Si sillem me refuzimin dhe dështimin?

Feb 7 • Meditimi i ditës

7 shkurt 2019 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Heb 12,18-19.21-24; Ps 48,2-4.9-11; Mk 6,7-13)

 

Prania e Hyjit
Gjatë ecjes sonë këtë ditë, qëndro me ne, o Atë i shenjtë, e na udhëzo.

Qoftë kjo lutja ime sot. Ajo më aftësoftë që ta njoh afërsinë e Zotit, këtu, tani.

Kurrë mos e harrofsha afërsinë e tij në jetën time.

Në këtë çast i lejoj vetes të duhem nga Zoti, që ai të më gjallërojë dhe udhëheq.

 

Liria

Në realizimin e lirisë së brendshme më së shpeshti më bllokon prirja ime

që lejoj të robërohem me frikën dhe pritshmëritë çfarë do të nevojitej apo do të duhej të isha.

Reagimet e mia të zakonshme më pengojnë që t`i kërkoj fusha të ndryshme të zhvillimit dhe rritjes sime.

Do të lus për një ndjenjë më të madhe të lirisë së brendshme

dhe që të mund të arrij diçka të re nga ajo çfarë Hyji kërkon prej meje.

 

Ndërgjegjësimi
Në praninë e Atij që
pranon, shëron dhe ripërtërin
mund të jem i/e sinqertë në lidhje me mënyrat sesi kam arritur

ta përjetoj dashurinë.

Si kaloi dita e djeshme?
Si po e ndiej veten në lidhje me mënyrën se si jam përgjigjur,
sesi kam ndërvepruar, sesi e kam hapur zemrën?
I ndaj ndjenjat e mia me Zotin.

 

 

Fjala

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Mk 6, 7-13

 

7 Atëherë [Jezusi] i thirri të Dymbëdhjetët e nisi t’i dërgojë dy nga dy dhe u dha pushtet mbi shpirtrat e ndytë. 8 U urdhëroi të mos marrin në udhëtim asgjë tjetër, përveç shkopit: as bukë, as strajcë, as para bakri në brez, 9 por të mbathin vetëm sandalet e të mos veshin dy palë petka.

10 Dhe u thoshte:

“Kudo që të hyni në ndonjë shtëpi, rrini aty derisa të largoheni nga ai vend. 11 Po qe se ndokund nuk ju pranojnë dhe nuk ju dëgjojnë, dilni dhe shkundni pluhurin nga këmbët tuaja si dëshmi kundër tyre.”

12 Ata shkuan dhe u predikuan njerëzve kthimin kah Hyji. 13 Dëbonin shumë djaj, lyenin me vaj shumë të sëmurë dhe i shëronin.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Ndërsa i dërgon të dymbëdhjetët në misionin e tyre, Jezusi u jep udhëzime mjaft specifike rreth trajtimit të pranimit dhe refuzimit, suksesit dhe dështimit. ‘Nëse jeni të mirëpritur, qëndroni. Nëse nuk jeni, shkundni pluhurin nga këmbët tuaja dhe vazhdoni.’ Është një këshillë mjaft e thjeshtë – është e qartë, do të mund të thoshe – por jo gjithmonë është ndjekur. A jam zënë ndonjëherë ngushtë për të pranuar bujarinë, mirëpritjen apo mbështetje nga njerëzit e tjerë, sikur unë me të vërtetë duhet të kisha qenë në gjendje t`ia dal pa to?
  • Dhe kur has në refuzim ose dështim, a e “shkund pluhurin nga këmbët” dhe vazhdoj, apo e marr personalisht, dhe ndihem i/e lënduar dhe i/e zemëruar, dhe lejoj të më gërryejë e gjitha kjo përbrenda?
  • Jezusi është gjithashtu mjaft specifik për mënyrën se si këta pasues, nxënës të tij do të sillen gjatë udhëtimit, duke mos u mbështetur në burimet e tyre, por në mirësinë e të huajve, në mirëseardhjen e atyre që i takojnë. Ndërsa e dëgjoj përsëri leximin, ndoshta mund të pyes veten, a janë këto fjalë të Jezusit që përshkruajnë mënyrën se si veproj unë, si një nga dishepujt, nxënësit e tij sot?

 

Bashkëbisedimi

Do të ishte shumë e lehtë ta vërej se ku nuk arrij t’i përmbahem standardeve që Jezusi vendos këtu dhe të ndjehem fajtor ose i gjykuar ose thjesht “jo aq i/e mirë”. Por thelbi i këtyre fjalëve është pozitiv, për të më inkurajuar dhe për të më siguruar: Kur jam duke vepruar për Hyjin, “Zoti do të sigurojë,” – Zoti do të më japë ndihmën që kam nevojë. Çfarë ndihme, çfarë hiri nga Hyji kam nevojë tani për tani më së shumti? Me fjalët e mia, a mund t’ia kërkoj Zotit atë hir?

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Pushteti mbi shpirtrat e këqij që nxënësit e morën është zgjatje e vetë pushtetit tënd, Jezus. Kushtet serioze të punës që ti, Jezus. i vendos shërbejnë që të dymbëdhjetët nevojitet të besojnë në Hyjin, dhe jo në të mirat materiale, nëse dëshirojnë që misioni i tyre të ketë sukses.

Po e pyes veten: Çka më pengon dhe më mban që nuk mundem të udhëtoj pa “shumë çanta”? Më liro, o Jezus! Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »