Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë komuniste sipas dosjeve të diplomacisë zvicerane (IV)

Feb 5 • Histori, Kulturë

Nga Zef AHMETI, Zvicër

 

 

IV. Nga vëllazëria ideologjike në akuzat reciproke të spiunazhit

 

Marrëdhëniet midis vendeve komuniste Jugosllavisë dhe Shqipërisë rëndohen ndër të tjera gjithashtu edhe me ngritjen e akuzave të ndërsjella për veprime spiunazhi. Ambasadori Ziegler në Beograd informon Departamentin Politik me anë të një telegrami (17.2.1959), se pala jugosllave i ka drejtuar qeverisë shqiptare një notë proteste me një gjuhë mjaft të ashpër („en termes très énergiques“) për veprimet e spiunazhit kundër Jugosllavisë („concernant activité espionnage contre Yougoslavie“).[1] Në këtë notë jugosllave flitet për sabotimin kundër Marshall Tito dhe Jugosllavisë dhe se këto veprime do të rrezikojnë paqen në këtë pjesë të Europës. Në këtë njoftim potencohet po ashtu se përfaqësuesi shqiptar në Beograd z. Rako Naco ka refuzuar pranimin e notës nga qeveria Jugosllave.[2]

Më 15 gusht 1959, ambasadori zviceran në Beograd informon se është kthyer në detyrë ministri i Republikës Popullore të Shqipërisë, Pirro Koçi, i cili vitin e kaluar ishte larguar për shkak të konfliktit jugosllav-shqiptar. Kjo u bë e mundur sepse në rrethana tjera ata që merren me këto raporte do t`i kishte frymëzuar për tituj e komente se ky është një çelës për marrëdhëniet midis Moskës dhe Beogradit, duke zbuluar vetë qëllimet e Kremlinit.[3] Sepse që nga gushti 1959, tensionet amerikano-sovjetike kishin ndikim në të gjithë situatën ndërkombëtare dhe se marrëdhëniet e Jugosllavisë me fqiun e saj të vogël shqiptar ishin të deformuara.[4] Marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve mbesin edhe më tutje të tensionuara. Po ashtu edhe në vitin 1960 diplomacia zvicerane në Beograd informon se të ngarkuarit me punë në ambasadat e të dy vendeve nuk kanë pothuajse fare kontakt me ministritë e jashtme të vendeve përkatëse.[5] Për të njoftuar më tepër për këto marrëdhënie të tensionuara ambasada zvicerane në Beograd përkthen edhe një artikull nga serbishtja në frëngjisht që ishte publikuar në gazeta e Beogradit, Borba, e dt. 16 tetor 1960, ku shkruhet se si janë trajtuan diplomatët jugosllavë nga pala shqiptare.[6] Në artikullin me autorë R. Balajski, thuhet se kushtet në të cilat punojnë dhe jetojnë zyrtarët e Ambasadës Jugosllave në Tiranë janë shumë të pafavorshme për shkak të sjelljes së autoriteteve shqiptare ndaj ambasadës së Beogradit në Tiranë. Përkundër protestave të shumta situata e personelit të ambasadës jugosllave në Tiranë nuk është përmirësuar. Gazetari përmend rastet që ai i quan si “të paprecedent”. Me tutje thuhet se diplomatët jugosllavë tashmë në kufi duhet t`iu nënshtrohen një procedure të komplikuar. Ata janë duke u kontrollohen në imtësi e me kujdes dhe se kjo sjellje është bërë një obsesion i autoriteteve kufitare shqiptare. Taktikat vonuese në lëshimin e vizave ose shoqërimi i diplomatëve nga një eskortë policore deri në Tiranë. Në Tiranë, çdo diplomat jugosllav shoqërohet nga 2-3 persona kudo dhe në çdo hap. Por, edhe se kushtet e punës në ndërtesën përfaqësuese nuk janë adekuate, energjia elektrike ndërpritet, materialet e ndërtimit nuk sigurohen ose, siç ishte rasti në mars 1959, kur përfaqësia jugosllave donte të sillte material rindërtimi nga Jugosllavia për riparimet në rezidencën Jugosllave, materiali u ndalua në kufi. Qasja në trajtimin mjekësor për diplomatët jugosllavë dhe familjet e tyre vështirësohet dhe i nënshtrohet një kontrolli të ashpër. Kjo qasje e vështirë në trajtimin mjekësor në artikull u kritikua si “mungesë e ndjenjës humanitare”. Se në maj të vitit 1960 përkthyesi shqiptar ka dhënë dorëheqjen nga ambasada jugosllave, gjë që shkaktoi vështirësi të konsiderueshme në kryerjen e punëve të ambasadës. Kur u pyet autoriteti shqiptare se ku ishte përkthyesi, ata përgjigjen se ai ishte i sëmurë dhe nuk do të kthehet më. Si dhe fakti që të afërmeve jugosllav në Shqipëri nuk u lejohet t`i shfrytëzojnë shërbimet e përfaqësisë së Jugosllavisë. Pengesat me të cilat ndeshet përfaqësia e Jugosllavisë të shkaktuara nga autoritetet shqiptare nuk janë vetëm shkelje e detyrimeve kontraktuale që i pengojnë ata të punojnë dhe jetojnë atje, porse ata atje persekutohen dhe torturohen psikologjikisht. Kjo gjendje po zgjat që prej dhjetë vite. Më 2 mars 1961 qeveria jugosllave njofton se “si pasojë e qëndrimit vazhdimisht armiqësor të autoriteteve shqiptare, ata personelin e ambasadës së tyre në Tiranë e kanë reduktuar në minimum“.[7] Sipas palës jugosllave nuk mund të pritet prej stafit të Jugosllavisë në kryeqytetin shqiptar të përballoj diskriminimin, trajtimin e keq dhe fyerjeve përballë të cilave ajo u është ekspozuar.[8]Në atë kohë, qeveria e Beogradit konkludonte në mënyrë specifike se më 22 shkurt 1961, një punonjës i ambasadës jugosllave u rrah nga policia shqiptare pa asnjë arsye sabënte pazarnë treg. Diplomati zviceran më tej informon: “përfaqësuesi jugosllav në Tiranë, Vujiviç, më 4 mars u kthye në Beograd me një pjesë të personelit dhe tani kjo do të thotë për diplomatët e këtushëm shqiptarë se ata duhet të kthehen në atdheun e tyre deri në një të vetmin“.[9] Nga ana tjetër, më 2 dhe 3 mars 1961 u zhvillua një proces i madh gjyqësor para gjykatës së rrethit në Prizren për spiunazh, me ç’rast “te dy të akuzuarit shqiptarë pranuan të jenë porositur nga shërbimi sekret (Sigurimi) për propagandë irredentiste brenda rajonit autonom të Kosovës dhe Metohisë me qëllim të rikthimit të kësaj zone nën sovranitetin territorial të Shqipërisë. Edhe këtu, qeveria jugosllave ka shkruar një notë diplomatike, e cila megjithatë është refuzuar nga autoritetet shqiptare.[10]

Për akuzat e palës jugosllave diplomati zviceran shkruan, se ambasadori austriak në Beograd, i akredituar nga qeveria e tij edhe për Shqipëri, i cili sapo ka bërë udhëtimin e tij të parë në Tiranë më ka siguruar se jeta e disa kolegëve perëndimorë që janë në lëvizje (italian, francez, turk) nuk është shumë më e këndshme se ajo që paraqitet në artikullin e bashkangjitur.[11]

 

V. Komploti greko-amerikan-jugosllav kundër Shqipërisë

 

Në vitet 1960 propaganda u përhap edhe në Tiranë se kishte një “komplot greko-amerikan-jugosllav” kundër Shqipërisë. Për këtë propagandë ambasadori zviceran në atë kohë shkroi: “Si e tillë njëherit mund të konsiderohet si një gjë absurde e ripërsëritur, sipas të cilës Greqia dhe Jugosllavia së bashku me flotën e 6-të amerikane po përgatisin një sulm ndaj Shqipërisë, e cila ka për qëllim ndarjen e Republikës Popullore“.[12] Ambasadori zviceran në Beograd informon Departamentin Politik në detaje rreth kërcënimit të përhapur, përkatësisht komplotit në fjalë. Në një “lettre politique“ të përfaqësuesi zviceran në fund të nëntorit 1961 informohet rreth ndërhyrjes së mundshme të Jugosllavisë në Shqipëri u konsiderua si vlerësim “përtej cakut” – si i pamundshëm dhe, shikuar prej këndvështrimit të Beogradit, “duhet të quhet edhe si e veçantë duke marrë parasysh se këto thashetheme të tilla përhapen nga postet që duhet të merren seriozisht“, shkruan diplomati, sepse si në Beograd ashtu edhe Moskë e dinë se çdo përpjekje për të bërë një rregullim kufitar ose shkelje të integritetit shtetëror apo territorial në Evropë mund të shpije në komplikime të paparashikuara.[13] Për më tepër, jo vetëm Italia, por edhe Greqia do të reagonin shumë keq për plane të tilla, se për shkak se ajo mban një “nostalgie profonde” për ish koloninë saj të mëparshme, kjo për shkak të interesit të saj të shquar për Epirin verior shqiptar (me Gjirokastrën dhe Butrintin) dhe të tensioneve të përhershme me Maqedoninë dhe maqedonasit.[14] Kundër kësaj flet edhe fakti se sekretari i shtetit jugosllav për punët e jashtme, i cili tash së fundmi i ka nënvizuar ambasadorit grek politikën e tij strikte “hands off” ndaj Shqipërisë, pasi nga Tirana edhe një herë u trumbetua për rrezikun e një komploti greko-amerikan-jugosllav kundër integritetit territorial shqiptar.[15]

Nga ana tjetër roli i jugosllavëve në “nxitjen e një revolucioni brenda Shqipërisë” nuk mund të mohohet. Diplomati zviceran thotë se atij i ka siguruar kolegu polak që ka qenë në detyrë në Athinë prej 1956 deri me 1959 dhe prej 1959 me detyrë në Beograd, se komunistët jugosllavë, pavarësisht nga spastrimet mizore dhe përndjekjet e Enver Hoxhës dhe të tjerëve, ende kanë simpatizantë të shumtë e të efektshëm në Shqipëri që presin me durim për momentin e tyre dhe se vazhdojnë ta informojnë përherë – (Jugosllavinë, sic)-për zhvillimet.[16] Departamenti Politik informohet për popullatën e Republikës Popullore të Shqipërisë (1.5 milionë) si dhe për “zonën fqinje Kosmet-in (Kosovën e Metohinë)”, se ka një popullsi prej 800,000 banorësh kryesisht shqiptarë e myslimanë. Për shkak se kufiri i gjatë 500 km është pothuajse i pakontrollueshëm „spiunohet pa ndërprerë“.Përveç kësaj, një numër i madh, pjesërisht “refugjatë të shquar, nga perandoria e Enver Hoxhës, janë aktiv në Kosmet“. Diplomati zviceran beson, se është brenda kufijve të mundësisë, që komunistët jugosllavë, në marrëveshje me ose të paktën jo kundër Moskës, do të bëjnë të rrëzojnë diktaturën e Hoxhës.[17]

Lidhur me thashethemet se Italia dhe Turqia po e përdorin thyerjen e Shqipërisë me Bllokun Lindor për të rritur ndikimin e tyre nuk është e vërtetë, thotë diplomati zviceran, sepse të dy kolegët e tij italianë dhe turq i konsiderojnë këto thashetheme të shpikur nga ajri, dhe se personeli diplomatik i të dy vendeve në Tiranë mbetet i kufizuar në një minimum të rreptë. Kështu pra supozimi mbetet i justifikuar, thotë diplomati, se Shqipëria për momentin do të mbetet e izoluar dhe me ndihmën e Kinës do të përpiqet të çlirohet nga gjendja e vështirë ekonomike.[18]

Në Beograd kishte ende një shqetësim për zhvillimet e ardhshme në Tiranë. Ky shqetësim u justifikua nga fakti i “përpjekjeve të Greqisë për të përfituar më së shumti nga kjo situatë, në një moment kur marrëdhëniet greke-jugosllave janë tendosur përsëri për shkak të çështjes maqedone“.[19]

Që kur regjimi komunist në Shqipëri përshëndetet prej patronazhit rus, ai i drejtohet atij kinez. Diplomati zviceran informon Departamentin Politik për protokollet e nënshkruara midis Kinës dhe Shqipërisë më 13 janar 1962: Marrëveshje për dhënien e një kredie kineze Shqipërisë; për furnizimin me pajisje kineze dhe asistencë teknike për Shqipërinë;për përdorimin e kredisë kineze në vitin 1962; protokolli i komisionit për bashkëpunim shkencor dhe teknik dhe protokolli për mallrat dhe pagesat për vitin 1962.[20] Megjithatë, marrëveshja më e rëndësishme thuhet se është lidhur në fund të dhjetorit 1961 lidhur me themelimin e një kompanie të anijeve kinezo-shqiptare (lexo: kineze).[21]

            Hendeku i krijuar nga largimi i pranisë ruse në Shqipëri ka lënë probleme edhe për ekonominë shqiptare, tha diplomati: „Vihet re se pothuajse e gjithë industria në Shqipëri është ndërtuar dhe vendosur nga rusët. Mirëmbajtja dhe furnizimi i pjesëve ishin plotësisht në duart e tyre. Tërheqja totale e personelit rus dhe ndërprerja e të gjitha dërgesave nuk mund të kompensoheshin nga ndihma kineze. Vetëm për këtë arsye Shqipëria është e detyruar të kërkojë një lidhje në Perëndim.

Më 20 janar u njoftua se në Varshavë u nënshkrua një protokoll për shkëmbimin e mallrave Poloni-Shqipëri për vitin 1962. Sipas kësaj Tirana furnizon polakët në rend të parë me krom, asfalt, bakër dhe pambuk dhe merr pajisjet teknike, koks, metale të mbështjella, tekstile etj. Polakët do t`i vazhdojnë marrëdhëniet kontraktuale tregtare tashmë të vendosura edhe në vitin e ardhshëm.

Si më konfirmon kolegu im austriak, qeveria e tij miratoi hapjen e Ambasadës Shqiptare në Vjenë, por nuk ka ndërmend të bëjë të njëjtën gjë edhe në Tiranë. Ambasadori Geertz do të vazhdojë të përfaqësojë vendin e tij në Shqipëri nga Beogradi. Pas një ndërprerje prej dy vitesh ai ka në plan të shkoj përsëri në Tiranë në mars të këtij viti për të rivendosë kontakte. Momentalisht atasheu ushtarak francez në Beograd, kolonel Baudet, është atje.

Polemikat e ashpra midis Tiranës dhe Beogradit vazhdojnë dhe nuk ka indikacione se dy shtetet komuniste të shkëputura nga Moska në të ardhmen e afërt do mund të afrohen më shumë.“[22]/drita.info

-vazhdon –

 

Fotografia në ballinë nga Kastriot Dervishi (FB)

 

————-

[1] Telegram nr. 10, Beograd, 17.2.1959 20h00, në: CH-BAR E2001E 1976-17 739 5.

[2] Po aty. „La charge d’affaires albanaise à Belgrade, m. Rako Naco, a refusé d’accepter cette note du gouvernement de la Yougoslavie.“

[3] Legata zvicerane drejtuar Departamentit Politik, 15 gusht 1959, në: CH-BAR E2001E 1976-17 739 4. „En d’autres circonstances, ce retour eût défrayé la chronique et inspiré les commentaires de ceux qui suivent à la loupe l’état des relations albano-yougoslaves comme étant un indice des rapports entre Moscou et Belgrade, eux-mêmes révélateurs des intentions du Kremlin.“

[4] Po aty. „que les relations de la Yougoslavie avec son petit voisin albanais en sont devenues crépusculairefq.

[5] Legata e zvicres në Jugosllavi drejtuar z. ministrit Robert KOHLI, sekretar gjeneral i Departamentit Politik, Beograd, 31 tetor I960, në: CH-BAR E2001E 1976-17 739 3. „Les Chargés d’affaires de l’un et de l’autre pays n’ont presque aucun contact avec le Ministère des Affaires étrangères de leur pays de résidence.“

[6] Po aty.

[7] Shkresë politike. Ambasadori zviceran në Beograd drejtuar sekretarit gjeneral në Departamentin Politik, 7 mars1961, në: E 2001(E)1976/17/ 258.

[8] Po aty.

[9] Po aty.

[10] Po aty.

[11] Ambasadori zviceran në Beograd, Ganz, drejtuar z. ambasadorit Pierre Mioheli, sekretar gjeneral i Departamentit Politik, Beograd, 27 nëntor 1961, në: CH-BAR E2001E 1976-17 739 2. „L’Ambassadeur d’Autriche à Belgrade, également accrédité par son Gouvernement en Albanie, vient de faire son premier voyage à Tirana et m’a assuré que la vie des quelques collègues occidentaux surplace (Italie, France, Turquie) n’est pas beaucoup plus agréable que ce qui ressort de l’article annexé.“

[12] Po aty. E 2001(E)1976/17/ 258.

[13] Po aty. E2001E 1976-17 739 2.

[14] Po aty.

[15] Po aty.

[16] Po aty.

[17] Po aty.

[18] Po aty.

[19] Ambasadori zviceran në Beograd, Ganz, drejtuar z. Pierre Mioheli, sekretar gjeneral i Departamentit Politik, letër politike, Beograd, 24 janar 1962, në: CH-BAR E2001E 1976-17 739 1.

[20] Po aty.

[21] Po aty.

[22] Po aty.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »