Përgatitja për jetën martesore dhe familjare

Feb 6 • Familja

Nga Don Lush Gjergji  

 

Përgatitja për jetën martesore dhe familjare duhet të jetë në dy nivele, personale dhe familjare.

Personale, që ta kemi formimin tonë njerëzor, fetar, moral, kulturor, për ta njohur, pranuar dhe zhvilluar vetveten në çdo aspekt.

Familjare, për t’u njohur, përgatitur dhe zhvilluar në harmoni me të tjerët, anëtarët e familjes, si përgatitje e largët edhe për partneritet martesor.

Kush ka përvojë negative në edukim gjatë fëmijërisë dhe rinisë, në nivelin personal dhe familjar, është në gjendje të konflikteve të pazgjedhura, shpesh atë e bart edhe në jetën martesore, me shpresë se do t’i zgjidhë ato pothuaj në mënyrë automatike dhe spontane.

Gabimi bazik i shumë të rinjve është ky: janë thellë të bindur se mjafton gjetja e një vajze apo djali të bukur, të shëndoshë, të mençur, simpatik, mundësisht edhe të pasur…, dhe çdo gjë do të jetë në rregull gjatë tërë jetës martesore dhe familjare…

Po të ishte kështu, shumica, mos të them të gjithë, do të ishin të lumtur…

E vërteta bazë është kjo: Pa Zotin – Dashuri, nuk ka as njeri, si pikënisja e jetës së krishterë, pra, edhe e asaj martesore dhe familjare.

Kultura e sotme materialiste dhe hedoniste e trajton seksin si një lloj “malli” për shkëmbim dhe harxhim, pa ndonjë rregull dhe përcaktim moral. Bile kjo dukuri ka shkuar aq larg sa që manipulohet edhe me shprehje apo parime si kjo: trupi është i imi dhe unë bëj më të çka dua, çka më pëlqen, çka kam nevojë…!!!

Seksi, trupi, është një mjet i fuqishëm i komunikimit ndërnjerëzor, ndërgjinor dhe e karakterizon njeriun si mashkull dhe femër. Marrëdhënia apo lidhja seksuale është ndërgjinore, si e tillë akti më i lartë dhe më i shenjtë i komunikimit, dhurimit, dashurisë. Për ne të krishterët është i lejueshëm, i mundshëm, i pranueshëm dhe pëlqyeshëm vetëm në martesë. Çdo veprim i tillë paramartesor apo jashtëmartesor, është keqpërdorim i trupit, seksit, pra, i vetvetes dhe tjetrit, moment “shfrenimi” për epshe, mëkat i rëndë, një lloj “vjedhjeje” e jetës dhe lumturisë së tjetrit.

Shumë pyesin sot: përse është mëkat një lidhje dhe marrëdhënie seksuale mes dy personave të gjinive të ndryshme, nëse ata janë të lirë, kanë arritur moshën madhore, duan njëri-tjetrin, ndoshta edhe kanë qëllim serioze që më vonë edhe të martohen?

Përgjigja është shumë e thjeshtë, e qartë dhe bindëse për moralin e krishterë: sepse mungojnë kushtet bazë, përgjegjësia për njëri-tjetrin dhe për jetën e të tretit, fëmijës, si dhe kushti bazë, dashuria e cila vuloset dhe legjitimohet vetëm në sakramentin e kurorës së martesës.

 

Etika dhe përshpirtëria familjare

Etika është vlerësimi dhe ndikimi i  rregullit natyror, asaj që ka krijuar dhe dhuruar Zoti, dhe ka thadruar në natyrën dhe ndërgjegjen e njeriut. Etika e familjes është njohja dhe pranimi i jetës martesore sipas parimeve për të cilat folëm më parë: përplotësimi, dhurimi, dashuria, besnikëria, lindja dhe edukimi i jetës së re, fëmijëve.

Etika martesore dhe familjare është nderimi, pranimi, trajtimi i tjetrit si person – njeri si dhe mundësimi i realizimit  të përbashkët në dy – në martesë dhe në familje.

Martesa, pra, është bashkimi i dy personave njerëzore, burrë dhe grua, në dashuri, të cilët lirisht zgjedhin njëri-tjetrin, pëlqehen, pranohen, jetojnë në dashuri dhe së bashku gjatë tërë jetës, të hapur ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj jetës, si të tillë janë bashkëkrijues.

Ky komunikim nuk është vetëm trupor, seksual, por përfshin tërë personin dhe është shprehje e nderimit, pranimit, dhurimit, dashurisë dhe lumturisë së ndërsjellët.

Mu për këtë është së pari shprehje e dashurisë së Zotit për njeriun, e nga kjo, edhe e njëri-tjetrit. Dashuria burimin e ka në Zotin, si dhurim i plotë, falas, pa kushte, dhe pa Të njeriu nuk është i aftë për të pranuar dhe dhuruar dashuri.

“Dashuria ndaj të afërmit është masa e dashurisë për Zotin(Edit Stein).

 Kjo thënie mund të zbatohet bukur edhe në jetën bashkëshortore.

“Arkitekti” i dashurisë mes Atit dhe Birit është Shpirti Shenjt, pra, edhe mes qiftit martesor. “Dua të them: jetoni nën ndikimin e Shpirtit Shenjt e nuk do t’i kryeni veprat e mishit e të gjakut” (Gal 5, 16).

“Një grua e bukur u pëlqen syve, ndërsa një grua e mirë i pëlqen zemrës. E para është bukuri, e dyta është pasuri (Honore de Balzac). /drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »