Ku jam tani në marrëdhënien time me Hyjin?

Feb 16 • Meditimi i ditës

16 shkurt 2019 – E shtunë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Zan 3,9-24; Ps 90,2-6.12-13; Mk 8,1-10)

 

Prania e Hyjit
Ndërsa je duke e filluar këtë tërheqje, pusho një moment të shkurtër për ta drejtuar vëmendjen tënde në brendësi.

Merr tri herë frymë thellë, relaksohu dhe njihe që je në praninë dashuruese të Zotit, i cili është me ty ndërsa po e fillon këtë udhëtim të zhvillimit dhe zbulimit.

 

Liria
Ndërsa e filloni këtë kohë lutjeje sot, a mund të mendosh për mënyrat se si Zoti po i ndikon në ty për t’u bërë më shumë si Ai?

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Atij që pranon, shëron dhe ripërtërin, mund të jem i/e sinqertë në lidhje me mënyrat sesi kam arritur ta përjetoj dashurinë.

Si kaloi dita e djeshme?
Si po e ndiej veten në lidhje me mënyrën se si jam përgjigjur, sesi kam ndërvepruar, sesi e kam hapur zemrën?
I ndaj ndjenjat e mia me Zotin.

 

Fjala

Leximet që i kemi dëgjuar këtë javë të gjitha rrjedhin nga libri i Zanafillës dhe përqendrohen në historinë e krijimit. Hyji krijoi gjithçka dhe Hyji pa që ishte e mirë. Në krijimin e njeriut, Hyji dëshironte që të ekzistonin burri dhe gruaja dhe që të krijoheshin në imazhin dhe ngjashmërinë e Hyjit. Duke vepruar kështu, Hyji shfaqi dëshirën e vet për marrëdhënie – një marrëdhënie midis burrit dhe gruas dhe një marrëdhënie midis Hyjit, burrit dhe gruas. Hyji e pa që edhe kjo ishte e mirë dhe donte që kjo marrëdhënie të zgjaste. Dhe kështu kemi përvojën e parajsës në Kopshtin e Edenit. Por jo gjithçka ishte mirë! Marrëdhënia midis Hyjit dhe krijesave të Hyjit në kopsht nuk zgjati shumë. Çfarë ndodh pastaj kur një marrëdhënie thyhet? Në leximin e kësaj fundjave nga libri i Zanafillës, dëgjojmë historinë e Rënies dhe mund të na japë disa përgjigje.

E dëgjoj Fjalën e Zotit me vëmendje dhe vërej ç`po ndodh në zemrën time.

 

Zan 3,9-24

 

9 Zoti Hyj e thirri njeriun e i tha: “Ku je”? 10 Ky iu përgjigj: “Dëgjova zërin tënd në kopsht e u tremba, sepse jam lakuriq e u fsheha”. 11 Ai i tha: “Kush të tregoi se je lakuriq? A mos hëngre frutat nga pema prej së cilës të kam urdhëruar të mos hash”? 12 Njeriu u përgjigj: “Gruaja që ma dhe për shoqe, ajo më dha frut prej pemës dhe hëngra”. 13 Atëherë Zoti Hyj i tha gruas: “Pse e bëre këtë”? Gruaja u përgjigj: “Më gënjeu gjarpri dhe hëngra”.

14 Atëherë Zoti Hyj i tha gjarprit:

“Pasi e bëre këtë gjë

qofsh mallkuar ndër të gjitha bagëtitë

dhe kafshët e egra!

Do të ecësh përmbi barkun tënd

dhe do të hash pluhur në të gjitha ditët e jetës sate!

15 Armiqësi do të vë ndërmjet teje e gruas,

ndërmjet farës sate e farës së saj:

fara e saj do të ta ndrydhë kokën,

kurse ti do t’ia sulmosh themrën”.

16 E gruas i tha:

“Do t’i shtoj mundimet e shtatzënisë sate,

në mundime do t’i lindësh fëmijët,

dëshirimi yt do të të shtyjë kah burri yt

e ai do të sundojë mbi ty.”

17 Kurse njeriut i tha:

“Pasi e dëgjove zërin e gruas sate

dhe hëngre frutin prej pemës që ta pata ndaluar ta hash:

Për shkak tëndin qoftë mallkuar toka!

Prej saj me mund do ta nxjerrësh kafshatën

për çdo ditë të jetës sate.

18 Do të të prodhojë ferra e halluga

dhe do të ushqehesh me barishte toke.

19 Me djersë të ballit tënd do ta hash bukën

derisa të mos kthehesh në dhe

prej të cilit qe nxjerrë,

sepse pluhur je dhe në pluhur do të kthehesh”!

20 Njeriu e quajti gruan e vet Evë, sepse ajo është nëna e të gjithë të gjallëve.

21 Zoti Hyj ia bëri njeriut e gruas së tij petkat prej lëkure dhe i veshi. 22 Atëherë Zoti Hyj tha: “Ja, njeriu u bë gati si njëri prej nesh duke e njohur të mirën e të keqen; tani, pra, s’do të ishte mirë ta shtrijë dorën e të marrë prej pemës së jetës e të hajë dhe të jetojë për amshim”.

23 Zoti Hyj e dëboi njeriun prej kopshtit të Edenit që ta punojë tokën prej së cilës qe krijuar. 24 E dëboi njeriun dhe, në lindjen e kopshtit të Edenit, i vendosi kerubinët e shpatën flakëruese e vringëlluese për ta ruajtur shtegun e pemës së jetës.

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimi Shenjt:

 

  • ‘Ku je?’ Ku jam tani në marrëdhënien time me Hyjin?
  • Kam frikë? A jam fshehur? Cila mund të jetë arsyeja apo arsyet për frikën time dhe për fshehjen time?
  • Ndërsa e dëgjoj përsëri leximin, mund të dëshiroj ta dëgjoj zërin e Hyjit në kopsht. Vëreje si duket ai? Tani që e kam një ide se ku jam në marrëdhënien time me Hyjin dhe me njerëzit e tjerë, a mund ta dëgjoj në zërin e Hyjit një ftesë për të dalë nga vendi im i fshehur dhe për ta takuar Hyjin në këtë vend dhe tani – në këtë moment?

 

Bashkëbisedimi

Edhe kur marrëdhëniet janë të prishura ka gjithmonë një shans të dytë.

Hyji është gjithmonë plot mëshirë dhe dhembshuri.

Flit me Hyjin tani hapur për mënyrën se si ndoshta dëshiron ta ripërtërish, ta rivendosësh, me hirin e Hyjit, një marrëdhënie me Hyjin dhe me të afërmin. Flit pa frikë!

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto momente vetëm me ty. E marr me mend se si Zoti ka mëshirë për mua dhe dëshiron ta ripërtërijë marrëdhënien time me të. E sheh gjendjen time, nevojat e mia dhe dëshiron të më forcojë.

O Zot, të falënderoj edhe për gjëra të vogla. Nevojat janë të mëdha, kurse mjetet (fondet) e mia janë të pamjaftueshme. Faleminderit për atë që kam. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »