Si ndihem kur dikush që e njoh ka sukses?
3 shkurt 2019 – E diela 4-të gjatë vitit (C), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Jer 1,4-5.17-19; Ps 71,1-4a.5-6b.15ab.17; 1Kor 12,31 – 13,13; Lk 4,21-30)
Prania e Hyjit
Zot i dashur, më ndihmo që të çelem krejtësisht me ty,
sepse tani po i lë anash të gjitha brengat e mia.
Mbushi mendimet e mia me paqe, me dashurinë tënde.
Liria
Zoti e njeh lirinë time, ajo për të nuk është e huaj.
Shpirti i Zotit është ai që u jep jetë dëshirave më të thella të zemrës sime,
që më udhëheq në mënyrën pa rënë në sy drejt të gjitha të mirave.
Lus për hirin e shenjtë që të lejoj të çlirohem nëpërmjet Shpirtit të Zotit.
Ndërgjegjësimi
Më ndihmo, o Zot, që të bëhem sa më i/e vetëdijshëm për praninë tënde.
Më mëso se si të të dalloj te të tjerët.
Ma mbush zemrën time me mirënjohje për të gjitha ato momente
kur nëpërmjet njerëzve të tjerë e ke treguar kujdesin tënd për mua.
Fjala
E lexoj, e dëgjoj tekstin e zgjedhur biblik fjalë për fjalë, mendim pas mendimi, siç e lexoj një letër nga një miku im i dashur. Lejoj që fjala e Zotit të gjejë jehonë brenda meje: vështroj, dëgjoj, besoj.
Lk 4,21-30
21 Atëherë u tha:
“Sot shkoi në vend kjo pjesë e Shkrimit të shenjtë që e dëgjuat me veshët tuaj.”
22 Të gjithë e miratonin dhe mrekulloheshin për fjalët e bukura që dilnin prej gojës së tij. Thoshin:
“Vallë, a nuk është ky biri i Jozefit?”
23 Atëherë u tha:
“Me siguri do të ma thoni atë fjalë: ‘Mjek, shëro veten!’ Gjithçka bëre, si dëgjuam, në Kafarnaum, bëj edhe këtu, në vendin tënd!’
24 Për të vërtetë po ju them ‑ vazhdoi ‑ asnjë profet nuk është i mirëseardhur në vendin e vet.
25 Për të vërtetë, prapë po ju them: në kohën e Elisë profet, kur qielli u ndry për tri vjet e gjashtë muaj dhe u bë uri e madhe në mbarë dheun, ishin shumë vejusha në Izrael, 26 dhe te asnjëra ndër to nuk u dërgua Elia, përveç te vejusha në Sareptë të Sidonisë. 27 Në kohën e Elizeut profet kishte shumë të gërbulur në Izrael dhe asnjë prej tyre nuk u pastrua përveç Naamanit Sirian.”
28 Këto fjalë i mbushën me zemërim të gjithë ata që ishin në sinagogë. 29 U çuan në këmbë, e hodhën jashtë qytetit, e çuan në buzë të malit, mbi të cilin është i ndërtuar qyteti i tyre, për t’ia thyer qafën në greminë. 30 Por, ai kaloi përmes tyre e vijoi rrugën e vet.
Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?
Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:
- “A nuk është ky biri i Jozefit?” Vendasit e Jezusit e kontestuan suksesin e tij dhe faktin se ata të gjithë”e miratonin dhe i mrekulloheshin.” Si ndihem kur dikush që e njoh ka sukses? A jam xheloz/e, a kam smirë?
- “Por, ai kaloi përmes tyre e vijoi rrugën e vet.” Jezusi ishte njeri, por e kishte kontrollin mbi jetën e vet. Ai është një person misterioz. Askush s`mund t`ia merrte jetën, ai vetë vullnetarisht do ta japë. Do t`i bashkohem Jezusit ndërsa i hidhëruar e lëshon Nazaretin.
- E dëgjoj edhe një herë pjesën e ungjillit dhe vërej ç`po ndodh në zemrën time.
Bashkëbisedimi
Fjalët nuk po më vijnë lehtë, o Zot.
Shiko në zemrën time dhe shih se sa shumë e dëshiroj paqen.
Më ruaj, o Zot. E di që gjithmonë je pranë meje.
Përmbyllja
Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma ke dhënë gjatë këtyre pak momenteve që i kalova vetëm me ty. Përse të mbledhurit në sinagogë u kthyen kundër teje, Jezus? Thjesht për shkak se ajo çfarë kishte thënë për profetët Elinë dhe Elizeun donte të thoshte që oferta e Hyjit për shpëtim nuk është e kufizuar vetëm për Hebrenjtë, por është e zgjeruar edhe për paganët. Një implikim i tillë ka qenë mallkim për ata që veten e mbanin për “popull të zgjedhur” të Hyjit.
A është bindja ime fetare aq e kufizuar që të mos shoh që përzgjedhja jote, o Zot, është shumë më e gjerë se sa e imja? Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
« Radio Maria e Kosovës festoi 6 vjetorin e transmetimit – zëri i krishterë në familjet shqiptare A ke takuar njerëz me besim të gjallë? »