Arbëreshët festuan Jubileun e 100-vjetorit të themelimit të Eparkisë së Lungros

Feb 15 • Kisha ndër Shqiptarë, Kisha në botë

Nga Don Lush Gjergji

 

Më 13 shkurt 2019 në mënyrë madhështore është përkujtuar dhe kremtuar 100 vjetori i themelimit të Eparikisë  Arbëreshe në Kalabri, me seli në Ungra – Lungro.

Festa ka filluar me Meshën, liturgjinë lindore të mbrëmjes, të cilës i priu Imzot Donato Oliverio, ipeshkëv vendor, në bashkëmeshim me kardinalin Leonardo Sandri-n, Prefektin e Kongregatës Lindore, kardinalin shqiptar Ernest Simoni-n, ipeshkvin e Horës Arbëreshe në Sicili Giorgio Dimetrio Gallaro,  gjithë ipeshkvijtë e Kalabrisë, argjipeshkvin e Shkodrës, Angelo Massafra, ipeshkvin e Prizren – Prishtinës, Dodë Gjergjin, disa ipeshkvij lindorë nga Greqia, Hungaria, Ukraina, shumë meshtarë, rregulltarë dhe rregulltarë,  besimtarët nga të gjitha famullitë e Kishës Arbëreshe.

Në pretkun e rastit Imzot Donato Oliverio ndër të tjera tha që mënyra më e mirë e kremtimit të këtij Jubileu është kjo: që famullitë të ecin gjithnjë e më shumë sipas planit hyjnor, duke favorizuar njohjen e Fjalës së Zotit, liturgjinë hyjnore, marrjen e sakramenteve, kujdesin për mësimin e Kishës, ruajtjen e identitetit fetar dhe kombëtar.

Kardinali Leonardo Silvestri theksoi dy gjëra tejet të rëndësishme në jetën e Kishës Arbëreshe në Kalabri: besnikërinë e pathyeshme ndaj Selisë Apostolike të Romës, Papës, por edhe besnikërinë ndaj ritit lindor – bizantin, anën ekumenike, që nënkupton ruajtjen e gjuhës, traditës, kulturës arbëreshe, nderimin dhe lidhjen me të parët e tyre, vendin e prejardhjes gjatë historisë dhe sot.

Kardinali Ernest Simoni nënvizoi gëzimin e tij për këtë festim të rëndësishëm për Kishën dhe Popullin tonë. Ai vazhdoi: “Vetëm me Krishtin, Virgjërën Mari, Kishën katolike, Papën, pjesëmarrjen në jetën sakramentale, është e mundshme kjo mrekulli në shekuj dhe në ditët tona”.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ceku rëndësinë e Arbëreshëve dikur, në lëvizjen e Rilindësve tanë, gjatë përndjekjeve komuniste dhe ateiste, por edhe sot, në liri dhe demokraci, si urëlidhëse mes Shqipërisë dhe Italisë, Lindjes dhe Perëndimit.

Ipeshkvi ynë në fund të Meshës imzot Donato Oliverio-s ia dhuroi një pikturë të Agron Bytyqit, ku paraqiten dy figura tona madhore, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu dhe Shën Nëna Tereze, në një “takim” shpirtëror, gjë kjo që u mirëprit nga të gjithë me duartrokitje të gjata dhe të përzemërta.

Të gjithë ishim të lumtur dhe të hareshëm për këtë Jubile, për takime dhe biseda vëllazërore, për organizim shumë të mirë, për përforcimin e vëllazërisë dhe bashkëpunimit me vëllezër Arbëreshë, me Kishat tona në troje shqiptare dhe në diasporë.

Këtë Jubile, ngjarje, të rrallë dhe domethënëse, duhet falënderuar Provaninë e Zotit, besnikërinë shekullore dhe aktuale arbëreshe, si  dhe historinë e lavdishme  dhe shumë të suksesshme të tyre në Itali./drita.info

 

Fotografia në ballinë: Piktura që i dhuroi Imzo Dodë Gjergji, me rastin e festimit të jubileut ipeshkvit arbëresh të Lungros Imzot Donato Oliviero. Pikura është punua nga piktori Agron Bytyqi.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »