Si e kultivon marrëdhënien me Zotin, autorin e jetës sate?

Feb 13 • Meditimi i ditës

13 shkurt 2019 – E mërkure, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Zb 2,4b-9.15-17; Ps 104,1-2a.27-28.29bc-30; Mk 7,14-23)

 

Prania e Hyjit
Ndërsa e fillon këtë lutje sot, bëhu i/e vetëdijshëm/e një moment për frymën e jetës që është duke ta dhënë Hyji brenda teje tani …

 

Liria
E lus Zotin që të më ndihmojë
që të lirohem nga ankthet dhe brengat,
që t`i çelem gjatë këtij meditimi,
në mënyrë që të mund ta dua dhe t`i shërbej edhe më shumë.

 

Ndërgjegjësimi
Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie – lidhje me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I vërej këto marrëdhënie dhe falënderoj për jetën që përshkohet nëpërmjet tyre.
Disa prej këtyre marrëdhënieve janë shtrembëruar, disa dëmtuar, disa janë ndërprerë:
Ndoshta për këtë arsye e ndjej veten të trishtuar, të zemëruar, të zhgënjyer.
Lutem për hirin e pranimit dhe faljes.

 

Fjala
Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Dëgjoje tekstin biblik me mend e zemër
dhe lejoji vëmendjes sate të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Zb 2,4b-9.15-17

 

Atë ditë, kur Zoti Hyj krijoi tokën e qiellin 5 para se të mbinte në tokë ndonjë shkurre fushe, para se të gjelbëronte ndonjë bimë tokësore: sepse Zoti Hyj nuk kishte lëshuar ende shi mbi tokë e nuk kishte njeri që ta punonte tokën; 6 megjithatë, një burim dilte nga toka dhe e ujiste mbarë sipërfaqën e saj,7 atëherë Zoti Hyj e formoi prej pluhurit të tokës njeriun dhe nëpër hundë i futi frymën e jetës e njeriu u bë qenie e gjallë.

8 Zoti Hyj mbolli një kopsht në Eden, në lindje e në të e vendosi njeriun që e kishte krijuar. 9 Zoti Hyj bëri që prej toke të mbijë çdo lloj peme, e bukur për t’u parë dhe e shijshme për t’u ngrënë e në mes të parrizit pemën e jetes e pemën e dijes të mirës e të së keqes.

15 Zoti Hyj e mori njeriun dhe e vendosi në kopshtin Eden që ta punojë e ta ruajë atë: 16 Zoti Hyj i urdhëroi njeriut dhe i tha: “Ha prej çdo peme të kopshtit;17 por prej pemës së dijes – të së mirës dhe të së keqes, ruaj se ha. Sepse, atë ditë që ke për të ngrënë prej saj, do të vdesësh”.

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimi Shenjt:

 

  • Ky përshkrim i Hyjit i cili e formon njeriun prej pluhurit të tokës dhe nëpër hundë i fut frymën e jetës përçon një pamje shumë intime të marrëdhënies mes Hyjit dhe këtij njeriu. Çfarë ndjellë ky imazh poetik në ty?
  • Hyji i dha njeriut një kopsht për t’u kujdesur për të dhe për të jetuar në të, por edhe këtë paralajmërim të çuditshëm për pemën e njohjes të së mirës dhe të së keqes. Si reagon ndaj kësaj? Çfarë ndjenjash nxit në ty? Dëgjoje përsëri këtë tregim dhe vëreji veçanërisht ndjenjat e tua ndërsa e dëgjon, si reagon ndaj imazheve dhe ideve që ofrohen.

 

Bashkëbisedimi

Flit me Zotin tani për atë që të vjen në mend dhe që ndjen gjatë kohës që e ke dëgjuar tekstin. Bisedo me të sa të mundesh sikur të bisedosh me një mikun tënd të mirë, i aftë për të qenë i/e sinqertë dhe i/e hapur për të gjitha ato që po mendon dhe ndien – gjithashtu merr pak kohë për të dëgjuar, për të qenë i/e hapur në heshtje në praninë e Hyjit.

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Zot, ti je i gatshëm t`i bekosh gjërat që janë nëbotë, duke vërtetuar kështu mirësinë e krijesave të Zotit. Bëj që të jem i/e gatshëm/e të më bekosh nëpërmjet të gjitha gjërave që më rrethojnë.

Më ndihmo, o Zot, që të mos hutohem, që të mos bie në tundim nga ndonjë gjë që më shqetëson. Ma jep hirin që të rritem në dhembshuri dhe shërbim siç ka bërë Jezusi. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »