Papa Françesku për Ditën Botërore të të Sëmurit 2019: “Falas morët, falas edhe jepni.” (teksti plotë)

Feb 8 • Këndvështrime, Kisha në botë

Të dashur vëllezër e motra,

“Falas morët, falas edhe jepni.” (Mt 10, 8). Këto janë fjalët e Jezusit kur i dërgoi apostujt për ta shpallur Ungjillin, që Mbretëria e tij të kumtohej nëpërmjet gjesteve të dashurisë falas.

Me rastin e Ditës së 27-të Botërore të të Sëmurit, që do të kremtohet në mënyrë solemne në Kalkuta të Indisë, më 11 shkurt 2019, Kisha, Nëna e të gjithë bijve të saj, para së gjithash të të sëmurëve, kujton që gjestet e dhurimit falas, sikur ato të Samaritanit të Mirë, janë rrugët më të besueshme të ungjillizimit. Kurimi i të sëmurëve ka nevojë për profesionalizëm e butësi, gjeste dhuruese, të menjëhershëm e të thjeshtë si një përdhelje, përmes të cilave tjetri e ndjen se është “i dashur”.

Jeta është dhuratë e Hyjit, sikur na porositë Shën Pali: “Çka ke që nuk e ke marrë?” (1 Kor 4, 7). Pikërisht pse jeta është një dhuratë, ajo s’mund të konsiderohet një posedim i thjeshtë apo një pronë private, para së gjithash kur kemi të bëjmë me arritjet e medicinës dhe bioteknologjisë, të cilat mund ta çojnë njeriun në tundimin e manipulimit të “pemës së jetës” (khs. Zan 3, 24).

Përballë kulturës të mënjanimit e të indiferencës, do të doja të them se dhurimi duhet të jetë paradigma, e cila është në gjendje ta sfidojë individualizmin dhe copëzimin shoqëror bashkëkohor, për të krijuar lidhje të reja dhe forma të ndryshme bashkëpunimi njerëzor ndërmjet popujve dhe kulturave. Dialogu, që është premisë e dhurimit, krijon hapësira marrëdhëniesh për rritjen e zhvillimin njerëzor, të afta t’i thyejnë skemat e ushtrimit të pushtetit në shoqëri. Dhurimi s’duhet të kuptohet si një aksion faljeje, pasi ajo e kërkon dhurimin e vetvetes. Nuk mund të reduktohet thjeshtë në një transfer prone apo ndonjë objekti. Dhurimi dallon nga falja, sepse ajo e bartë dhurimin e lirë të vetes dhe dëshirën për të krijuar një marrëdhënie. Dhurimi, pra, është një njohje e ndërsjellë, një tipar i domosdoshëm i indit social. Dhurim është reflektim i dashurisë së Hyjit, që e mbërrin kulmin vet në mishërimin e Birit dhe në zbritjen e Shpirtit Shenjt.

Çdo njeri është i varfër, nevojtar e ka nevojë për tjerët. Kur lindim, për të jetuar kemi nevojë për kujdesin e prindërve tanë, e kështu në çdo periudhë të jetës, secili prej nesh është i nga nevoja e të tjerëve. Përherë do të na përcjellë vetëdija e kufizimeve tona përballë dikujt apo diçkaje. Kjo gjendje është një kushtëzim që e karakterizon të qenunit tonë “krijesa”. Pranimi i kësaj të vërtete na fton të qëndrojmë të përvuajtë e të praktikojmë solidaritetin me guxim, si vlerë e domosdoshme e jetës.  

Një vetëdijesim i tillë na nxitë për një praktikë të përgjegjshme dhe përgjegjësuese, me qëllim për të promovuar të mirën e dyfishtë, personale dhe bashkësiore. Kur ne e konceptojmë vetën tonë, jo si një botë në vetvete, por si një person që për nga natyra është në marrëdhënie vëllazërore me të tjerët,  mund ta zhvillojmë një praktikë sociale të solidaritet të ngulitur në të mirën e përbashkët. Nuk duhet të kemi frikë ta konsiderojmë vetën tonë nevojtar për mbështetjen e tjetrit, pasi vetëm me forcat tona s’arrijmë t’i mposhtim kufizimet tona. Nuk duhet të kemi frikë t’i pranojmë këto kufizime, sepse Hyji vetë, në Jezusin, është përulur përvujtërisht (khs. Fil 2, 8) dhe vazhdon të përulet mbi ne e mbi varfëritë tona për të na ndihmuar dhe për të dhuruar ato të mira që ne vetë kurrë s’mund t’ia sigurojmë vetes.

