Zoti i dëshiron shoqëri njeriut

Feb 14 • Meditimi i ditës

14 shkurt 2019 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Zan 2,18-25; Ps 128,1-5; Mk 7,24-30)

 

Prania e Hyjit
Kuptimi i jetës është misteri i Dashurisë. ashtu si rrënjët e pemëve që mbahen fort për toke, ashtu janë rrënjët e dashurisë që e mbajnë tokën e bashkimit tonë.

 

Liria
O Zot, Hyj, po të falënderoj për dhuratën e lirisë.
Më ndihmo që këtë dhuratë ta përdori në mënyrë të përgjegjshme. Jam i/e lirë të përzgjedh.
Më ndihmo që të zgjedh që të shkoj pas teje,
që të jetoj një jetë të krishterë duke u kujdesur për të tjerët.
Më ndihmo që t`i kujtoj ata që janë të palumtur, të nëpërkëmbur;
ata në burg, ata që nuk janë të lirë ta shprehin publikisht fenë e tyre.
Më udhëhiq që gjithmonë dhe në gjithçka ta kërkoj vullnetin tënd, në të gjitha sendet që ndodhin në jetën time.

 

Ndërgjegjësimi
Në çka jam duke e gjetur momentalisht në jetën time shpresën, guximin dhe zhvillimin?
Duke i reflektuar disa muaj të mëparshëm,
a jam i/e aftë t`i vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryt të mirë?
Nëse i kam vërejtur fusha të tilla,
do të vendosi që edhe në të ardhmen t`u siguroj hapësirë dhe kohë.

 

Fjala
Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
E dëgjoj tekstin biblik me mend e zemër
dhe i lejoj vëmendjes sime të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Zan 2, 18-25

 

18 Zoti Hyj tha edhe: “Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm: do t’ia bëj një ndihmë që t’i përngjajë”. 19 Pasi Zoti Hyj i kishte formuar prej dheut të gjitha kafshët e gjalla të fushës dhe të gjithë shpendët e qiellit, i solli te njeriu, për të parë, se si do t’i quajë, sepse secila kafshë e gjallë do të mbante atë emër, me të cilin do ta quante njeriu.

20 Njeriu ia ngjiti emrin përkatës secilës bagëti, secilit shpend të qiellit dhe secilës egërsirë të fushës; por për njeriun nuk gjendej një ndihmës që t’i përngjante atij.

21 Prandaj, Zoti Hyj i lëshoi njeriut një gjumë të rëndë. Pasi e zuri gjumi, ia nxori një brinjë dhe vendin e saj e mbushi me mish.

22 Zoti Hyj e përftoi gruan prej brinjës që ia kishte nxjerrë njeriut dhe e solli te njeriu. 23 Atëherë njeriu klithi:

“Kjo tani është ashti i eshtrave të mi

dhe mishi i mishit tim!

Le të quhet Grua,

sepse kjo u mor nga njeriu”.

24 Për këtë arsye njeriu do ta lërë të atin dhe t’ëmën e vet dhe do të jetojë bashkë me gruan e vet e do të bëhen një trup i vetëm.

25 Të dy ishin të zhveshur: njeriu dhe gruaja e nuk ndjenin farë turpi.

 

Ç´po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • ‘Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm’. Hyji i dëshiron shoqëri këtij njeriu dhe historia e përshkruan kërkimin e kësaj shoqërie dhe rezultatin e saj. Merr një moment kohë për të reflektuar për dëshirat e Hyjit për Krijimin.
  • Në historinë e mëparshme të krijimit theksi vihet mbi burrin dhe gruan që krijohen në imazhin dhe ngjashmërinë e Hyjit, këtu theksohet më shumë marrëdhënia midis burrit dhe gruas. Ne tani s`mund ta përshkruajmë atë në të njëjtën mënyrë, por vëreje se si reagon ndaj përshkrimit të shoqërimit … mungesës së turpit në praninë e njëri-tjetrit … intimitetit të përshkruar.
  • Si reagon ndaj pjesëve të ndryshme të kësaj historie? Vëreji ndjenjat e tua ndërsa e dëgjon sërish këtë kërkim të shoqërimit dhe zgjidhjen e tij.

 

Bashkëbisedimi

Merr kohë tani për të folur me Hyjin për mënyrën se si reagon ndaj elementëve të ndryshëm të kësaj historie të krijimit. Nëse ke ndjenja të përziera në lidhje me të, bisedo me Zotin për këtë, rreth tërheqjeve/joshjeve, si dhe për sfidat dhe çfarë të shqetëson.

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto disa minuta vetëm me ty. Shpesh herë ndodh që lutja jonë të mos dëgjohet menjëherë. O Zot, më fal për kërkesat e mia triviale, të parëndësishme. Më ndihmo t`i dëgjoj lutjet e mia, që të mund të mësoj se ç`është me të vërtetë më së afërti zemrës sime.

Është prekëse mënyra e përshkrimit biblik se si na ke krijuar, o Zot. Ti je frymëmarrja jonë – burimi i jetës sonë – prej teje vijmë. Në thelb, jemi krijesat e tua të mira. Mëkati na ka dëmtuar dhe jemi të prirë të largohemi prej teje. Kështu bëhemi të huaj për ty e për vetveten. Bëj, o Zot, që të kem më shumë besim në ty, në dashamirësinë tënde, t`i kthehem vetvetes, Krijuesit dhe të Ardhmes sime të sigurt. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »