Papa Françesku: Shën Nënë Tereza është shembulli që duhet ndjekur

Feb 11 • Kisha në botë, Opinion

Në Ditën Botërore të të Sëmurit 2019, që u kremtua sot, më 11 shkurt, në gjithë botën, Papa Françesku, në mesazhin e tij të sivjetëm, drejtuar gjithë njerëzimit, Shën Nënë Tereza merret si shembulli më i admirueshëm, e cila ka shërbyer të sëmurit, të varfërit dhe ata që kanë nevojë për kujdesin tonë. Ajo duhet ndjekur në kurimin e të sëmurëve dhe kujdesin e të pakujdesurve.

 

Ja teksti nga meshazhi i Papa Françesku, kur flet për Shën Nënë Terezën:

“Në këto rrethana të kremtimit solemn në Indi, dua të kujtoj me gëzim e admirim figurën e Shën Nënë Terezës, një model bamirësie, e cila e ka bërë të dukshme dashurinë e Zotit për të varfrit dhe të sëmurët. Siç pata pohuar me rastin e shenjtërimit, “Nënë Tereza, në gjithën jetën e saj, ishte shpërndarëse zemërgjerë e mëshirës hyjnore, duke u bërë për të gjithë e pranueshme nëpërmjet pranimit dhe mbrojtjes së jetës njerëzore, jetës së palindur dhe të braktisur e të hedhur. […] Ajo është përkulur te njerëzit e rraskapitur, të lënë të vdesin buzë rrugëve, duke e parë tek ta dinjitetin që vetë Zoti ua kishte dhuruar; ka bërë që zëri i tyre të dëgjohet prej të pushtetshmëve të kësaj bote, që ta pranojnë fajin e tyre për krimet […] e varfërisë që ata vetë e kanë krijuar. Mëshira ishte për të ‘kripa’, që i jepte shije çdo pune dhe ‘drita’, që shndriste errësirën e kujt s’kishte më as lot për të vajtuar mbi varfërinë e mundimet e veta. Misioni i saj në periferitë e qyteteve dhe në periferitë ekzistenciale, ngelet edhe në ditët tona dëshmia elokuente e afërsisë së Zotit për më të vafërit ndër të varfër.” (Homelia, 4 shtator 2016).

Shën Nënë Tereza na ndihmon të kuptojmë që i vetmi kriter i aksionit duhet të jetë dashuria e dhuruar falas ndaj të gjithëve pa dallim gjuhe, kulture, kombësie e religjioni. Shembulli i saj vazhdon të na prijë në hapjen e horizonteve të gëzimit e të shpresës për një humanitet me dhembshuri e përkëdhelje, posaçërisht për ata që vuajnë.”/drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »