajtur dhe zhvilluar familjen moderne?

S’ka martesë dhe familje të krishterë, pa përshpirtëri, jetë të krishterë, që domethënë pa Jezu Krishtin, pranimin dhe jetësimin e fjalës, porosisë dhe jetës së tij ndër ne, gjithnjë me fuqinë e Shpirtit Shenjt;

Fjala e mishëruar – Jezu Krishti, nuk është vetëm porosi, e vërtetë, por mbi të gjitha Person, ushqim – pije jete dhe dashuri – EUKARISTI, dhe pa Të, jetën sakramentale, sidomos rrëfim dhe kungim, s’kemi jetë as personale, as martesore, as familjare…;

Jeta e përditshme domethënë për çdo ditë së bashku me Zotin, që të jemi të aftë për të qenë së bashku – një,  edhe me njëri-tjetrin.

“Pa uratë dhe heshtje s’mund të jemi të lumtur. Urata ma ka shpëtuar jetën. Pa atë unë do të isha moti i çmendur…” (M. Gandhi).

 

PESË PIKA TË RËNDËSISHME PËR PËRSHPIRTËRINË MARTESORE:

  1. DHURIMI I VETVETES – jo si mjet evazion, ikje nga vetmia, por më shumë si mundësi e re e komunikimit, sipas mësimit dhe dhurimit të Jezu Krishtit. Kjo gjë mund të arrihet vetëm në bashkësinë e fesë dhe zbatimin e dashurisë së krishterë.
  2. SHPRESA – është cilësia e jetës së krishterë, e cila kryesisht mbështetet në kryqin – ngjalljen e Jezu Krishtit, i cili gjithnjë na do dhe shi për këtë gjithnjë edhe na falë, na aftëson për të falur dhe për të kërkuar dhe dhuruar falje.
  3. FRYTSHMËRIA E DASHURISË, jo vetëm si lindja e fëmijëve, atësia apo amësia, e cila mbështetet në krijimtarinë dhe dashurinë e Zotit për çdo njeri. Nga ky aspekt doemos ndërlidhen dhe gërshetohen EUKARISTIA – KURORA – FAMILJA. Në Eukaristi theksi është te dhurata, dhurimi i Jezu Krishtit për ne. Kjo kërkon prej nesh së pari fenë, pranimin e kësaj dhurate dhe dashurie, që pastaj zbërthen në shembull dhe jetësim apo dëshmi të krishterë.
  4. KURORA – DHURIMI si karakteristikë kryesore e martesës, në stilin e Jezusit. Pse Eukaristia është e rëndësishme në jetën e qiftit martesor? Sepse ajo thellon lidhjen, bashkimi, jetën me Jezu Krishtin, dhe si pasojë e kësaj, aftëson të krishterët po ashtu për flijim, dhurim, dashuri.
  5. EUKARISTIA përforcon bashkimin e qiftit martesor brenda bashkësisë së krishterë, simbolizon dhe zbaton dashurinë e Krishtit për Kishën, si dhe të Kishës për Krishtin, duke na aftësuar për eskatologji, për amshimin e lumtur. Ajo është “besëlidhja e re” e besnikërisë deri në fund, në vdekje, në kryq, në varr, sepse vetëm pas kësaj vjen ngjallja, fitorja, suksesi, pashkët. Jezusi nga kryqi “katedra e tij” më së mirë na mëson dhe dhuron hirin e faljes, siç bëri me cubin e penduar, ndaj atyre që e kryqëzuan, ndaj Pjetrit, ndaj çdonjërit prej nesh.

 

DISA PËRFUNDIME KONKRETE:

Nga Eukaristia lindë jeta e krishterë, prandaj, edhe jeta martesore, familja e krishterë, e cila ushqehet, gjen burimin, frymëzimin, ndihmën, përkrahjen, aftësinë e dhurimit, flijimit, faljes pikërisht në sakramentin e dashurisë, në meshë dhe në kungim.

Ftesa që u bëhet të kurorëzuarëve është kjo: jeni së bashku me Jezu Krishtin eukaristik, sofër, flijim dhe dhurim, që të jeni njëri për tjetrin në kurorë, në familje po ashtu sofër, gosti, festim, gëzim dhe dhurim.

Eukaristia është për ne të krishterët burim jete dhe dashurie, që si fryt ka dashurinë e krishterë, që domethënë atë çka na dhuron dhe mundëson neve Jezu Krishti, përvojën e fesë dhe dashurisë, “martesën” shpirtërore me Të, ne ua dhurojmë të tjerëve nëpërmjet jetës dhe dëshmisë së krishterë.

“Dashuro dhe Zoti do të afrohet ty. Dashuro dhe Ai do të banojë në ty”  (Shën Augustini).

 

Plani hyjnor

Zoti ka plan me çdo njeri. Plani i tij është lumturia jonë, dashuria, sa është e mundshme në këtë jetë dhe botë, sidomos amshim i lumtur. Mirëpo fill shtrohet pyetja: si të zbulohet dhe zbatohet plani i Zotit në jetën tonë? “Jeta është projekti i Zotit me ne” (Dietrich Bonhoffer). Sokrati thoshte: “Jeta pa kërkim nuk është e denjë për t’u jetuar”.

Do të nisemi nga Zanafillja: “Hyji krijoi njeriun në përgjasimin e vet, e krijoi në përgjasimin e Hyjit; i  krijoi mashkull e femër” (Zan 1, 27).

Pasoja e parë e krijimit është përngjasimi i njeriut me Zotin.Atëherë Zoti Hyj e formoi prej pluhurit të tokës njeriun dhe nëpër hundë i shtiu frymën e jetës e njeriu u bë qenie e gjallë” (Zan 2, 7).

Jemi të krijuar për t’i përngjarë Zotit, që dmth. që shpirti i tij e dallon nga çdo krijesë tjetër në këto tri shkallë apo dimensione kryesore: mendore, morale dhe shoqërore.

Mendore: njeriu ka aftësi për të menduar, njohur dhe zgjedhur, gjë kjo që vetë Zoti ia ka dhuruar dhe mundësuar vetëm njeriut.

Morale: njeriu i parë  ishte krijuar në drejtësi dhe në pafajësi, si pasqyrim i shenjtërisë së Zotit, që ka ndërgjegjie nëpërmjet së cilës vlerëson jetën dhe veprimet e veta dhe të tjerëve.

Mu për këtë “Hyji shikoi gjithçka kishte bërë dhe, ja, ishin shumë të mira” (Zan 1, 31).

Shoqërore: sepse Zoti e kishte krijuar njeriun e parë, Adamin, për të komunikuar me Hyjin, pastaj edhe me gruan e tij.

Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm” (Zan 2, 18), përzgjidhja dhe bashkëjetesa me partnerën e jetës.

Në këto tri aspekte njeriu më së shumti i përngjan Zotit, veçmas nëpërmjet shpirtit të pavdekshëm dhe kërkimit të lumturisë së pasosur.

Njeriu është person i hapur, në lidhje dhe marrëdhënie, i lirë dhe aftë për njohuri, zgjidhje, për dashuri, përgjegjësi për vete dhe për të tjerët, dhe si i tillë e zbaton përgjasimin me Zotin.

Pasoja e dytë e krijesës njeri është bipolarizmi, gjinia e dyfishtë, mashkull – femër, përplotësimi, nevoja dhe domosdoshmëria për njëri-tjetrin. Plani i Zotit është i qartë jo vetëm në krijim, mashkull-femër, por edhe në një urdhër tjetër: “Shtohuni e shumohuni e mbusheni tokën dhe sundojeni atë” (Zan 1, 28).

Nga kjo rrjedh qartas se shtimi i gjinisë njerëzore është urdhër hyjnor, si dhe sundimi i tokës dhe botës.

A është e mundshme që njeriu t’i plotësojë sot këto kërkesa dhe urdhërime hyjnore, apo kjo është një lloj utopie, ëndrre por dikur dhe dikë, apo vlen edhe sot dhe gjithnjë dhe për të gjithë?

Mendoj se është e mundshme, edhe pse jo e lehtë, sidomos pa Zotin, pa jetën shpirtërore, pa përgatitje sa më të mirë përkatëse./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »