Jezusi na jep kuptimin, qëllimin dhe motivin e jetës

Feb 9 • Meditimi i ditës

9 shkurt 2019 – E shtunë, Shën Skolastika, virgjër, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Heb 13,15-17.20-21; Ps 23,1-6; Mk 6,30-34)

 

Prania e Hyjit

Ndalem një moment

dhe mendoj për praninë jetëdhënëse të Hyjit

në çdo pjesë të trupit tim, në gjithçka rreth meje,

në tërë jetën time.

 

Liria

O Zot, ma ke dhënë jetën dhe dhuratën e lirisë.
Unë ekzistoj në këtë botë falë dashurisë sate.
Më ndihmo që gjithmonë të di ta çmoj këtë dhuratë të jetës dhe që gjithmonë ta respektoj të drejtën e tjetrit për të jetuar.

 

Ndërgjegjësimi

Ndërsa je duke hyr në lutje sot, a je në gjendje të lirohesh nga çdo gjë që ta tërheqë vëmendjen dhe të përqendrohesh në thirrjen e Krishtit?

 

Fjala

Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.

Duhet ashtu ta dëgjoj në mënyrë që ta ndjej çfarë dëshiron të më thotë.

E dëgjoj tekstin biblik me mend e zemër.

 

Mk 6,30-34

 

30 Apostujt u bashkuan prapë te Jezusi dhe i treguan gjithçka kishin bërë dhe kishin mësuar. 31 Atëherë ai u tha: “Ejani dhe ju në një vend të pabanuar e pushoni pak në vetmi.” Sepse aty aq shumë njerëz vinin e shkonin sa që s’kishin kohë as të hanin. 32 Ata u nisën me barkë për në një vend të pabanuar, në vetmi. 33 Porse njerëzit i panë në ç’drejtim u nisën e shumica e morën me mend vendin ku do të shkonin dhe, në këmbë, prej të gjitha qyteteve, shkuan atje e arritën para tyre.

34 Kur Jezusi doli nga barka, pa një turmë të madhe të popullit, iu dhimsën, sepse ishin porsi ‘delet pa bari’, e filloi t’u mësojë shumë gjëra.

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt

 

·                   Prej kohe në kohë është mirë madje e rëndësishme të largohesh dhe të tërhiqesh në një vend të pabanuar dhe të pushosh si dhe të ushqesh zemrën duke dëgjuar fjalën e Zotit. Zemra e njeriut nuk zë vend. Dikush këtë uri njerëzore e shuan duke grumbulluar të holla, lavdi, amoralitet, synim për pushtet. Të jesh njeri i plotë do të thotë të kërkosh. Nuk kërkojmë vetëm ushqim, fakte apo gjëra, por kuptim. Kërkojmë qëllimin, motivin që na lëviz. Jezusi na jep kuptimin, qëllimin dhe motivin.

·                   Ndërsa po na afrohen kreshmët zëri i Jezusit na thërret që të tërhiqemi në vende të pabanuara.

 

Bashkëbisedimi

E filloj bisedën me Jezusin mbi tekstin e Shkrimit Shenjt që pikërisht e lexova.

Çfarë më nxiti më së shumti të mendoj?

Ndoshta nëpërmjet atij rreshti të tekstit në sipërfaqen e vetëdijes sime

ngadalë nga kujtesa dalin fjalët e mikut, apo ndonjë tregim që e kam dëgjuar para pak kohe.

Nëse është ashtu, a po e ndriçon tregimi atë çfarë mundohet të më thotë teksti i Shkrimit Shenjt?

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty. Jezus, ti e ke lënë masën e popullit edhe pse ishe i vetëdijshëm për nevojat e njerëzve. Me gjithë kërkesat dhe detyrimet dëshiroj edhe unë të ndaj kohë dhe të rri me ty duke e kuptuar nevojën time për paqe dhe shërim.

Jezus, ti më pyet prej çka kam frikë dhe më tregon se nuk kam përse të kem frikë nga asgjë nëse kam besim. Bëj që të di të bisedoj me ty për jetën time dhe të lutem që të më tërheqësh edhe më afër në paqen tënde. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »