Zoti është me mua edhe kur (nuk) ndihem mirë

Feb 8 • Meditimi i ditës

8 shkurt 2019 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Heb 13,1-8; Ps 27,1.3.5.8b-9c; Mk 6,14-29)

 

Prania e Hyjit

“Kush banon nën mbrojtjen e të Tejetlartit, do të qëndrojë nën hijen e të Gjithëpushtetshmit. Do t’i thotë Zotit: “Strehimi im, kështjella ime, Hyji im, do të shpresoj në të.

Ai do të të bëjë hije me krahët e vet. Nuk do të frikësohesh prej tmerrit të natës, as prej shigjete që fluturon ditën… e keqe nuk do të të gjejë. Sepse engjëjve të vet urdhër u dha të të ruajnë në të gjitha udhët e tua.” (Ps 91)

 

Liria

Zot, bëj që kurrë mos ta marrë dhuratën e lirisë
si diçka të mirëqenë.

Ti ma ke dhënë bekimin e madh të lirisë së shpirtit.

Mbushe shpirtin tim me paqen Tënde dhe
Gëzimin Tënd.

 

Ndërgjegjësimi

Në këtë moment, o Zot, po i drejtoj mendimet e mia kah Ti.

Po i lë mënjanë punët dhe preokupimet e mia.

Po pushoj dhe rifreskohem në praninë tënde, o Zot.

 

Fjala

E lexoj, e dëgjoj tekstin e zgjedhur biblik fjalë për fjalë, mendim pas mendimi, siç e lexoj një letër nga një miku im i dashur.

Lejoj që fjala e Zotit të gjejë jehonë brenda meje: vështroj, dëgjoj, besoj.

 

Heb 13,1-8

 

1 Dashuria vëllazërore le të jetë e qëndrueshme!

2 Mos e lini pas dore mikpritjen, sepse me anë të saj, disa, pa ditur, pritën miq engjëjt! 3 Kujtoni të burgosurit, si të ishit edhe ju të burgosur me ta; të salvuarit – sepse edhe ju jeni ende në trup.

4 Martesa le të jetë plot nder ndër të gjithë dhe shtrati martesor i panjollë, sepse Hyji do t’i gjykojë fëlligështarët dhe kurorëthyesit.

5 Në sjelljen tuaj të mos ndikojë paraja! Jini të kënaqur me aq sa keni, sepse Hyji ka thënë: »Jo, nuk do të të lë, unë nuk do të të braktis në ditë të ngushtë!« 6 Këndej të mund të themi plot besim:

»Zotin e kam ndihmë

[edhe] nuk kam frikë:

çka mund të më bëjë njeriu?«

7 Mos i harroni eprorët tuaj, të cilët e shpallën fjalën e Hyjit: vëreni mbarimin e jetës së tyre e ndiqni fenë e tyre!

8 Jezu Krishti është i njëjtë dje e sot dhe do të jetë për amshim.

 

Çka dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jetojmë në kohë të vështira. Shumë prej nesh në këto çaste janë duke u përballur me vështirësi financiare, meqenëse janë të ballafaquar me pasigurinë për të ardhmen – madje edhe me papunësinë dhe të mos pasurit strehë. Nëse gjërat më shkojnë keq, është shumë e lehtë ta fajësoj Zotin se nuk po kujdeset për mua. A mund të kujtohet ndonjë kohë kur mund ta jesh sjellë kështu?
  • Në anën tjetër, nëse gjërat më shkojnë mirë, kur të tjerët janë duke vuajtur rreth meje, mund të ndihem i/e ngarkuar me faj, mohim apo mbrojtje. Autori i letrës drejtuar Hebrenjve jetonte në një botë të tillë të sikletshme. Por ai arriti disi t`i mbante të gjitha para Zotit. Të jetosh krah për krah me një vetëdije të mprehtë për Hyjin që është i pranishëm në të gjitha. Është një shpirtësi që mund të na frymëzojë sot. Ndërsa i dëgjon fjalët e tij, vë re ndonjë nga shembujt që ai jep lidhur me dashurinë e ndërsjellë që të lënë mbresa sot në mënyrë të re. Si të bën të ndihesh? … Çfarë nxit në ty të dëshirosh?
  • Ndërsa e dëgjon leximin për herë të dytë, pyete veten se si Hyji mund të jetë duke të të kërkuar t`i përgjigjesh brishtësisë që sheh në botën rreth teje. Ku mund t`i kushtosh më shumë vëmendje? Çfarë dëshiron të respektosh? Çfarë ndoshta të duhet të lësh të shkojë?

 

Bashkëbisedimi

Pra, mund të themi me besim: “Zotin e kam ndihmë [edhe] nuk kam frikë: çka mund të më bëjë njeriu? Këto janë fjalë të fuqishme, pa marrë para sysh se a i themi lehtë a jo. Pa marrë para sysh se a kemi një besim të tillë a jo. Mund të dëshirosh ta përmbyllësh këtë lutje duke folur me Zotin, duke besuar në Të, ose thjesht duke e lavdëruar Atë se është një ndihmëtar i tillë besnik.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve me ty. Zot, ti më njeh më mirë se unë e njoh veten time. Shpirti yt e përshkon çdo moment të jetës sime. Faleminderit për hirin dhe dashurinë që e ndikon mbi mua. Faleminderit për ftesën tënde të vazhdueshme, tëbutë për të lejuar të hysh në jetën time.
Më fal për momentet kur e kam refuzuar atë ftesë, dhe e kam mbyllur veten para teje.
Më ndihmo që gjatë ditës të vij, ta njoh praninë tënde në jetën time, të ta çeli zemrën, që të lejoj të veprosh në mua, për lavdinë tënde më të madhe. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »