A mos turpërohem dhe fshihem nga Zoti?

Feb 15 • Meditimi i ditës

15 shkurt 2019 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Zan 3,1-8; Ps 32,1-2.5-7; Mk 7,31-37)

 

Prania e Hyjit
“Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t`ju çlodh“.

Ja ku jam, o Zot.

Kam ardhur ta kërkoj praninë tënde.

Shumë e dëshiroj fuqinë tënde shëruese.

 

Liria
O Zot, ki mëshirë! O Krishti, ki mëshirë!

Këto fjalë lutëse, që janë kënduar për shekuj, janë një kujtesë për mëshirën e pashtershme të Hyjit, për dhembshurinë dhe faljen e pandërprerë të Hyjit. Ndërsa i shqiptoj ato fjalë, mund të mendoj për një çast për nevojën time për atë mëshirë, për atë falje dhe për nevojën që unë të tregoj të njëjtën mëshirë, të njëjtën falje, dhembshuri për të tjerët.

 

Ndërgjegjësimi
Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm dhe mirënjohës/e

për të gjitha të mirat që m`i ke dhuruar.

Këtë bekim tëndin ta ndaj gjithmonë me të tjerët.

 

Fjala

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Dëgjoje tekstin biblik me mend e zemër,

dhe lejoji vëmendjes sate të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Zan 3,1-8

 

1 Ndër të gjitha egërsirat e fushës që Zoti Hyj krijoi, gjarpri ishte më dinaku. Ky i tha gruas: “Vërtet, Hyji ju urdhëroi që të mos hani prej asnjë peme të kopshtit?”. 2 Gruaja iu përgjigj: “Ne i hamë frutat e pemëve që janë në kopsht; 3 porse për frytin e pemës që është në mes të kopshtit, Hyji na urdhëroi të mos e hamë as të mos e prekim që të mos vdesim”. 4 Porse gjarpri i tha gruas: “Nuk do të vdisni assesi. 5 Madje Hyji e di se kurdo të hani prej saj, sytë tuaj do të hapen e do të bëheni porsi Hyji duke e njohur të mirën e të keqen”.

6 Atëherë gruaja pa se pema ishte e mirë për ta ngrënë dhe e bukur për t’u parë dhe pemë e dëshirueshme për të fituar dijen; gruaja mori prej frutit të saj dhe hëngri. Pastaj i dha edhe burrit të vet që ishte me të. Hëngri edhe ai. 7 Atëherë u hapën sytë të dyve. Kur panë se ishin lakuriq, gërshetuan gjethe fiqsh dhe bënë mbështjellës për vete.

8 Kur pastaj e dëgjuan zërin e Zotit Hyj që po shëtiste nëpër kopsht, në freskinë e pasditës, njeriu e gruaja e tij u fshehën para Zotit Hyj ndërmjet pemëve të kopshtit.

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi fragmentin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Ndërsa e dëgjon këtë histori të njohur, merr një moment kohë për të shqyrtuar secilën prej personazheve të paraqitura – gjarprin, gruan, burrin dhe Hyjin. Çfarë vëren te ta? Si reagon ndaj tyre?
  • Pasi burri dhe gruaja kanë ngrënë frytin, ata fillojnë të turpërohen dhe të fshihen nga Hyji. Paramendoje se si duket ai kopsht, në kohën e flladit të mbrëmjes: Hyji duke ecur në kopsht kurse burri dhe gruaja duke u fshehur. Si ndihesh kur e mendon këtë?
  • Dëgjoje sërish historinë dhe vëreje se çfarë të nxit, ose çka të aktivizon apo të shqetëson.

 

Bashkëbisedimi

Merr pak minuta për të folur me Hyjin për mënyrën se si reagon ndaj kësaj historie; merr kohë edhe për të dëgjuar, për ta mbajtur veten të qetë dhe të vëmendshëm në praninë e Hyjit.

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Të falënderoj për dhuratën e jetës. Më beko, o Zot, që të jem në gjendje që të mirat që m`i ke dhënë t`i përdori në mënyrë të ndërgjegjshme. Të di t`i gëzohem krijesave të tua.

Ma beko, gojën, që të dalin prej saj fjalë nga më të mirat.

M`i prek edhe veshët e mi. Shih se si s`po i dëgjoj fjalët e tua në mesin e të gjitha këtyre tingujve që më rrethojnë. Më ndihmo që të mos jem i/e shurdhër ndaj asaj që më ofron për shpëtimin tim.

O Zot, emrin tim e ke shkruar në pëllëmbët e duarve të tua. Po edhe nëse më harrojnë të tjerët, ti kurrë nuk do ta bësh këtë. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »