Mësues i lumturisë së njeriut

Feb 17 • LEXIMET E SË DIELËS, Teologji

E diela VI gjatë vitit (C)

 

Leximi i parë   Jer 17, 5-8

Profeti Jeremia shpall se njeriu gjendet para dy rrugëve dhe duhet të zgjedhë njërën: e para është pikërisht ajo që të vendosë besimin e vet në njeriun, në të mirat tokësore dhe kështu është i dështuar, e dyta është ajo që të vendosë besimin e vet në Hyjin dhe të fitojë lumturinë e vërtetë.  Profeti na nxit të dalim nga shpresat e rreme që njeriu ndërton me duart e veta duke gënjyer veten se është i lumtur dhe i realizuar.

 

Lexim prej Librit të Jeremisë profet

Kështu thotë Zoti: “Qoftë mallkuar ai njeri që në njeriun shpreson, ai që mbështetjen e vet e ka në njeriun dhe që trupin e dobët e konsideron muskul të vet, e zemra e tij largohet prej Zotit. Ai do të jetë porsi marena në shkretëtirë: nuk sheh kur vjen e mira, i shkojnë ditët në thatësirën e shkretëtirës, në tokë të kriposur, të pabanueshme. Qoftë bekuar ai që shpreson në Zotin, Zoti do të jetë shpresa e tij. Ai do të jetë porsi druri i mbëltuar në breg të ujit, që kah përroi i lëshon rrenjët e s’do të trembet kur të vijë zhegu: gjethi i tij do të jetë i blertë. Për vit thatësie s’është në kujdes, nuk pushon duke dhënë fruta.” Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi   1

 

Ref: Lum njeriu që shpreson në Zotin

————————————————

Lum njeriu që nuk i ndjek këshillat e bakëqijve,

që nuk qëndron në udhën e mëkatareve,

e nuk rri së bashku me përqeshës;

por kënaqet në ligjin e Zotit,

dhe e kujton atë ditë e natë.

————————————————

Ai është porsi pema e mbjellë në bregun e ujit që rrjedh,

e cila frytin e vet e jep në stinë,

dhe gjetet kurrë s’i vyshken:

i ecën mbarë gjithçka të ndërmarrë.

————————————————

Jo, kështu jo, s’do t’u ndodhë të paudhëve,

por ata janë porsi byku që e shpërndan era.

Sepse Zoti e di udhën e të drejtëve,

kurse udha e bakëqijve do të mbarojë.

————————————————

 

Leximi i dytë   1 Kor 15, 12.16-20

Pali, pasi ka provuar sigurinë e ngjalljes së Krishtit, që është themel i besimit tonë, pohon që në të gjendet garancia e ngjalljes së trupave tanë në fund të kohërave. Të besosh në ngjalljen do të thotë të besosh që jeta është një realitet e jo një iluzion. 

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Vëllezër, në qoftë se predikohet se Krishti është ngjallur prej të vdekurish, si atëherë disa prej jush thonë: “Nuk ka ngjallje prej të vdekurve”? Sepse, në mos u ngjallshin të vdekurit, as Krishti nuk është ngjallur. Po në qoftë se Krishti nuk është ngjallur, e kotë është feja juaj, ende jeni në mëkatet tuaja. Atëherë edhe ata që vdiqën në Krishtin, u borën. E në qoftë se në Krishtin shpresojmë vetëm në të mirat e kësaj jete, atëherë ne jemi njerëzit më të mjerët. Por, verevërtet, Krishti u ngjall prej të vdekurve! Ai është fryti i parë i të vdekurve! Fjala e Zotit.

 

 

Aleluja.

Gëzohuni dhe galdoni, thotë Zoti, sepse shpërblim i madh ju pret në qiell.

Aleluja.

 

Ungjilli   Lk 6, 17.20-26

Jezusi shpall se ardhja e mbretërisë së tij do të përmbysë situatat njerëzore: Ungjilli do të jetë pasuri për të varfërit, liri për të shfrytëzuarit, gëzim për të trishtuarit. Lumturitë e Ungjillit shpallin arritjen e Hyjit në historinë e njerëzve dhe ndërhyrjen e tij për të shndërruar ngjarjet tona. 

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

Në atë kohë, Jezusi zbriti bashkë me të dymbëdhjetët e zuri vend në rrafshinë. Ishte aty një shumicë e madhe nxënësish të tij dhe një turmë e madhe e popullit prej mbarë Judesë, prej Jerusalemit dhe prej bregut të detit të Tirit e të Sidonit.

Jezusi, si i drejtoi sytë e vet mbi nxënës, thoshte:

“Të lumët ju, o skamnorë, sepse juve ju përket Mbretëria e Hyjit!

Të lumët ju që tani keni uri, sepse do të ngiheni!

Të lumët ju që tani qani, sepse do të qesheni!

Të lumët ju kur njerëzit do t’ju urrejnë, kur do t’ju përjashtojnë prej rrethit të tyre, kur do t’ju poshtërojnë, kur do ta çmojnë emrin tuaj për të pandershëm për shkak të Birit të njeriut!

Atë ditë gëzohuni dhe kërceni sepse ju pret shpërblim i madh në qiell. Vërtet, në të njëjtën mënyrë vepruan edhe etërit e tyre me profetët!

Por, vaj për ju, o pasanikë, sepse e keni ngushëllimin tuaj!

Vaj për ju që tani jeni të ngopur, sepse do të pësoni uri!

Vaj për ju që tani qesheni, sepse do të vajtoni e do të qani!

Vaj për ju, kur të gjithë njerëzit do t’ju lëvdojnë, sepse ashtu vepruan edhe etërit e tyre me profetët e rrejshëm!” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Sot dëgjojmë Lumturitë, të cilat janë përmbledhur në Ungjillin e Jezusit, lajmi profetik i Mbretërisë së Hyjit, i pranishëm dhe i inaguruar në personin e Krishtit. Lumturitë propozojnë sjelljet themelore për të qenë me të vërtetë dishepuj të Krishtit.

Profeti Jeremia na fton të mos besojmë në njeriun që është shkak mallkimi dhe i mungesës së lumturisë.  Ndërsa kush beson në Hyjin do të gjejë bekim dhe gëzim në zemër. Jezusi në Ungjill fton dishepujt për të programuar jetën e tyre sipas mesazhit të Lumturive.

“Lum ju, të varfër… ju, që keni uri, sepse do të ngopeni… ju, që tani qani, sepse do të qeshni…, por vaj për ju, të pasur, sepse keni marrë ngushëllimin tuaj”. Ky mesazh është në kontrast të thellë me mentalitetin e botës. Jezusi vetë ka jetuar në personin e tij mesazhin që shpall: Ai është i Varfëri, i Persekutuari, Ai që qan, e për këtë është Ai që ka jetuar lumturitë.

Lind pyetja: kush është i lumë, i pasuri që ditë pas dite sheh të shumohet lakmia e pasurisë, vetmia e tij, apo i varfëri që në varfërinë e tij duhet të hapë dorën për të kërkuar lëmoshë, ndihmën e tjetrit, duke hapur zemrën e tij ndaj vëllezërve?

A është i lum ai që është i ngopur dhe nuk pret asgjë nga të tjerët, apo ai që është gjithmonë në kërkim të drejtësisë njerëzore dhe në pritje të një ndihme të Hyjit? Vetëm kush jeton me Jezusin e përvuajtur, të varfër dhe të refuzuar nga bota, do të ngjallet me Të në jetën e amshuar. 

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, lumturitë na zbulojnë fytyrën e Jezu Krishtit dhe na tregojnë një rrugë plot me supriza drejt lumturisë. T’i kërkojmë Atit që lumturitë të jenë dritë për hapat e ecjes sonë. Të lutemi së bashku e të themi:

 

Na dëgjo, o Zot.

L. Për Kishën që të jetë me të vërtetë “Kisha e Lumturive” dhe të vërë besimin e saj vetëm në Zotin. Të lutemi.

L. Për popujt dhe kombet e pasura që të mos harrojnë që të varfërit, për të cilët Zoti kujdeset, janë edhe nën përgjegjësinë e tyre. Të lutemi.

L. Për burrat dhe gratë e kohës sonë, të prekur nga sëmundja, që të mund të gjejnë qetësi e besim duke shikuar Jezusin, “Njeri i dhimbjeve, që njeh mirë vuajtjen”. Të lutemi.

L. Për të rinjtë, që të pranojnë propozimin për të ndjekur Krishtin, Mësuesin hyjnor, i varfër dhe i përvuajtur në zemër. Të lutemi.

L. Për bashkësinë tonë, që të mbështesë me lutjen e solidaritetin institucionet e ndryshme të angazhuara për të sëmurët dhe pleqtë, që janë në këtë territor. Të lutemi.

M. O Atë, na bëj që të përballojmë me shpirtin e lumturive përgjegjësitë personale, familjare e shoqërore dhe kështu të realizojmë vullnetin tënd. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »