Cilat shpresa i mbaj shumë vite në zemrën time?

Feb 2 • Meditimi i ditës

2 shkurt 2019 – E shtunë, Kushtimi i Zotit në tempull (festë), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Mal 3,1-4 (ose: Heb 2,14-18); Ps 24,7-10; Lk 2,22-40)

 

Prania e Hyjit

“Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë shërbëtori yt në paqe siç the ti vetë, sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve” (Lk 2,29)

Ndërsa i dëgjoj këto fjalë, a mund të bëhem i/e vetëdijshëm/e që tani jam në praninë e Hyjit, se edhe unë jam shërbëtor i Hyjit dhe se unë jam pjesë e kësaj historie shpëtimi?

 

Liria

Shumë vetë në këtë moment janë duke pësuar tmerret e luftës.
E përuli kokën në shenjë falënderimi për lirinë personale
dhe lus për të gjithë të burgosurit dhe të robëruarit.

 

Ndërgjegjësimi

Në ç`gjë jam duke e gjetur momentalisht në jetën time shpresën, guximin dhe zhvillimin?
Duke i sjell ndër mend disa muaj të mëparshëm,
a jam i/e aftë t`i vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryt të mirë?
Nëse i kam vërejtur fusha të tilla,
do të vendosi që edhe në të ardhmen t`u siguroj hapësirë dhe kohë.

 

Fjala

Kaloje këtë kohë duke e përqendruar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment (nëse je në dhomë). Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, dëgjo, lutu.

 

Lk 2, 22-40

 

22 Kur, sipas Ligjit të Moisiut, u mbushën ditët e pastrimit të tyre, e çuan në Jerusalem, për t’ia kushtuar Zotit, ‑ 23 siç shkruan në Ligjin e Zotit: ‘Çdo i parëlindur mashkull le t’i kushtohet Zotit’ ‑ 24 dhe për të dhënë flinë siç thuhet në Ligjin e Zotit; ‘një palë turtuj ose dy zogj pëllumbash.’

25 Në Jerusalem asohere jetonte një njeri, që quhej Simon. Ishte njeri i drejtë dhe i përshpirtshëm. Priste Ngushëllimin e Izraelit e në të ishte Shpirti Shenjt. 26 Shpirti Shenjt ia kishte zbuluar se s’do të vdiste pa e parë Mesinë e Zotit. 27 I nxitur prej Shpirtit Shenjt erdhi në Temull. Kur prindërit e sollën Jezusin Foshnjë për të kryer rregulloren e Ligjit mbi të, 28 Simoni e mori para duarsh, falënderoi Hyjin e tha:

29 “Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë

shërbëtori yt në paqe

siç the ti vetë,

30 sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin

31 që ti e bëre gati

në sy të të gjithë popujve:

32 Dritën që bën të të njohin Ty paganët

e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.”

33 Prindërit e tij çuditeshin për sa thuhej për të.

34 Atëherë Simoni i bekoi dhe i tha Marisë, nënës së tij:

“Shih! Hyji e caktoi këtë Fëmijë të shkaktojë rrënim e ngritje për shumëkënd në Izrael. Do të jetë edhe shenjë të cilës njerëzit do t’i kundërshtojnë. ‑ 35 (edhe ty vetë një shpatë do ta tejshkojë shpirtin) ‑ që të zbulohen shestimet e zemrës së shumëkujt.”

36 Ishte asohere edhe Ana profeteshë, bija e Fanuelit, prej fisit të Aserit, shumë e vjetër. Pas vajzërisë së vet jetoi në martesë gjithsej shtatë vjet 37 kurse, si grua e vejë, arriti deri në tetëdhjetekatër vjet. Ajo nuk e lëshonte Tempullin. I shërbente Hyjit ditë e natë me agjërim e me lutje. 38 Pikërisht në atë moment arriti edhe ajo dhe filloi të lëvdojë Hyjin dhe t’u tregojë për këtë foshnjë të gjithë atyre që prisnin shpërblimin e Jerusalemit.

39 Pasi kryen gjithçka duhej bërë sipas Ligjit të Zotit, u kthyen në Galile, në qytetin e vet, Nazaret.

40 Fëmija rritej, forcohej e merrte fuqi përplot me urti ‑ dhe hiri i Hyjit ishte në të.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Në këtë lexim na jepet një përshkrim i personit të Simonit – paraqitet si një plak, i cili për shumë vite kishte qenë duke pritur me besim dhe shpresë, duke shikuar drejt së ardhmes ardhjen e të Zgjedhurit, atij që do të sillte çlirimin dhe paqen në një botë të trazuar. A mund të identifikohesh me të? A mund ta imagjinosh se si i kaloi ai ato vite – si i përjetoi ai ato? Ndoshta ekzistojnë shpresa që i ke mbajtur shumë vite në zemrën tënde, duke pritur me besim se kanë për t`u përmbushur një ditë?
  • Lajmi i Mirë është se Simoni nuk është i zhgënjyer: Ai që e kishte pritur gjatë gjithë jetës së tij hyn në tempullin e tij. Me sytë e besimit, Simoni e dallon se kush ishte ky fëmijë i vogël dhe e lavdëron Hyjin. Imagjinoji për një moment ndjenjat e Simonit në atë moment, pasi e merr fëmijën në krahë.
  • Ndërsa e dëgjon historinë përsëri, dëgjo veçanërisht atë që thotë Simoni – fjalët e tij drejtuar Marisë dhe Jozefit dhe fjalët e tij drejtuar vetë Hyjit – çfarë ka për të thënë për këtë fëmijë, Mesinë e pritur gjatë.

 

Bashkëbisedimi

A mund të flas me Zotin tani për atë që dëshiroj, atë që po pres? – dhe cilat shenja do t`i njihja si përmbushje e këtyre shpresave të mia?

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty. Këta rreshta më flasin për familjen tënde, Jezus. Nga ana e lindjes të detyronte Ligji hebre. Pas tetë ditëve qe rrethprerë, që ishte shenjë e Besëlidhjes me Hyjin. Katërdhjetë ditë pas lindjes tënde nëna e jote Maria e kaloi procesin e pastrimit në Tempull dhe kushtoi dhuratën e parashikuar për këtë gjë: qengj për të pasurit, kurse dy turtuj për të varfrit.

Shpirti Shenjt “ishte” në Simonin. A është zemra ime e qetë dhe e hapur apo jam plot probleme dhe kërkesa, kështu që nuk ka vend për pushimin e Shpirtit?

Simoni”falënderoi” Hyjin. Falënderimi është veçanërisht formë e gëzueshme e lutjes. Ka shumë gjëra për të cilat duhet të të falënderoj e të bekoj, o Zot, duke filluar me ekzistencën time. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »