Pesë botët e të rinjve

Feb 5 • Bota e të rinjve

Nga Mihály Szentmártoni*, Romë

 

Po deshëm t’i kuptojmë të rinjtë, duhet, së paku shkurtimisht, të njohim çfarë ndodh me ta gjatë procesit të pjekurisë. Gjithashtu, duhet të kuptojmë se transformimi nga fëmijëria kah mosha e pjekurisë nuk është një dukuri shoqërore, por është një dukuri e brendshme, një ristrukturim dinamik i psikes, i shpirtit të të riut. Ky proces fillon në pubertet, kurse përfundon rreth të tridhjetave. Boelen flet për “pesë botët e të rinjve[1]. Të mbështetur në analizat e tij do t’i përcjellim të rinjtë në rrugën e tyre të pjekurisë.

 

1. Bota e “paharmnishme” e pubertetit – Shenjat e para të pubertetit lajmërohen në trupin e të rinjve: pjesët e trupit rriten në mënyrë disproporcionale; duart, këmbët dhe hunda rriten të mëdha gati sa të një njeriu të pjekur, kurse koka dhe trupi janë ende me dimensione të fëmijës. Duket sikur bie harmonia e rritjes. Këto ndryshme fizike të jashtme lënë shenja të thella në psiken e tij. Një i ri në pubertet me pamjen e tij të jashtme dallon nga të tjerët. Por, përveç kësaj, trupi i tij, i cili deri tani ishte një mjet i dëgjueshëm i komunikimit, tani përnjëherë e refuzon dëgjimin: gjestet nuk janë në harmoni me fjalët, mimika nuk harmonizohet me ndjenjat. Trupi që ishte pjesë e tij, dmth. trupi-subjekt, përnjëherë shndërrohet në një trup të huaj, një botë e panjohur, bëhet trup-objekt.

Tani te i riu shfaqet qartë tendenca e të bërit filozofi: për shkak të humbjes së trupit,  kënaqësinë e kërkon në botën e ideve. Hapi i parë në zbulimin e botës së ideve, është zbulimi i strukturimit të saj. Kjo është njëra nga tiparet më të rëndësishme të kësaj periudhe: magjia për strukturën. Kjo magji vjen në shprehje te prirja për mbledhje grumbullim të gjërave të vçanta, pastaj te prirja për të dhënë pseodonime, që ata me një lehtësi të madhe u japin të tjerëve: janë ato definicione të zgjedhura me shkathtësi të njeriut që jepen në bazë të disa vijave karakteristike. Është shumë interesante se as të rinjtë nuk hidhërohen kur ju jepen pesodonime të tilla. Nga kjo, mund të lexohen dy gjëra: njëra, se të tjerët i kuptojnë, dhe e dyta, se ata janë pjesë e diçkaje. Shenjat tjera të kësaj magjie për strukturën i gjejmë tek grupet e fshehta të të rinjve, të cilat kanë struktura të veçanta: udhëheqësin, rregullat, rituale të fshehta, betimin. Kjo është një trajnim për jetën e ardhme shoqërore, në të cilën njeriu duhet të pranojë varësinë e strukturave që nuk e ka krijuar vet.

 

2. Bota e zgjeruar e paradoleshencës – I riu, para adoleshencës, i tëri është i zhytur në botën abstrakte, përkatësisht në botën e ideve. Ai e zbulon botën e mendimit abstrakt dhe logjik, si dhe botën e shkencës. Shpesh dhe me kënaqësi diskuton vetëm për të diskutuar. Bota e ideve dhe e imagjinatës nuk njeh kufij: në mendime dhe imagjinatë bëhet aventurist, kërkues i vendeve të largëta, e me ëndje lexon udhëpërshkrime. Sfondi karakteristik i këtij niveli të zhvillimit është ajo që do ta quanim magjia e të panjohurës. Grishja dhe magjia për të panjohurën vërehet tek interesimi për hobi dhe dëshirat e mbledhjes së gjërave: me ëndje bën eksperimente kimike e të tjera, interesohet për elektricitetin, modelon. Klubet rituale i ndërron me grupe rinore. Qëllimi i tyre është ta çlirojë adoleshentin nga identiteti prindëror që ia kanë imponuar. Përherë dhe për gjithçka thirret tek ata, dmth. te miqtë e tij, me ta njëjtësohet për çdogjë: në veshje, në mënyrën e të folurit, sjelljes, mendimit. Roli pozitiv i grupeve qëndron edhe tek mësimi i rregullave fair play, dmth. tek parimet e lojës së ndershme: për të fituar duhet të investosh. Grupi, në fakt, e përjashton pamëshirshëm çdo disident që nuk i respekton normat në gjithçka. Para disa viteve kemi lexuar në gazeta për rastin tragjik të një vajzë japoneze 13 vjeçare, e cila ia kishte marrën jetën vetes për shkak se grupi i saj e kishte quajtur “tradhtare dhe qyqare”.

 

3. Bota negative e adoleshencës – kjo periudhë e zhvillimit zakonisht llogaritet të jetë rreth 14-16 vjet te djemtë, ndërsa 13-14 vjet tek vajzat. Karakteristike e kësaj moshe është pasiguria e brendshme totale, mospranimi i asnjë autoriteti, mistifikimi dhe rebelimi. Kjo periudhë konsiderohet negative, sepse adoleshenti radikalisht dhe pa asnjë arsye mbyllet edhe ndaj miqve të deritanishëm; mërzitet, nuk i intereson asgjë, ndihet i vetmuar. Bredh pa qëllim, rri vetëm, është i pakuptueshëm, nervoz, nuk di çfarë të bëjë me vetveten. Në asgjë e askund nuk gjen kuptim, për të asgjë nuk ka ndonjë domethënie. Nuk e kupton vetën dhe e pyetet nëse është normal. I duket të jetë një marrëzi thjesht të jetohet.

Kjo periudhe e adoleshencës zakonisht kuptohet gabimisht ose nuk kuptohet fare. Neve na intereson këtu, së pari, jeta e brendshme e adoleshentit: çfarë ndodh me të dhe çfarë përjeton? Duket se tema qendrore e përjetimit të tij është përvoja e pamjaftueshmërisë personale. Ai e zbulon kalueshmërinë, përkatësisht mosdomosdoshmërinë e tij dhe të gjitha gjërave të krijuara. Bota do të ekzistonte shumë lehtë edhe pa të, prandaj nuk ka kuptim ekzistenca e tij. Ky zbulim tregon njëkohësisht edhe anën pozitive të këtij negativiteti: zbulimi, hetimi i transcendencës, ekzistenca e vlerave dhe normave objektive, zbulimi i varësisë personale dhe hapi i parë drejt kthimit te vetja në nivelin reale.

Periudha negative nxitë një ndjenjë pafuqie edhe te adoleshenti, por edhe te prindërit e te edukatorët. Çfarëdo që prindërit bëjnë në këtë drejtim, s’vlen. Për fat të keq, duket se nuk ekziston ndonjë parim koherent pedagogjik që do të mund ta porosisim për këtë periudhë. Ndoshta, i vetmi këshillë është ky: të mundohemi ta kuptojmë pozitivisht dhe të presim të kalojë. Kjo është një periudhë e prerjes psikike të kordonint të kërthizës e, thuajse, ka shumë pak që mund të bëjmë përveçse të presim të ndodh sipas natyrës së vet.

 

4. Zgjimi i botës të gjithëpushtetshëm i unit personal – Ndonëse përherë është e rrezikshme të lidhen me moshën periudhat e zhvillimit, më së paku do të gabojmë nëse do të themi se këtu kemi të bëjmë me djelmoshat e moshës 15-16 vjeç. Karakteristika e kësaj moshe është vetëdijesimi i adoleshentit, përkatësisht ai bëhet vetëdijshëm për veten e vet. Duket sikur është zgjuar nga një gjumë i thellë: e shikon botën e çuditshme me të fshehta të shumta, me plotë kuptim dhe premtime. Përnjëherë nuk ndjehet i vetmuar. Në fakt, ende e do vetminë, por ajo nuk shprehet si mërzi; dëgjon muzikë, me orë të tëra bredh nëpër vende të ndryshme të vetmuara, shtrihet në bar e i pëlqen të ëndërrojë. Ndjenja kryesore që ak është pikërisht magjepsja. Vetminë e tij e mbush me magjepsjen e vetvetes. Kjo është mosha kur mbisundon magjepsja e unit personal. Ai e kërkon vetminë që të mund të përjeton magjepsjen e vetes. Adoleshenti këtu mbërrin në fund të rrugës kah pjekuria – tani është koha të hyjë në rrugën e pjekurisë. Për këtë i ka tani të gjitha kushtet, përveç njërës: vetëkritikën.

Në këtë fazë adoleshenti e ndjen vetën i gjithëpushtetshëm: krejt qenia e tij është e përshkuar me ndjenjën e gjithëpushtetësisë (capax universi). Mundësitë për të nuk kanë kufij. Përshkrimi letrar i kësaj ndjeje të gjithëpushtetësisë dhe moskritikës, e gjejmë te Dostojevski, në romanin e tij të njohur Adoleshenti. Arkadij Andrejević Dolgoruki, adoleshent, kështu rrëfehet:  

Ideja ime është – të bëhem Rotschild. Lus lexuesin të rrijë i qetë dhe serioz.

E përsërisë: ideja ime është të bëhem Rotschild, gjithashtu i pasur si Rotschild; jo thjeshtë i pasur, por sikur Rotschild. Për çfarë arsye, pse, cilat janë qëllimet e mia – për këtë do të flas më vonë. Së pari do të argumentoj që matematikisht është e verifikueshme se do ta realizoj qëllimin tim.

E gjithë kjo është e thjeshtë dhe krejt fshehtësia qëndron te dy fjalë: qëndrueshmëria dhe pashkëputshmëria.

Pastaj, duke llogaritur në ankesa të mundshme, e argumenton se si e ka të garantuar suksesin. Këtu nuk është e rëndësishme aq shumë përmbajta e idesë, por filozofia që e frymëzon adoleshentin: njeriu është i aftë për gjithçka, nuk ka gjëra që nuk mund të arrihen me qëndrueshmëri dhe pashkëputshmëri. Është kjo filozofia krarakterisike e adoleshentit në këtë periudhë të zhvillimit.

Në psiken e adoleshentit ende nuk është e pranishme ndjenja e kufizimit personal. Në bazë të kësaj ndjenje capax universi, të qenët i gjithëpushtetshëm, mund t’i kuptojmë mirë shfaqjet e njohura të adoleshentit: absolutizmin, idealizmin, ekzagjerimin, argumentimin kokëfortë të gjërave përkundër qartësisë të së vërtetës ndryshe etj. Adoleshenti e përjeton vetën si qendra e botës. Të qenit i hapur, liria, ekspozimi ndaj rrezikut dhe entuziazmi i tij nuk njohin kufij. Akoma nuk ka arritur të kuptoj se ai nuk është i vetëm në botë.

Ky radikalizëm e nxitë adoleshentin të kritikojë dhe të refuzojë çdo vlerë tradicionale, përkatësisht institucion: shkollën, kodin moral, normat shoqërore, partitë politike, Kishën e organizuar. Është i obsesionuar prej reformës së botës së kalbur. Ky mision kompleks, natyrisht i irriton të rriturit. Kjo përqasje e adoleshentit tregon edhe më shumë të qenunit e tij tepër konfident se ai i di të gjitha, madje në mënyrën më të mirë të mundshme.

Adoleshenti, në fakt, duhet patjetër të shqyrtojë në mënyrë kritike të gjitha vlerat e deritanishme dhe ato që kanë qenë të ofruara nga jashtë duhet t’i pranoj si të vetat. Para së gjithash, kemi të bëjmë me vlerat e mëdha të përgjithshme, siç janë dashuria, mirësia, nderi etj. Edhe diçka tjetër e karakterizon këtë periudhë: zbulimi i të bukurës. Jo vetëm bëhen të bukura natyra dhe bota e jashtme, por edhe ai bëhet i bukur. Fillon përsëri të kujdeset për vete, ta mban vetën dhe me orë të tëra rri pranë pasqyrës. Shfaqja e ndjenjës për të bukurën, adoleshentin e përgatit për kthim definitiv në botën e njerëzve, e në mënyrë të veçantë e përgatit për takimet e para heteroseksuale.

 

5. Rinia – bota e vendimeve personale. Është fillimi i moshës së rritur. I riu tani duhet të gjejë zgjidhje për probleme konkrete, siç është thirrja e jetës, statusi shoqëror dhe martesa. Ndoshta, për shkak të këtyre çështjeve, kjo periudhë zgjatë më së shumti: te vajzat nga 18-28 vjet, kurse te djemtë nga 20-30 vjet. Megjithatë, edhe këtu vlen: nuk është e rëndësishme nëse i riu do të jetë i suksesshëm në sytë e të tjerëve, por nëse do të jetë i aftë që vendimet për jetën t’i merr për kënaqësinë e tij personale. Këto vendime do t’i japin jehon gjithë jetës së tij të mëvonshme.

Nëse duam, deri diku, t’i kuptojmë të rinjtë, përherë duhet të kemi parasysh jo vetëm sjelljen e tyre të jashtme, por edhe lëvizjet e brendshme që kanë shkaktuar ato. Sepse edhe ata vetë nuk e kanë krejt të qartë pse e bëjnë një gjë apo një gjë tjetër. Nëse duam t’iu ndihmojmë në zhvillimin e tyre, në rrugën e tyre drejt pjekurisë, së pari duhet t’i kuptojmë. Kjo përqasje do të na ndihmojë që reagimet tona mos të jenë shprehje e problemeve të pazgjidhura dhe frustrimeve, por një provë e vetëdijshme e atij dialogu që ka filluar ndërmjet prindërve dhe fëmijëve në momentin e lindjes të mos shuhet, por nëpërmjet kërkimeve rinore të kalojë në dialog ndërmjet personave të pjekur./drita.info

 

*Është jezuit, psikolog dhe atë shpirtëror, me një përvojë të gjatë në fushën e konsultave psiko-shpirtërore. Aktualisht është profesor i psikologjisë në Universitetin Papnor Gregoriana në Romë. 

Ky shkrim është pjesë e librit të tij të njohur për të rinjtë në gjuhën kroate: “Svijet mladih. Psihološke studije”, i botuar në Zagreb, në vitin 2007. Libri është në proces të përkthimit në gjuhën shqipe nga Don Shtjefën Dodes & Don Fatmir Koliqi.

————–

[1] Khs. P. BOELEN, Personal Maturity: The Existential Dimension, New York, 1978, 55 dhe ff tjera.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »