Radio Maria e Kosovës festoi 6 vjetorin e transmetimit – zëri i krishterë në familjet shqiptare

Feb 2 • Kisha në Kosovë

Në një atmosferë lutjeje dhe dashamirësie, me praninë e meshtarëve, rregulltarëve, shekullarëve, vullnetarëve e shumë të pranishmëve tjerë, Radio Maria e Kosovës festoi 6 – vjetorin e themelimit dhe transmetimit të zërit të krishterë, e cila mbulon 80 % të territorit të Kosovës.

E marta e 29 janarit ishte festë në studiot e Radio Marisë së Kosovës, jo vetëm për stafin, por edhe për shumë vullnetarët, që ndihmuan në realizimin e programit festiv dhe jo vetëm.

Festa më pas u zhvendos në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, me kremtimin e meshës së shenjtë, në orë 18:00, të udhëhequr nga Drejtori i Radio Marisë së Kosovës, Mons. Lush Gjergji.

Veprimtaria e punës së Radio Marisë, nuk mund të realizohet pa ndihmën vullnetmirë të shumë dëgjuesve dhe bamirësve, të cilët edhe pse jo me praninë fizike, u kujtuan në mënyrë të veçantë gjatë lutjeve të besimtarëve. Meshën festive të 6 vjetorit, edhe më shumë e zbukuroi dhe e lartësoi kori i studentëve, që njëherësh përfaqësojnë gjithë famullitë e Ipeshkvisë Prizren-Prishtinë, me zërin e lutjes.

Pas kremtimit të meshës së shenjtë, të pranishmit u ftuan në ambientet e Qendrës “BogdaniPolis”, për të ndjekur programin e përgatitur nga vullnetarët e Radio Marisë, së bashku me pastoralin studentor të Dioqezës.

Të pranishmit u përshëndeten me fjalë rasti nga Drejtori i Radios, Mons. Lush Gjergji, nga Presidenti, Prof. Ilir Rodiqi, me ç’rast shprehi mirënjohjen për gjithë ata që me punë vullnetare apo me ndihmë financiare i qëndrojnë pranë Radio Marisë së Kosovës. Prof. Rodiqi, theksoi se: “Radio Maria në thelb është një radio dhuruese, si nga koncepti ashtu edhe nga përmbajtja. Sepse, çka e bën të veçantë Radio Marinë, është shpirti Marian, një shpirt i përvujtërisë dhe i dhurimit. Radio Maria, synon të krijojë një atmosferë në të cilën pasqyrohet bashkëjetesa ne Jezu Krishtin. Për këtë arsye, Radio Maria është radio e juaj, e dëgjuesve, një shtëpi në të cilën takohet Ati, Nëna, vëllezërit dhe motrat shpirtërore”. 

Përmbajtjen e programit të Radio Marisë së Kosovës, para të pranishmëve e shpalosi zv. drejtori i radios, Don Shtjefën Dodes, ku ndër të tjera prezantoi dhe falënderoi për angazhimin me emisione të ndryshme, meshtarët, laikët, vullnetarët.

Mbrëmjen më të këndshme e bënë studentët e Pastoralit studentor në krye me Don Alfred Sokolin, me dramën e titulluar “Çka ndodhë gjatë meshës”. Me aktrimin e shkëlqyer të studentëve u shpalosën disa nga përjetimet që një besimtar/e ka gjatë meshës shenjte, tundimet, shpërqendrimet dhe kthimin shpirtëror.

Një falënderim të veçantë meriton kori i Kishës së Famullisë së Pejës që me praninë e tyre  argëtuan gjithë të pranishmit me këngë  kishtare, argëtuese dhe qytetare  në festën e organizuar në Qendrën BagdaniPolis.

Përgatiti: Belinda Lleshaj – Çuni & Angjelina Pergega

Shpërndaje

Comments are closed.

« »