Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë komuniste sipas dosjeve të diplomacisë zvicerane (III)

Jan 31 • Histori, Kulturë

Nga Zef AHMETI, Zvicër

 

III. Marrëdhënien politike mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë

Për marrëdhëniet politike midis këtyre dy vendeve tashmë u potencuan disa gjëra. Fundi i patronazhit jugosllav fillon apo zëvendësohet me patronazhin e ri rus për Shqipërinë.

Siç është thënë tashmë në fokusin i këtij punimi, janë marrëdhëniet midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë sipas dosjeve diplomatike zvicerane. Këto dokumente kanë të bëjnë me aspekte të ndryshme të këtyre marrëdhënieve midis dy vendeve, të cilat lidhen drejtpërsëdrejti apo tërthorazi me Zvicrën por edhe në kuadër të kontekstin gjeopolitik të skenës politike rajonale dhe asaj botërore në atë kohë.

Rreth marrëdhënieve shqiptare-jugosllave pas “kthesës” politike mes tyre raportojnë ambasadat zvicerane nga Roma, Athina dhe Beogradi.Në fillim të viteve 1950, korrespondenca midis DP dhe përfaqësimeve të saja në vendet që i cekëm u dominua nga frika, se Jugosllavia do ta sulmoj vendin, Shqipërinë. Në një letër të klasifikuar si konfidenciale (4 ½ fq.) mbi “thashethemet për Shqipërinë”, përfaqësuesi zviceran në Itali i drejtohet Këshillit Federal (qeverisë) më 21 gusht 1952,[1] duke informuar se në Romë jetojnë shumë emigrantë shqiptarë dhe politikisht i përkasin kampeve ose klaneve të ndryshme, të cilët ndjekin me vëmendje të madhe ngjarjet në Shqipëri, për çfarë ata vazhdimisht informohen nga njerëzit dhe lidhjet që kanë. “Kuptohet” shkruan diplomati se ata duan çlirimin e Shqipërisë nga pushteti aktual komunist. Në mesin e këtyre shqiptarëve mendohet, se ekziston një kërcënim jo i vogël për pavarësinë e Shqipërisë nga Jugosllavia e Titos, dhe pjesërisht nga Greqia, për shkak të aspiratave të saj të ripërsëritura për Epirin verior.

Në atë kohë (1952), shqiptarët në Itali gjithnjë kishin frikë se Marshalli Tito ishte duke u përgatitur për të ndërmarrë një goditje të befasishme kundër Shqipërisë. Për të kuptuar më mirë se çfarë flitej në mesin e diplomatëve, ambasada zvicerane e lartcekur informonte si vijon: „Për këtë veprim, marshalli ndjehet mjaft i fortë tani, sepse armë të rënda vijnë në Jugosllavinga Amerika. Në kuadër të iniciativës Jugosllave, Greqia nuk do të linte pa e bërë përpjekjen për të marshuar në Shqipërinë nga jugu dhe për ta okupuar rajonin sa më thel që është e mundur në drejtim të veriut. Se okupimi i Shqipërisë do të ndodh me miratimin të heshtur të fuqive perëndimore, dhe ndoshta mund të jetë edhe si rezultat i ndonjë sugjerimi që vjen prej këtyre fuqive. Viktima do të ishin përveç shqiptarëve edhe italianët, për aq sa Italia do të përjashtohej përfundimisht nga zonat tradicionale shqiptare e interesit dhe ndikimit për të ardhmen, me disavantazh shtesë të dobësimit strategjik dhe zvogëlimit të sigurisë së saj në Adriatik.

Është interesante dhe ndoshta edhe simptomatike që në të njëjtën kohë një zë italian është shprehur në një kuptim të ngjashëm. Në revistën javore prestigjioze “Tempo” të Milanos, në numrin e 16 gushtit, u publikua një artikull me titull “I nodi al pettine mediterraneo” ku një pjesë i kushtohet çështjes shqiptare. Autori i shkrimit është Roberto Cantalupo, ish-nënsekretari i shtetit në ministrinë koloniale, më vonë si i dërguar në Egjipt, ambasador në Rio de Janeiro dhe Madrid. Ai konsiderohet si një nga eseistët më të mirë politik në Itali dhe është si një bashkëpunëtor i përhershëm për politikë të jashtme i “Tempo-s”. Në artikullin e cekur Cantalupo ndër të tjera shkruan:

“Çfarë planesh ka Marshall Tito pas një periudhe të gjatë të letargjie, së fundmi në lidhje me Shqipërinë konformiste? A duhet Shtabi i Përgjithshëm italian të ngre shqetësime serioze për faktin se marshalli kroat mund të përdorë në drejtim të Shqipërisë armë moderne dhe municione që Amerika u ka vënë në dispozicion sot?

A do të duhet ndoshta ta shikojmë Jugosllavinë duke hyrë në Tiranë me justifikimin e shkëlqyer të shtypjes së ndikimit rus dhe se Greqia do e okupoj Epirin verior “nën moton e një bashkëpunimi anti-rus me Beogradin”?

Nëse një ditë ngjarjet e tilla do të ndodhin në Adriatik, aspiratat detare të Italisë në Mesdhe do të mbeten një kujtesë.”

Lidhur me çështjen aq aktuale shqiptare, përfaqësia ka mund të pyes një kryetar të emigracionit serb në Romë, Vojvodën Dobroslav Jevjeviç. Ky ka dhënë këto informacione:Thashethemet rreth sulmit të planifikuar të Titos kundër Shqipërisë dhe për veprimin e njëkohshëm grek nga jugu janë të pabesueshme për arsyet e mëposhtme:

1) Bashkimi Sovjetik kurrë nuk do ta lejonte që me pushtimin e Shqipërisë t`i mbyllet e vetmja dalje e saj në Mesdhe, Tito nuk do mund të përballet me rrezikun e intervenimit kominformit, por është edhe e diskutueshme nëse Shtetet e Bashkuara do të bënin luftë për Shqipërinë.

2) Tito nuk mendon fare për ndarjen e territorit shqiptar me Greqinë. E gjithë politika ballkanike e Titos ka frymë anti-greke. Ai e pretendon të gjithë territorin shqiptar për vete, si një republikë të re në federatën jugosllave.Për më tepër, ai kurrë nuk ka hequr dorë nga plani i tij për të inkorporuar Maqedoninë greke Republikës së Maqedonisë në Jugosllavi. Greqia demokratike dhe liberale nuk përshtatet në asnjë mënyrë në planet e Titos.

3) Fuqitë perëndimore për momentin në asnjë mënyrë nuk do e mbështetnin një veprim të njëanshëm nga ana e Titos në Shqipëri, dhe pavarësisht pritjes së një kundër aksioni që mund të pasoj nga ana e Bashkimit Sovjetik, iniciativa e Titos do të nxiste një reagimin të egër të Greqisë dhe do të shkatërronte të gjithë politikën ballkanike të fuqive perëndimore në kuadër të Paktit e Atlantikut.

Sa i përket Italisë dhe interesave italiane në Adriatik, Roma duhet të jetë në një pozicionin paradoksal që detyrohet të preferojë “status quo-n” në Shqipërinë komuniste se sa ndërhyrjen në vendin e vogël. Çdo zgjerim territorial i Jugosllavisë në Adriatikun e poshtëm mundet, për arsye të dukshme, të mos jetë i pranueshëm për italianët. Sipas një thënie të vjetër diplomatike të këtushme, Shqipëria është vendi nga ku mund të shkrepet pistoleta kundër zemrës së Italisë. Për strategjinë detare italiane, humbja e ishullit të vogël të Sazanit në Gjirin e Vlorës – e cila që atëherë është shndërruar në një bazë nëndetëse ruse – ishte edhe më e dhimbshme sesa humbja e Rodonit.

Në dritën e interesave të rëndësishme italiane në anën tjetër të Adriatikut, është gjithashtu e kuptueshme që furnizimi i Jugosllavisë me materiale të rënda luftarake amerikane në Romë ka shkaktuar shqetësim. Ambasadori italian Tarchiani thuhet se është mandatuar t`ia shpreh zyrtarisht ketë shqetësim Uashingtonit. Nga ana tjetër në Itali me kënaqësi dhe lehtësim janë pranuar deklaratat e bëra nga sekretari amerikan i Shtetit Pace në shtypin e Beogradit. Siç e dini Pace tha me shumë qartësi, se ai nuk ka sjell një projekt për një pakt ushtarak midis Jugosllavisë dhe Greqisë.”[2]

Në vitet e ardhshme marrëdhëniet midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë në nivel politik do të zhvillohen në kuadër të një unioni të mundshëm që është propozuar nga jugosllavi Marshall Tito në një intervistë në New York Times të 11 nëntorit 1952. Kreu jugosllav shprehet aty, se do të mirëpriste një bashkim me Bullgarinë dhe Shqipërinë nëse këto vende donë gjithashtu të bashkohen me Jugosllavinë.

Ambasada zviceran në Greqi trajton këtë temë në letrën e 18 nëntorit 1952 drejtuar Departamentit Politik (DP).[3]Ajo njofton se deklarata e Titos ka shkaktuar trazim dhe shqetësim në Greqi, kështu që Greqia i ka thënë Shteteve të Bashkuara, Francës dhe Britanisë së Madhe, se “…Greqia kurrë nuk toleroi ndikimin jugosllav në Shqipëri”.[4]Përveç kësaj Greqia është gjithashtu e pakënaqur me ekzistencën në Itali të grupit shqiptar për çlirimin e Shqipërisë („Comité pour la libération de l`Albanie“), sepse në sytë e qeverisë greke dyshohej se Roma po bënte përgatitjet të kthejë trupat italiane në Shqipëri. Qeveria greke i frikësohej madje, si rezultat i deklaratave të bëra nga kreu jugosllav, më shumë ndikimit jugosllav në Shqipëri sesa Shqipëria nën ndikimin italian („…plus encore une Albanie yougoslave, qu`une Albanie sous influence italienne”).[5] Marshalli Jugosllav merr qëndrim edhe për çështjen kontestuese të Triestes midis Italisë dhe Jugosllavisë për ndarjen e një zone “A” italiane dhe një zone “B” si jugosllave duke iu nënshtruar disa modifikimeve të vijës së demarkacionit, të cilat janë të nevojshme për arsye etnike.[6]Gazetari i New York Times, M. C. Sulzberger, i cili kishte kryer intervista me udhëheqësin jugosllav, në atë kohë ishte në Greqi dhe ambasada italian në Athinë e kontakton atë për të konfirmuar nëse deklaratat e Titos janë të sakta. Lidhur me këtë përfaqësia zvicerane shkruan se Z. Sulzberger i ka konfirmuar të ngarkuarit me punë të Italisë, se asnjë gabim nuk ishte i mundur, sepse ai kishte shënjuar përgjigjet që i kishte dhënë Marshalli Tito gjatë intervistës së tyre. Ai madje i tregon edhe shënimet.[7]Në këtë kontekst, konfirmohet se intervista ishte publikuar saktësisht ashtu siç kishte deklaruar marshalli jugosllav.[8] Deklarimet e Titos për çështjen kontestuese të Triestës nga ana e qeverisë italiane ishin shikuar si pozitive.[9]

Në fillim të vitit 1953, Departamenti Politik njoftohet prej ambasadës zvicerane në Athinë për një raport prej ambasadës italian në Tiranë që e kishte siguruar një punëtor i legatës zvicerane. Meqë nga fundi i nëntorit 1952 autoritetet shqiptare ishin shumë më miqësore ndaj përfaqësimit italian në Tiranë, pala italiane nuk donte ta rrezikonte vënien në pikëpyetje të këtyre raporteve dhe përpiqej të shmangnin çdo incident që mund të çonte në prishje të marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Italisë.

Në letër kërkohet që burimi i raportit të mos zbulohet dhe të mos ketë informim për atë që është lexuar në këtë raport.[10]Sipas këtij raporti gjatë muajit nëntor Shqipëria do të merrte pajisje ushtarake me prejardhje sovjetike. Shqipëria ka marrë nga Bashkimi Sovjetik një sasi të madhe municioni të gjitha kalibrave, kamionë, armë këmbësorie, goma dhe karburanteve.[11] Se një numër i qytetarëve sovjetikë kanë zbarkuar në Shqipëri “të cilët duket se janë teknikë të Ushtrisë së Kuqe”,[12] se propaganda shqiptare është drejtuar kundër Jugosllavisë dhe atakon fuqishëm atë që e quan “aleanca turko-greko-jugosllave” dhe atë çfarë konsiderohet të jetë si përgatitje e një agresioni kundër Shqipërisë dhe Bullgarisë.[13] Situata në vend është e tendosur për shkak të rivalitetit brenda komunistëve shqiptarë, përkatësisht mes Mehmet Shehut, me orientim pro jugosllav, dhe Enver Hoxhës që përfaqësonte ideologjinë e anës sovjetike. Kjo luftë për pushtet u përshkallëzua dhe se grindjet po rriteshin. Përveç kësaj, shumë anëtarë të forcave të sigurisë, të cilat ishin në rajonin e Kukësit u bashkuan me partizanët ose shkuan në Jugosllavi.[14] Por diplomatët italianë nuk besonin se pala e komunistëve pro-jugosllavë do të mund ta rrëzojnë regjimin e Enver Hoxhës. Për arsye se, sipas raportit, për sa kohë që Jugosllavia nuk ndërhyn më aktivisht në Shqipëri. Sipas të njëjtëve diplomatë italianë, Roma nuk do të tolerojë më shumë ndërhyrje në çështjet shqiptare nga Jugosllavia.[15]Në atë kohë ambasada Zvicerane shkruante, se Italia ishte në favor të sovranitetit të Shqipërisë dhe se Roma kishte mirëpritur deklaratën e Marshall Papagosit, ashtu si i është raportuar tashmë lidhur me këtë Departamenti Politik në letrën e 25 dhjetorit 1952.[16] Nga ana tjetër, italianët kishin frikë, se mos Shqipëria po bëhej jugosllave mirëpo për këtë përfaqësia zvicerane mendonte, se kjo frikë është e pa bazë pasi që rusët nuk e kanë ndërmend të largohen nga Shqipëria.[17]

Këto informacione mbi situatën në Shqipëri Departamenti Politik ua transmeton me 16 janar 1953 si ambasadës zviceran në Beograd edhe asaj në Itali. Dymbëdhjetë ditë më vonë ambasada Zvicerane në Beograd këtyre çështjeve të ngritura u përgjigj me informacionet e saja.[18] Sipas këtyre informacioneve, në kuadër të vizitave shkëmbyese midis delegacioneve parlamentare dhe ushtarake të Greqisë dhe Jugosllavisë, një zëdhënës i qeverisë jugosllave ka potencuar se pavarësia dhe tërësia territoriale e Shqipërisë është në interes të vendit të tij. Eksodi i shqiptarëve të Shqipërisë që ikin (vër. në Jugosllavi)”për shkak të terrorit në vendin e tyre” vazhdon dhe se këta janë “grupi më i madh i refugjatëve politikë (sipas numrave zyrtar 4500, qershor 1952)”. Këta, por edhe refugjatë nga vende të tjera konformiste fqinje, kanë themeluar shoqatat e tyre në Jugosllavi dhe se Beogradi inkurajon formimin e shoqatave të tilla dhe i përdor ato për qëllime të ndryshme, në veçanti për të treguar se popujt e Jugosllavisë mbajnë ndjenja miqësie ndaj popujve të këtyre vendeve, se ata nuk i ngatërrojnë me udhëheqësit e tyre të paguar nga Moska.[19] Përfaqësuesit e refugjatëve shqiptarë u takuan dy herë më 1952 dhe folën në fjalimet e tyre rreth situatës së errët dhe tragjike në Shqipëri nën sundimin e Enver Hoxhës, i cili vendin e tij e bëri burg. Ata dhanë shumë lëvdata qeverisë jugosllave për mikpritjen e tyre, por nga ana tjetër ndër ta nganjëherë infiltrohen agjentë të shërbimit të sigurimit shqiptar, si anë tjetër e monedhës.[20] Sipas informacionit jugosllav, Ministria e Brendshme e Shqipërisë ka urdhëruar kohëvetë fundit arrestimin e të gjithë qytetarëve që nuk pajtohen me republikën demokratike popullore. Kjo valë e arrestimeve thuhet të ketë ndodhur, në veçanti, në rajonin fqinj kufitar me Jugosllavinë.[21] Këto informacion nga Beogradi ia përcjellë Departamenti Politik më tutje ambasadave zvicerane në Itali dhe Greqi.[22]

Pasi ambasada zvicerane në Beograd pranon një raport (3 nëntor 1953) mbi marrëdhëniet e Bullgarisë me vendet fqinjë, ajo në fund të vitit 1953, gjithashtu jep informacione mbi marrëdhëniet e Jugosllavisë me vendet fqinje. Sipas raportit, Jugosllavia vazhdon normalizimin e marrëdhënieve me vendet e Bllokut Lindor. Sa i përket Shqipërisë, jepet informacioni se raportet e këqija mbeten vetëm me Shqipërinë, mandej eskalon konflikti në një përpjekje për zgjidhjen shumë incidente kufitare me anë të negocimit për një marrëveshje që do dilte nga një komision dypalësh, ngjashëm si me Hungarinë, Bullgarinë dhe Rumaninë. Por duket se pala shqiptare ka paraqitur propozime të reja, që duhet të kenë burimin prej Moskës.[23]/drita.info

-vazhdon –

 

———

[1]Dosja Jugosllavi-Shqipëri (fq. B. 74.45), marrëdhëniet politike mes shteteve të treta, CH-BAR E2001E 1976-17 739, letra e potencuar drejtuar z. ministër Max Petitpierre, udhëheqës i Departamentit Politik: CH-BAR E2001E 1976-17 739 13.

[2] Po aty.

[3] Po aty, Legata zvicerane drejtuar Departamentit Politik, 18 nëntor 1952, në: CH-BAR E2001E 1976-17 739 12.

[4] Po aty. „…que la Grèce ne tolérait jamais influence yougoslave en Albanie.“

[5] Po aty.

[6] Po aty. „…attribution de la Zone A à l`Italie et de la Zone B a la Yougoslavie, sous réserve de certaines modifications de la ligne de démarcation, qui sont nécessaires pour des raisons ethniquefq.

[7] Po aty. „M. Sulzberger a affirmé au Charge d`Affaires d`Italie qu`aucune erreur n`était possible, parce qu`il avait sténographie les réponses que le Marechal Tito lui avait douées, au cours de leur entretien. Il put même lui montrer ses notefq.

[8] Po aty, Departamentit Politikdrejtuar z.Carl T. Stucki, ministër i Zvicrës në Greqi, 2 dhjetor 1952, në: CH-BAR E2001E 1976-17 739 11.

[9] Po aty, në: CH-BAR E2001E 1976-17 739 11.

[10] Po aty, legata zvicerane në Greqi drejtuar Departamentit Politik, Athinë, 8 janar 1953, në: CH-BAR E2001E 1976-17 739 10.

[11] Po aty.

[12] Po aty. „…qui semblent être des techniciens de l`armée rouge

[13] Po aty. „…elle attaque avec une grande violence ce qu`elle appelle «l`alliance turco-gréco-yougoslave» et ce qu`elle considère comme la préparation d`une agression contre l`Albanie et la Bulgarie.“

[14] Po aty. „Le nombre et l`importance des rencontres entre forces de sécurité et partisans augmentent de jour en jour. Ces escarmouches causent des pertes sensibles aux forces de sécurité. En autre, de nombreux membres des forces de sécurité, qui se trouvaient dans la région de Kukes, ont rejoint les partisans ou ont passé en Yougoslavie. Les partisans reçoivent une aide effective de la Yougoslavie.“

[15] Po aty. „tant que la Yougoslavie n’interviendra pas plus activement en Albanie. Selon les mêmes diplomates italiens, Rome ne tolérera pas une ingérence plus marquée de la Yougoslavie dans les affaires albanaise.“

[16] Po aty. Këtë letër nuk kam mundur ta gjejë.

[17] Po aty. „l`Italie craint que l`Albanie ne devienne Yougoslave

[18] Legata zvicerane në Jugosllavi drejtuar Departamentit Politik, Beograd, 24 janar 1953. Në: CH-BAR E2001E 1976-17 739 9.

[19] Po aty. „…Belgrade encourage la formation de telles associations et s’en sert à différentes fins, notamment pour montrer que les peuples de Yougoslavie nourrissent des sentiments d’amitié à l’égard des peuples de ces pays qu’ils ne confondent pas avec leurs dirigeants actuels à la solde de Moscou.“

[20] Po aty. „…Parmi eux, cependant, se glissent parfois quelque agent des services de sécurité albanais: c’est l’envers de la médaille.

[21] Po aty.

[22] Departamentit Politikdrejtuar z. Enrico Celio, ministër i Zvicrës në Itali, konfidenciale, 3 shkurt 1953, në: CH-BAR E2001E 1976-17 739 8; Departamentit Politik drejtuar z. Cari T. Stucki, ministër i Zvicrës në Greqi, konfidenciale, 3 shkurt 1953, në: CH-BAR E2001E 1976-17 739 7.

[23] Letër politike, 24 nëntor 1953,legata zvicerane në Jugosllavi drejtuarDepartamentit Politik, në: CH-BAR E2001E 1976-17 739 6. „Ce n’est qu’avec l’Albanie que les Rapports restent mauvaifq. Une tentative de régler les nombreux incidents de frontière par la négociation d’un accord instituant une commission bipartite, come avec Hongrie, la Bulgarie et la Roumanie, a sombre dans des injurefq. Mais il semble que les Albanais viennent de présenter de nouvelles propositionfq. Ils auront été chapitres par Moscou.“

Shpërndaje

Comments are closed.

« »