Në këto rrethana të kremtimit solemn në Indi, dua të kujtoj me gëzim e admirim figurën e Shën Nënë Terezës, një model bamirësie, e cila e ka bërë të dukshme dashurinë e Zotit për të varfrit dhe të sëmurët. Siç pata pohuar me rastin e shenjtërimit, “Nënë Tereza, në gjithën jetën e saj, ishte shpërndarëse zemërgjerë e mëshirës hyjnore, duke u bërë për të gjithë e pranueshme nëpërmjet pranimit dhe mbrojtjes së jetës njerëzore, jetës së palindur dhe të braktisur e të hedhur. […] Ajo është përkulur te njerëzit e rraskapitur, të lënë të vdesin buzë rrugëve, duke e parë tek ta dinjitetin që vetë Zoti ua kishte dhuruar; ka bërë që zëri i tyre të dëgjohet prej të pushtetshmëve të kësaj bote, që ta pranojnë fajin e tyre për krimet […] e varfërisë që ata vetë e kanë krijuar. Mëshira ishte për të ‘kripa’, që i jepte shije çdo pune dhe ‘drita’, që shndriste errësirën e kujt s’kishte më as lot për të vajtuar mbi varfërinë e mundimet e veta. Misioni i saj në periferitë e qyteteve dhe në periferitë ekzistenciale, ngelet edhe në ditët tona dëshmia elokuente e afërsisë së Zotit për më të vafërit ndër të varfër.” (Homelia, 4 shtator 2016).

Shën Nënë Tereza na ndihmon të kuptojmë që i vetmi kriter i aksionit duhet të jetë dashuria e dhuruar falas ndaj të gjithëve pa dallim gjuhe, kulture, kombësie e religjioni. Shembulli i saj vazhdon të na prijë në hapjen e horizonteve të gëzimit e të shpresës për një humanitet me dhembshuri e përkëdhelje, posaçërisht për ata që vuajnë.

Dhurimi falas i njeriut është tharmi i veprimtarisë së vullnetarëve, që kanë kaq shumë rëndësi në sektorin shoqëror-shëndetësor e që e jetojnë qartas përshpirtërinë e Samaritanit të Mirë. I falënderoj dhe inkurajoj të gjitha shoqatat e vullnetarëve, që merren me transportin dhe me ndihmën për pacientët, si edhe ato që organizojnë dhurimin e gjakut, të indeve e të organeve. Një fushë e veçantë ku prania e juaj e shpreh kujdesin e Kishës është mbrojtja e të drejtave të të sëmurëve, posaçërisht të atyre të prekur me patologji që kërkojnë kujdes të veçantë, pa harruar fushën e sensibilizimit dhe të preventimit. Janë me rëndësi themelore shërbimet tuaja vullnetare në strukturat shëndetësore apo në shtëpi, shërbime që shkojnë nga ndihma shëndetësore në mbështetjen shpirtërore. Përfitojnë prej tyre shumë njerëz të sëmurë, të vetmuar, të moshuar, të brishtë nga ana psikike e fizike. Ju nxis të vazhdoni të jeni prani e Kishës në botën e shekullarizuar. Një vullnetar është një mik i painteres, të cilit mund t’i besojmë mendimet dhe emocionet; nëpërmjet dëgjimit ai krijon kushte për të sëmurin, që nga një objekt pasiv i kujdesit, të shndërrohet në një subjekt aktiv dhe protagonist i një marrëdhënie të ndërsjellë, i aftë të rikuperon shpresën dhe më i disponueshëm të pranojë terapitë. Vullnetarizmi dhuron vlera, sjellje dhe stile jete, që në qendër kanë tharmin e dhurimit. Në këtë mënyrë jetësohet humanizimi i kujdesit mjekësor.

Përmasa e dhurimit falas do të duhet të jetë shpirti i strukturave sanitare katolike, sepse është logjika ungjillore ajo që ua jep vlerën dhe e nxitë veprën e tyre, qoftë në pjesët më të zhvilluara, qoftë në pjesën më të mjera të botës. Strukturat katolike duhet të shprehin sensin e dhurimit, të shërbimit pa interes e të solidaritetit, si kundërpërgjigje ndaj logjikës së fitimit me çdo kusht, të mendësisë ‘më jep-të jap’, të shfrytëzimit, që nuk ka parasysh njerëzit.

Ju nxisë të gjithëve, në nivele të ndryshme, të promovoni kulturën e zemërgjerësisë e të dhurimit, e domosdoshme për të kapërcyer kulturën e përfitimit e të mënjanimit. Institucionet shëndetësore katolike nuk duhet të bien në afarizëm, por të shikojnë më shumë kujdesin për njeriun, sesa fitimin. E dimë se shëndeti është relacional, pra, varet nga marrëdhëniet me të tjerët dhe ka nevojë për mirëbesim, miqësi e solidaritet. Është pasuri, që mund të gëzohet ‘plotësisht’ vetëm nëse ndahet me të tjerët. Gëzimi i dhurimit falas, është treguesi i shëndetit të të krishterit.

Të gjithëve ju porosisë te Maria, Salus infirmorum. Ajo na ndihmoftë të bashkëndajmë dhuratat në shpirtin e dialogut dhe të pranimit të ndërsjelltë, të jetojmë si vëllezër dhe motra, të kujdesshëm njëri ndaj tjetrit, të dimë të dhurojmë me zemërgjerësi e ta mësojmë gëzimin e shërbimit falas. Me shumë dashuri, ju siguroj afërsinë time në lutje e ju përcjell Bekimin tim Apostolik.

Nga Vatikani, 25 nëntor 2018

E kremtja e Zotit tonë Jezu Krishtit, Mbret i gjithësisë

Françesku

———————————————

(Përkthimi: ©Rev. “DRITA”)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »