Sa është rritur besimi im në Jezusin nga besimi i të tjerëve?

Feb 5 • Meditimi i ditës

5 shkurt 2019 – E martë, Shën Agata, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Heb 12,1-4; Ps 22,26b-28.30-32; Mk 5,21-43)

 

Prania e Hyjit

Jezusin mund ta kërkojmë në çdo kohë të ditës a të natës.
Ai gjithmonë pret, duke përgjuar thirrjen tonë.
Çfarë bekimi i mrekullueshëm!
Nuk kam nevojë as për telefon as e-mail, vetëm një pëshpëritje.

 

Liria

Kur e ndiej veten të robëruar dhe kur gjithçka më tendosë, më ngarkon,

madje edhe atëherë kur rrezet e diellit nuk arrijnë në vendin ku ndodhem,

edhe atëherë, në heshtjen e heshtjes, shpirti im është i lirë dhe i papenguar.

Në këtë liri të shpirtit po të drejtohem ty.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Atij që pranon, shëron dhe ripërtërin
mund të jem i/e sinqertë në lidhje me mënyrat sesi kam arritur ta përjetoj dashurinë.

Si më kaloi dita dje?
Si po e ndiej veten në lidhje me mënyrën se si jam përgjigjur,
sesi kam ndërvepruar, sesi e kam hapur zemrën?
I ndaj ndjenjat e mia me Zotin.

 

Fjala

Tani e lexoj, e dëgjoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.

Dëgjoj me vëmendje dhe kuptim

dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më lë përshtypje.

 

Mk 5, 21-43

 

21 Kur Jezusi përsëri kaloi me barkë në anën tjetër, ngarendi tek ai turmë e madhe populli. Ai zuri vend në breg të detit. 22 Erdhi një nga kryetarët e sinagogës, që quhej Jair, e, kur e pa, ra në gjunjë para tij 23 dhe i lutej shumë: “E kam vajzën në fill të vdekjes! Eja, vëri duart mbi të që të shërohet e të jetojë!” 24 Jezusi shkoi me të.

I shkonte pas një turmë e madhe dhe furej rreth tij nga çdo anë.

25 Një grua ishte e sëmurë që prej dymbëdhjetë vjetësh nga derdhja e gjakut. 26 Hoqi shumë keq ndër mjekë të ndryshëm e shpenzoi gjithçka pati pa farë dobie ‑ por, ishte edhe më keq. 27 Ajo kishte dëgjuar për Jezusin, hyri në turmë e, pas shpinës, ia preku petkun Jezusit. 28 I thoshte mendja: “Nëse ia prek vetëm petkat, do të shërohem.”       29 Aty për aty iu ndal gjaku e në trupin e vet ndjeu se u shërua nga sëmundja.

30 Jezusi përnjëherë e ndjeu në vete fuqinë që shpërtheu prej tij, u soll në mes të turmës e tha:

“Kush m’i preku petkat?”

31 Nxënësit e tij iu përgjigjën:

“Po a s’e sheh popullin si të furet në katër anët e thua: ‘Kush më preku’“

32 Ai shikoi përreth për të parë atë që e kishte prekur.

33 Gruaja, plot frikë e tmerr, sepse e dinte se ç’i ndodhi, u afrua, ra me fytyrë për dhe para tij dhe tregoi tërë të vërtetën. 34 Ai i tha: “Bijë, feja jote të shpëtoi! Shko në paqe! Dhe ji e shëruar nga sëmundja jote!”

35 Ndërsa Jezusi ende po fliste, erdhën prej shtëpisë së kryetarit të sinagogës dhe i thanë: “Vajza jote vdiq. Pse ta trazosh më Mësuesin?” 36 Kur Jezusi dëgjoi ç’thanë, i tha kryetarit të sinagogës: “Mos ki frikë! Ti vetëm beso!” 37 Jezusi nuk lejoi ta përcjellë askush tjetër, përveç Pjetrit, Jakobit e Gjonit, vëllait të Jakobit. 38 Arritën te shtëpia e kryetarit të sinagogës. Jezusi vuri re një pështjellim të madh e njerëz që qanin e vajtonin me zë të lartë. 39 Hyri dhe u tha: “Pse bërtitni e vajtoni? Fëmija nuk ka vdekur, por fle.” Ata e përqeshën.

40 Jezusi atëherë i nxori përjashta të gjithë. Me vete mori të atin e t’ëmën e fëmijës e përcjellësit e vet dhe hyri atje, ku ishte fëmija. 41 E kapi fëmijën për dore e i tha: “Talitha kum!” që do të thotë: “Vajzë, unë po të them: çohu!” 42 Vajza aty për aty u ngrit e nisi të ecë. Ishte dymbëdhjetë vjeçe. Të gjithë mbetën pa masë të habitur. 43 Jezusi u urdhëroi rreptësisht të mos ia tregojnë askujt ngjarjen dhe u tha t’i japin vajzës të hajë.

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Gruaja kishte vuajtur shumë dymbëdhjetë vjet. “Ajo kishte shpenzuar gjithçka pati” në kërkim të një kurimi, shërimi. Ajo kishte provuar gjithçka, por nuk kishte bërë më mirë. Në fakt ajo kishte bërë edhe më keq. Ndalu një çast, provo dhe imagjinoje se si e ndiente veten, vuajtjen e saj, dëshpërimin e saj …
  • Jo vetëm që ishte fizikisht keq, por sipas Ligjit ajo konsiderohej e papërshtatshme për të adhuruar Hyjin dhe e paaftë për të ndenjur me të tjerët. Thjesht mendoje një çast edhe se si mund të jetë ndjerë kur e refuzonin dhe izolonin njerëzit e tjerë.
  • Pasi i ka duruar të gjitha këto me vite të tëra, ajo kthehet te Jezusi si mjetin e fundit. Duke provuar çdo shërim tjetër që bota ka për të ofruar, ajo më në fund kthehet tek ai. Ndërsa e dëgjon sërish leximin, imagjinoje se si zhvillohen kjo skenë dhe vë re se si Jezusi i përgjigjet asaj.

 

Bashkëbisedimi

Kur kjo grua bie me fytyrë për dhe para Jezusit dhe i tregon tërë të vërtetën, zëri që dëgjon është ai i kuptimit, pranimit dhe shërimit. Tani flit me Jezusin. Çfarë mirëkuptimi, pranimi apo shërimi dëshiron të dëgjosh prej tij? Çfarë ‘të vërtete të tërë’ dëshiron t’i tregosh atij?

O Zot, e di që fjalët nuk janë të nevojshme kur të drejtohem ty.

Ti shikon në thellësinë e zemrës sime.

I njeh dëshirat dhe nevojat e mia.

Po lëshohem në duart e tua.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty. Gruaja e sëmurë kishte dëgjuar për ty, Jezus. Ajo çka kishte dëgjuar i dha hirin e besimit se do të shërohej vetëm në qoftë se do t`i prekte rrobat e tua. Sa e ka ngritur në mua besimin ajo që unë kam “dëgjuar” për ty, Jezus? Kam çka të mësoj prej kësaj gruaje.

Pasi e ngjalle vajzën, Jezus, ti u the njerëzve, që “vajzës t`i japin diçka për të ngrënë.” Shpesh të  imagjinojmë si dikë nga një botë tjetër, por ti, Jezus, mbështeteshe fort me të dyja këmbët në këtë tokë. Jep një këshillë praktike pas mrekullisë – që vajza të hajë! Të lutem, o Zot, që të di të jem praktik për veten dhe për njerëzit – trupat tanë janë po aq të rëndësishëm sa shpirtrat tanë. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »