Te e zakonshmja ta shohësh të jashtëzakonshmen

Feb 6 • Meditimi i ditës

6 shkurt 2019 – E mërkurë, Shën Pal Miki dhe shokët, m., MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Heb 12,4-7.11-15; Ps 103,1-2.13-14.17-18a; Mk 6,1-6)

 

Prania e Hyjit

Ndalem një moment, i vetëdijshëm se Hyji është këtu.

E marr me mend se si gjithçka rreth meje,

ajri të cilin e marrë, i tërë trupi im,

rrezaton praninë e Hyjit.

 

Liria

Lehtë është të biesh në grackën e pasurisë së kësaj bote.

Më jep hirin, o Zot, që të mund të jem i lirë nga lakmia dhe egoizmi.

Ma kujto se gjërat më të mira në jetë janë falë – gratis.

Dashuria, buzëqeshja, përkujdesja dhe bashkimi.

 

Ndërgjegjësimi

Si po e ndjej veten përnjëmend? I pabrengosur? I turbulluar?
Ndoshta jam i qetë, i lumtur se ekzistoj.
Por ndoshta i frustruar, i brengosur dhe i zemëruar.
E pranoj atë çfarë ndjej përnjëmend.
Sepse Hyji më do pikërisht të tillë siç jam përnjëmend.

 

Fjala

Do t`i jap vetes kohë që ta dëgjoj Fjalën e Hyjit me mend e zemër,

dhe do të ndalem në atë fjalë apo ngjarje që më prek, që më flet persoalisht.

 

Mk 6,1-6

 

1Jezusi u nis prej andej e shkoi në vendin ku u rrit.

E përcollën edhe nxënësit e tij. 2 Kur erdhi e shtuna, filloi të mësojë në sinagogë. Shumica e dëgjuesve çuditeshin e thoshin:

“Nga i vijnë këtij këto? Ç’është kjo dije që iu dhurua? Po këto mrekulli të mëdha që bëhen nga duart e tij? 3 Po a nuk është ky zdrukthëtar, i biri i Marisë, vëllai i Jakobit, i Jozetit, i Judës, i Simonit? Po a nuk janë këtu ndër ne motrat e tij?”

Kështu u bë për ta arsye e mosbesimit në të.

4 Jezusi u tha: “Profeti ndahet pa nder vetëm në vendin e vet, në farefisin e vet dhe në shtëpinë e vet.” 5 Dhe nuk mundi të bëjë aty asnjë mrekulli, përveç se shëroi disa të sëmurë duke vënë mbi ta duart. 6 E çuditej për mosbesimin e tyre.

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt

 

  • Jezusi kthehet në vendlindjen e tij … ai vjen si mësues. Megjithatë, mësimet e tij nuk mirëpriten me admirim, por me përbuzje! A mund të të kujtohet një kohë kur ke qenë shumë shpejt i/e shpërfillur apo refuzuar nga ata që janë më afër teje, ata që të njohin shumë mirë? Si ndihet njeriu në atë situatë?
  • Tash ktheje anën një çast … A mund t’i identifikosh ata përreth teje, njerëzit që i njeh mirë, të cilët shumë shpesh shpërfillen ose poshtërohen? Sa e rëndësishme do të duhej të ishte porosia para se t’i merrje ata me seriozitet?
  • Ndërsa e dëgjon lexim përsëri, imagjinoje skenën, shikoji fytyrat e njerëzve të vendlindjes së Jezusit. Dëgjoje atë që ata thonë për të. A mundet një njeri i tillë i mrekullueshëm të vijë nga një qytet kaq i zakonshëm?

 

Bashkëbisedimi

I kërkoj Zotit tani çdo gjë që mendoj se mund të kem nevojë, ndoshta një rritje në besim, ose ndoshta aftësi për të parë fuqinë dhe dashurinë e Zotit në të gjitha gjërat e zakonshme, si dhe gjërat e mahnitshme rreth meje. Flas me Zotin dhe dëgjoj atë që ai ka për të ma thënë.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty. Jezus, u ktheve në vendlindjen tënde, në Nazaret, dhe ballafaqohesh me një skepticizëm përkundër gjitha mrekullive që i kishe bërë. Mençuria jote dhe veprat e fuqishme ishin enigmë për farefisin dhe vendasit e tu.

Shpesh herë flasim për të tjerët dhe i gjykojmë duke menduar se i njohim, dhe në të vërtetë nuk i njohim aq mirë siç mendojmë. Na ndihmo të lutem të dimë t`i çmojmë njerëzit dhe gjërat e zakonshme. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »