Je i/e krijuar në përngjasimin e Zotit

Feb 12 • Meditimi i ditës

12 shkurt 2019 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Zan 1,20 – 2,4a; Ps 8,4-9; Mk 7,1-13)

 

Prania e Hyjit

Pa marrë para sysh se ku ndodhem tani, cilat vepra të Zotit mund t`i shoh? Ndoshta qiellin, retë? Ndoshta kodrat apo fushat, ose një kalë apo një qen, ose një pemë?

Ndoshta është vetëm brendësia e një autobusi që mund të shoh? Ndoshta një qenie njerëzore. A mund t’i përfytyroj të gjitha këto gjëra, veprat e Zotit, duke lavdëruar Hyjin, krijuesin e tyre, tani? Dhe a mund ta bëj të njëjtën gjë karshi vetes sime?

 

Liria

Kur e ndjej veten të robëruar dhe kur gjithçka më tendosë, më ngarkon,

madje edhe atëherë kur rrezet e diellit nuk arrijnë në vendin ku ndodhem,

edhe atëherë, në heshtjen e heshtjes, shpirti im është i lirë dhe i papenguar.

Në këtë liri të shpirtit po të drejtohem ty, o Zot.

 

Ndërgjegjësimi

E di që Zoti më do pa kushte.

Për këtë arsye me sinqeritet e vështroj ditën e kaluar, ngjarjet dhe përjetimet.

A ekziston diçka që duhet të jem mirënjohës/e? Atëherë do të falënderohem.

Diçka që ndihem fajtor/e? Atëherë do të lus për falje.

 

Fjala

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Zan 1,20 – 2,4a

 

20 Hyji tha edhe: “Le të vlojnë ujërat vrumull me qenie të gjalla e shpendët le të fluturojnë përmbi tokë, nën kupën e qiellit”!

21 Hyji krijoi përbindësh të mëdhenj deti dhe çdo lloj qenie të gjallë që lëviz rrëshqanthi e gëlojnë sipas llojit të vet si edhe çdo shpend sipas llojit të vet. Hyji pa se ishte gjë e mirë.

22 Hyji i bekoi dhe tha: “Shtohuni e shumohuni, mbushni ujërat e detit; po edhe shpendët le të shumohen përmbi tokë”! 23 Dhe u bë mbrëmje e mëngjes ‑ dita e pestë.

24 Përsëri Hyji tha: “Le të prodhojë toka qenie të gjalla, secilën sipas llojit të vet: bagëti, zvarranikë dhe egërsira sipas llojit të tyre”! Dhe u bë ashtu. 25 Hyji krijoi çdo lloj egërsire, bagëtie dhe zvarraniku të tokës. Hyji pa se ishte gjë e mirë.

26 Hyji tha: “Le ta bëjmë njeriun në shëmbëlltyrën e në përngjasimin tonë që të jetë zotërues i peshqve të detit, i shpendëve të qiellit, i kafshëve, i mbarë tokës, dhe i çdo zvarraniku që zvarritet mbi tokë”!

27 Hyji krijoi njeriun në përngjasimin e vet,

e krijoi në përngjasimin e Hyjit;

i krijoi mashkull e femër.

28 Hyji i bekoi dhe u tha:

“Shtohuni e shumohuni e mbusheni tokën

dhe sundojeni atë!

Bëhuni zotëruesit e peshqve të detit, të shpendëve të qiellit dhe të çdo gjallese që lëviz përmbi tokë”!

29 Hyji tha edhe: “Ja, çdo bimë që qet farë mbi tokë dhe të gjitha pemët që kanë në vetvete frytin e pemës që qet farë: le të jenë ushqimi juaj”! 30 Të gjitha kafshëve mbi tokë, çdo shpendi të qiellit e çdo gjëje që lëviz mbi tokë, në të cilat është fryma e jetës, i jap për ushqim të gjitha barërat e gjelbëra. Dhe u bë ashtu. 31 Hyji shikoi gjithçka kishte bërë dhe, ja, ishin shumë të mira!” Dhe u bë mbrëmje e mëngjes ‑ dita e gjashtë.

1 Kështu u kryen qielli e toka dhe mbarë ushtria e tyre. 2 Të shtatën ditë Hyji e kreu punën e vet që kishte bërë. Të shtatën ditë pushoi nga çdo punë që kishte bërë. Hyji e bekoi të shtatën ditë dhe e shenjtëroi, sepse atë ditë kishte pushuar prej çdo pune që Hyji kishte bërë duke krijuar.

4 Kjo është zanafilla e qiellit dhe e tokës, kur qenë krijuar.

 

Ç’ dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Ndërsa e dëgjon historinë e vazhdueshme të krijimit, që e paraqet mënyrën e jetës së kafshëve në det, në tokë dhe në qiell, cilat imazhe, cilat pamje të krijohen në mendjen tënde? Qëndro me këto imazhe për disa çaste. Kushtoji vëmendje detajeve të asaj që të vjen në mend.
  • Përdori të gjitha shqisat e tua për të marrë pjesë në imazhet që sheh me syrin tënd mendor – tingujt, tekstet, erërat, ndoshta edhe shijen. Zhytu në krijimin e Hyjit.
  • Ndërsa teksti vazhdon, dëgjojmë për Hyjin që krijon qenie njerëzore në ngjashmërinë, përngjasimin e Hyjit, duke bekuar këtë krijim dhe duke parë gjithçka që është bërë si ‘shumë e mirë’. Ndërsa e dëgjon, vë re veçanërisht se si i përgjigjesh përshkrimit të Hyjit që krijon qenie njerëzore në ngjashmërinë e Hyjit.

 

Bashkëbisedim

Duke dëgjuar për këtë histori të krijimit, si do t’i përgjigjesh Hyjit? Si ndihesh kur vjen te ky Hyj krijues dhe i fuqishëm, kur e vëren veten si një nga krijesat e Hyjit? Bisedo me Hyjin për gjithçka që ndien në zemrën dhe mendjen tënde.

 

Bashkëbisedimi

O Zot, e di që fjalët nuk janë të nevojshme kur të drejtohem ty.

Ti shikon në thellësinë e zemrës sime.

I njeh dëshirat dhe nevojat e mia.

Po lëshohem në duart e tua.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty. Farisenjtë dhe skribët që të vunë në sprovë, Jezus, thuhet në ungjillin e sotëm se, “kishin ardhur nga Jerusalemi.” Ata kishin ardhur me autoritet. Dhe e vetmja gjë që gjetën për të kritikuar ishte që nxënësit nuk i kishin larë duart para ngrënies. Jezus, ti nukje fajtor për ndonjë vepër të keqe, kështu që kërcënimi dhe dënimi i tyre me vdekje duket edhe më i errët dhe më i keq.

Sa shpesh i lejojmë vetes që të na shqetësojnë gjëra të vogla për të shmangur pranimin e problemit të vërtetë? O Zot, më ndihmo të përqendrohem në “gjënë enevojshme”, kryesore – dashurinë tënde ndaj meje, dashurinë time ndaj teje dhe ndaj të afërmve të mi. Mos e pengoftë asgjë këtë dashuri. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »