“Mos ki frikë; tani e tutje do të jesh peshkatar i njerëzve”

Feb 9 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela V gjatë vitit (C)

 

Leximi i parë   Is 6, 1-2.3-8

Profeti na tregon takimin e madh të jetës së tij: Ai ka parë Hyjin, tre herë të shenjtë. Hyji rrinte ndenjur në një fron të lartë dhe të madhërishëm dhe profeti është trembur para Zotit të botës. Ishte përgatitur një tryezë ku Hyji u dhurohej të gjithëve e më shumë mëkatarëve të ftuar nga Hyji vetë. Këtu qëndron shenjtëria tronditëse e Hyjit: Ai bëhet një realitet i thjeshtë dhe i përvuajtur ashtu si buka, për të shuar urinë e njerëzve të padenjë dhe të uritur.

 

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Në vitin e vdekjes së mbretit Ozi, e pashë Zotin duke ndenjur në një fron të lartë e të madhërishëm. Kindat e petkut të tij e mbushnin Tempullin. Serafinët qëndronin në këmbë përngjat tij. I brohoritnin njëri-tjetrit: “Shenjt! Shenjt! Shenjt Zoti i Ushtrive! Plot është toka mbarë me lavdinë e tij!” E u dridhën pragjet e shtatkave të dyerve nga zëri shungullues dhe shtëpia u mbush me tym. Unë thashë: “I mjeri unë, qetash sharrova, sepse jam njeri me buzë të papastra, banoj në popull buzësh të papastra, e me sy të mi e pashë Mbretin, Zotin e Ushtrive!” Atëherë njëri nga serafinët vrapoi drejt meje: në dorë kishte një gacë që e mori me mashë nga lteri. Me të ma preku gojën e më tha: “Ja, me gacë i preka buzët e tua, mëkati yt u shlye, faji yt u fal!” Atëherë e dëgjova zërin e Zotit që thonte: “Kë të dërgoj? Kush do të na shkojë?” Unë përgjigja: “Qe, ku më ke, më dërgo mua!” Fjala e Zotit.

 

Psalmi   138

 

Ref: T’i këndojmë Zotit, para engjëjve të tij

——————————————-

Me gjithë shpirt të falënderoj, o Zot,

sepse i dëgjove fjalët e gojës sime.

Të këndoj në praninë e engjëjve,

adhuroj në drejtim të Tempullit tënd të shenjtë.

——————————————

E lavdëroj Emrin tënd

për dashurinë e besnikërinë tënde,

sepse e madhërove tesve premtimin tënd.

Sa herë të thirra në ndihmë, ti më vështrove,

shpirtit tim ia kërthndeze fuqitë.

——————————————

Do të të lavdërojnë, o Zot, të gjithë mbretërit e tokës,

sepse i dëgjuan premtimet e gojës sate.

Do t’i këndojnë udhët e Zotit,

sepse e madhe është lavdia e Zotit.

——————————————

Çka kam filluar, Zoti do ta kryejë për mua.

E amshueshme është, o Zot, mirësia jote:

mos e përbuz veprën e duarve të tua!

—————————————-

 

Leximi i dytë   1 Kor 15, 1-11

Pali na paraqet “Besojmen” e parë të krishterë. Mesazhi që duhet të shpallet është themeli i besimit tonë: Krishti i vdekur, i varrosur, i ringjallur në të tretën ditë, i shfaqur të Dymbëdhjetëve është i pranishëm në bashkësinë që i lutet. Të besosh do të thotë t’i referohesh besimit të bashkësisë primitive të ndërtuar nga dëshmitarët okularë. 

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Tani, o vëllezër, po ju përkujtoj Ungjillin, që ju pata predikuar, që e pranuat e në të cilin qëndroni. Me anë të tij jeni në udhën e shëlbimit nëse do ta mbani ashtu si jua kam predikuar; përveç se në paçi besuar kot.  Dhe njëmend, më së pari ju shpalla ato të vërteta që edhe unë vetë i mora: se Krishti vdiq për mëkatet tona sikurse e paralajmëroi Shkrimi shenjt. Qe varrosur e të tretën ditë u ngjall së vdekuri, si u tha në Shkrimin shenjt. Iu duk Kefës e pastaj të dymbëdhjetëve. Pastaj u duk vëllezërve që ishin së bashku më shumë se pesëqind vetë, prej të cilëve shumica janë ende gjallë e disa kanë vdekur. Pastaj iu dëftua Jakobit e mandej të gjithë apostujve. Më së fundi m’u dëftua edhe mua, dështakut. E në të vërtetë, unë jam më i vogli ndër apostuj; unë nuk jam i denjë as të quhem apostull, sepse e kam salvuar Kishën e Hyjit. Por, në saje të hirit të Hyjit, jam ky që jam, dhe hiri i tij në lidhje me mua nuk ka qenë i kotë. Madje u mundova të veproj më shumë se të gjithë ata, njëmend, jo unë vetëm, por edhe hiri i Hyjit me mua. Pra, si unë, ashtu edhe ata: kështu predikojmë e kështu edhe ju besuat. Fjala e Zotit.

 

Aleluja.

Unë ju zgjodha juve në mes të botës, thotë Zoti, që të shkoni e të jepni fryt, e fryti juaj të qëndrojë.

Aleluja.

 

Ungjilli   Lk 5, 1-11

Jezusi i kërkon Simon Pjetrit të hedhë rrjetën për peshk. Ai e bën duke ndjekur fjalën e Mësuesit. Mrekullia e peshkimit është një rast për të ftuar dishepujt të bëhen peshkatarë të njerëzve. Krishti dhe dishepujt e tij janë angazhuar të shpëtojnë njerëzimin e mbizotëruar nga fuqia e së keqes. Të jesh peshkatar i njerëzve sot, do të thotë të angazhohesh në të gjitha situatat për të shpëtuar njeriun nga shkatërrimi i së keqes. 

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

Ishte një ditë Jezusi në bregun e liqenit të Gjenezaretit e, ndërsa populli po shtyhej rreth tij për të dëgjuar fjalën e Hyjit, pa dy lundra buzë bregut të liqenit: peshkatarët kishin dalë e po i lanin rrjetat. Hyri në njërën prej atyre lundrave – në atë që ishte e Simonit – dhe iu lut ta largonte pakëz prej tokës. U ul e, prej lundrës, mësonte turmën.  Kur pushoi së foluri, i tha Simonit: “Grahi në ujë të thellë e qitni rrjetat tuaja për të zënë peshk.” Simoni i tha: “Mësues, gjithë natën u përpoqëm e nuk zumë asgjë; por, pasi po thua ti, do t’i qes rrjetat.” Si bënë kështu, zunë një sasi të madhe peshqish – gati po u shqyheshin rrjetat. Atëherë u dhanë shenjë shokëve në lundrën tjetër të vinin e t’u ndihmonin. Ata erdhën dhe i mbushën të dy lundrat aq sa gati u fundosën.  Kur pa Simon Pjetri, i ra ndër këmbë Jezusit dhe i tha: “Largohu prej meje, Zotëri, se jam njeri mëkatar!” Vërtet, për arsye të peshkut që zunë, mbeti shtang prej habisë ai dhe të gjithë tjerët që ishin me të; gjithashtu edhe Jakobi e Gjoni, bijtë e Zebedeut, bashkëgjuetarë të Simonit. Jezusi i tha Simonit: “Mos ki frikë! Tash e tutje do të zësh njerëz.” Ata, si i sollën lundrat në breg, lanë gjithçka e shkuan pas tij.  Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Çdo njeri ekziston sepse ka marrë një thirrje. Hyji thërret çdo njeri së pari drejt jetës dhe pastaj drejt shpëtimit, lumturia e amshuar.

Tre leximet e sotme na flasin për thirrjen. Thirrja nga ana e Hyjit pranohet nga njeriu brenda një përvoje takimi personal mes të dyve.

“Populli po shtyhej rreth tij për të dëgjuar fjalën e Hyjit”. Ungjilli na flet për Jezusin, që, nga barka e Simonit (simbol i Kishës) e mëson turmën. Edhe ne që mblidhemi çdo të diele, bëjmë pjesë në atë turmë që ka uri për fjalën e Jezusit. Ai pastaj i jep Simonit një urdhër të çuditshëm: “Grahi në ujë të thellë e qitni rrjetat tuaja për të zënë peshk.” Pas një nate pune të dështuar, propozimi i Jezusit tingëllon si një sfidë për Pjetrin, peshkatari ekspert. Por Simoni i beson fjalës së Mësuesit, e zë aq shumë peshk saqë gati shqyen rrjetat: është prova se sa mençuri është t’i besosh fjalës së Jezusit.

Pjetri zbulon fuqinë hyjnore që vepron në Jezusin, tregon të vërtetën e tij si mëkatar, duke thënë: “O Zot, largohu prej meje se jam një mëkatar”. Jezusi “miku i mëkatarëve”, nuk e largon, por e merr në shërbimin e tij: “Mos ki frikë; tani e tutje do të jesh peshkatar i njerëzve”.

Apostujt dhe Kisha janë të thirrur të shpëtojnë njerëzit nga dështimi e nga vdekja e t’i pranojnë në barkën e Pjetrit ku Krishti është i pranishëm. Përgjigja e apostujve është pa hezitim: “lanë gjithçka dhe e ndoqën”. Kjo tregon se nuk mund të jesh ” apostull”, nëse më përpara nuk je dishepull.

 

Lutja e Besimtarëve

M.  Vëllezër e motra, Zoti na thërret gjithmonë të bashkëpunojmë me Të në planin e tij të shpëtimit. Të lutemi së bashku e të themi:

Ardhtë mbretëria jote, o Zot.

L.  Që Kisha të dijë t’u përgjigjet gjithmonë thirrjeve të Zotit me bujari e angazhim, për të qenë në botë shenjë shprese dhe dashurie. Të lutemi

L.  Që Papa, pasardhësi i Pjetrit, të mund të bëhet gjithnjë e më shumë ai që dërgon njerëzit tek e vërteta e Krishtit Zot. Të lutemi

L.  Për atë që jeton i shtypur nga mëkati i vet, të ndjejë që dashuria e Zotit e thërret në ndjekjen e Krishtit, pa u shkurajuar për dobësinë e vet. Të lutemi

L.  Që bashkësia jonë të jetë e vëmendshme ndaj thirrjes së secilit, duke favorizuar rritjen njerëzore e shpirtërore të anëtarëve të saj. Të lutemi

M.  O Zot, i pasur me mirësi dhe mëshirë, dëgjoje lutjen tonë të përvuajtur e bëj që nën shembullin e apostujve të parë, të dimë të të ndjekim edhe ne, me bujari e besim në Fjalën tënde. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »