A ke takuar njerëz me besim të gjallë?

Feb 4 • Meditimi i ditës

4 shkurt 2019 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Heb 11,32-40; Ps 31,20-24; Mk 5,1-20)

 

Prania e Hyjit

“Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t`ju çlodh“.

Ja ku jam, o Zot.

Kam ardhur ta kërkoj praninë tënde.

Me afsh e dëshiroj fuqinë tënde që shëron.

 

Liria

Hyji nuk është trup i huaj në jetën time.

Përkundrazi, Shpirti i tij i jep jetë dëshirave të mia më të thella,

Duke më nxitur butësisht në atë çfarë është e mirë.

Lutem për hirin shenjtërues që t`i lejoj Shpirtit që të më mbushë me plotësi.

 

Ndërgjegjësimi

‘Asgjë mos të të shqetësojë, asgjë mos të të frikësojë. Ndërsa të gjitha gjërat zhduken, Zoti është i pandryshueshëm. Ji i/e durueshëm/e, sepse me Hyjin në zemrën tënde, asgjë nuk të mungon. Të mjafton Zoti.” Ndërsa i dëgjoj këto fjalë, a mund t`i lë një minutë shqetësimet, brengat dhe ndjenjat e mia të frikës dhe ta vendos mbështetjen time dhe gjithë besimin tim në Hyjin tim të dashur dhe besnik?

 

Fjala

Tani e lexoj, e dëgjoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.

Lexoj me vëmendje dhe kuptim,

dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më lë përshtypje.

 

Heb 11,32-40

 

32 Po çka të them më? Nuk do të më dilte koha të flas për Gjedeonin, për Barakun, për Samsonin, për Jeftin, për Davidin, për Samuelin dhe për profetët, 33 të cilët me anë të fesë nënshtruan mbetëri, vunë në veprim drejtësinë, fituan premtimet, mbyllën gojën e luanëve, 34 shuan fuqinë e zjarrit, shpëtuan nga tehu i shpatës, u shëruan nga sëmundjet, u dëftuan trima të fortë në luftë, smbrapsën ushtritë e të huajve. 35 Disa gra i fituan, me anë të ngjalljes, të vdekurit e vet. Të tjerë, të vënë në mundime, nuk e pranuan faljen, që të fitonin një ngjallje më të mirë. 36Prapë disa të tjerë sprovuan poshtërime, frushkullime, madje, edhe pranga dhe burgje; 37 u vranë me gurë, u sharruan, u prenë me teh të shpatës, u enden të veshur me lëkura delesh, me lëkura dhish, në skamje, të nëpërkëmbur, të marrë me të keq 38 – bota nuk ishte e denjë për ta – endeshin nëpër shkretëtirë, nëpër male, nëpër shpella dhe nëpër gropa dheu.

39 Të gjithë këta, edhe pse e morën dëshminë e mirë me anë të fesë, megjithatë, nuk morën çka u qe premtuar, 40 sepse Hyji prap ka diçka më të mirë për ne: që pa ne ata të mos e arrijnë përsosmërinë.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Shkrimtari këtu liston disa nga ata që u përballën me kundërshti të pabesueshme për Hyjin, heronj të besimit. Hyji u ngarkoi këtyre njerëzve detyra që, në kuptimin njerëzor, dukeshin të pamundura. Megjithatë ata i morën këto detyra me gëzim … me guxim … besim. Dhe, me ndihmën e Hyjit, fituan. A ta kujton e gjithë kjo ndokënd që e ke takuar apo e ke njohur në jetën tënde?
  • Ndërsa e shikon jetën tënde, cilët janë njerëzit që do t`i përshkruaje si të gjallë “nëpërmjet besimit”? Kush, për ty, është një shembull besimi nga mënyra se si e merr një qëndrim, ose vuan, ose ndoshta përballet me ndonjë sëmundje apo humbje, ose vetëm me uljet dhe ngritjet me të cilat përballemi të gjithë ne në jetë?

Ndërsa e dëgjon përsëri leximin, mendo për këtë: çfarë bëri Hyji në të kaluarën, Hyji mund të bëjë përsëri. Hyji i historisë është i njëjti Hyj që e adhurojmë sot.

 

 

Bashkëbisedimi
I flas Hyjit tani çfarëdo që ma thotë zemra. Mund të jetë që ta falënderoj Hyjin për jetën e atyre që kanë qenë shembuj besimi për mua ose t`i kërkoj hirin të forcohem në dëshirën time për të bërë çfarëdo që Hyji kërkon prej meje, ndoshta të jem një shembull besimi për të tjerët. Çfarëdo që të jetë, i flas tani Hyjit me fjalët e mia.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Zot, ti më njeh më mirë se unë e njoh veten time.
Shpirti yt e përshkon çdo moment të jetës sime.
Faleminderit për hirin dhe dashurinë që e ndikon mbi mua.
Faleminderit për ftesën tënde të vazhdueshme, të butë për të lejuar të hysh në jetën time.
Më fal për momentet kur e kam refuzuar atë ftesë, dhe e kam mbyllur veten para teje.
Më ndihmo që gjatë ditës të vij, ta njoh praninë tënde në jetën time, të ta çeli zemrën, që të lejoj të veprosh në mua, për lavdinë tënde më të madhe. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »