Zoti krijon dhe përkrah jetën

Feb 11 • Meditimi i ditës

11 shkurt 2019 – E hënë, Zoja e Lurdit – MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

(Leximet e ditës: Zan 1,1-19; Ps 104,1-2a.5-6.10.12.24.35c; Mk 6,53-56)

“Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rënd e unë do t`ju çlodh“.

Ja ku jam, o Zot.

Kam ardhur ta kërkoj praninë tënde.

Me afsh e dëshiroj fuqinë tënde që shëron.

 

Liria
Duhet të shkëputem nga zhurma; të ngrihem mbi zhurmën;

zhurmën që e ndërpret marrëdhënien e vendosur, që ndanë.

Duhet t`i kthehem dëgjimit të Hyjit.

 

Ndërgjegjësimi
E di që Zoti më do pa kushte.

Për këtë arsye me sinqeritet e vështroj ditën që po kalon, ngjarjet dhe përjetimet.

A ekziston diçka për ç’ gjë duhet të jem mirënjohës? Atëherë do të falënderohem.

Diçka për ç’ gjë ndjehem fajtor? Atëherë do të lus për falje.

 

Fjala

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit me mend e zemër.

Ndalem në fjalinë apo ngjarjen që më lë përshtypje.

 

Zan 1,1-19

 

1 Në fillim Hyji krijoi qiellin e tokën.

Toka ishte e shkretë dhe e zbrazët; terri e mbulonte humnerën dhe fryma e Hyjit endej përmbi ujëra.

3 Hyji tha: “Le të bëhet drita”! Dhe drita u bë. 4 Hyji pa se drita ishte gjë e mirë dhe e ndau dritën nga terri. 5 Hyji e quajti dritën ‘ditë’, kurse terrin ‘natë’. Dhe u bë mbrëmje e mëngjes ‑ dita e parë.

6 Hyji tha edhe: “Le të bëhet ndërmjet ujërave kupa e qiellit dhe le t’i ndajë ajo ujërat prej ujërave”. 7 Hyji bëri kupën e qiellit dhe i ndau ujërat që ishin nën kupën e qiellit prej atyre që ishin përmbi kupën e qiellit. Dhe u bë ashtu. 8 Hyji e quajti kupën e qiellit ‘qiell’. Dhe u bë mbrëmje e mëngjes ‑ dita e dytë.

9 Hyji tha prapë: “Le të bashkohen ujërat, që janë nën qiell, në një vend të vetëm. E le të duket teriku!”. Dhe u bë ashtu.

10 Hyji terikun e quajti ‘tokë’ kurse ujërat e bashkuara i quajti ‘dete’. Dhe Hyji pa se ishte gjë e mirë. 11 Dhe Hyji tha: “Le të qesë toka bar të gjelbër e bar që qet farë e lëndë frytdhënëse që jep fryte sipas llojit të vet që ta ketë farën e vet në vetvete përmbi tokë”! E u bë ashtu. 12 Toka qiti barin e gjelbër, barin që qet farë sipas llojit të vet, dhe lëndën frytdhënëse sipas llojit të vet, që ka më vetvete farën sipas llojit të vet. Hyji pa se ishte gjë e mirë. 13 Dhe u bë mbrëmje e mëngjes ‑ dita e tretë.

14 Hyji tha: “Le të bëhen ndriçues në kupën e qiellit, që ta ndajnë ditën e natën dhe të shërbejnë si shenja për stinë, ditë dhe vite: 15 që të ndriçojnë në kupën e qiellit dhe të ndrisin tokën”. Dhe u bë ashtu. 16 Hyji bëri dy dritëdhënës të mëdhenj: dritëdhënësin më të madh që të sundojë ditën e dritëdhënësin më të vogël që të sundojë natën dhe yjet. 17 Hyji i vendosi në kupën e qiellit që të ndriçojnë mbi tokë, 18 që ta sundojnë ditën dhe natën e ta ndajnë dritën prej errësirës. Hyji pa se ishte gjë e mirë. 19 Dhe u bë mbrëmje e mëngjes ‑ dita e katërt.

 

Ç’ dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Këtë javë e dëgjojmë historinë e Krijimit, jetës dhe dritës që sjell Hyji. Merr një moment kohë që të përpiqesh ta paramendosh pafundësinë e kozmosit … planetët … yjet … galaktikat.
  • Dhe në këtë hapësirë të madhe Hyji vepron për të krijuar. Hyji sjell dritë në një botë të errët. A mund ta imagjinosh këtë? Në imagjinatën tënde, kur e sheh këtë ardhje të dritës në një zbrazëti, si reagon, çfarë ndjenjash nxiten në ty?
  • Ndërsa e dëgjon pjesën e dytë të leximit le imagjinatën tënde të vazhdojë të shohë pafundësinë e krijimit. Vëreji edhe detajet, pasi Hyji i kushton vëmendje drurëve që mbajnë frutat, si dhe diellin që jep dritë.

 

Bashkëbisedimi

Si dëshiron t’i përgjigjesh Hyjit që krijon dhe mbështet jetën? Merr ca kohë për t’u përgjigjur kur ndihesh i lëvizur, ndoshta ndjen nderimin e madh … ose ndjen një lloj konfuzioni … apo lavdërim … apo dëshirë. Sido që të ndihesh, bisedo me këtë krijues, Zotin, ose thjesht ji i/e qetë dhe rri në heshtje në praninë e Hyjit.

 

Bashkëbisedimi
“Rrini zgjuar – mos flini.“
Janë fjalët e tua drejtuar nxënësve para mundimit dhe vdekjes.
E di, o Zot, se do të qëndrosh pranë meje
dhe do të rrish zgjuar të gjitha ditët e jetës sime.

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Sa njerëz duhet të jenë gëzuar për shkak të vizitës sëJezusit. Ishte kjo një kohë e jashtëzakonshme shërimi. Njerëzit e pritnin atë si një shërues. A e pranoj atë dhe unë – gjithmonë?

Si të pranoj ty, o Jezus? Si një njeri, një shërues, një mik – si Hyj? Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »