Sa jam solidar me të varfrit?

Feb 17 • Meditimi i ditës

17 shkurt 2019 – E diela 6-të gjatë vitit (C), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Jer 17,5-8; Ps 1,1-4.6; 1Kor 15,12.16-20; Lk 6,17.20-26)

 

Prania e Hyjit
Ndalu një moment dhe paramendoje se si Hyji është duke të vështruar.

Ati, Biri dhe Shpirti Shenjt gëzohen për dëshirën tënde të madhe që këtë kohë t`ia kushtosh lutjes.

 

Liria
Lutem për hirin që t`i harroj të gjitha brengat vetjake,

që të jem i/e hapur ndaj asaj se çka kërkon Zoti prej meje,

që t`i dorëzohem udhëheqjes së Krijuesit që më do.

 

Ndërgjegjësimi
O Zot, ma ke dhënë natën për pushim dhe fjetje.

Në momentet e mia zgjuar mos e harrofsha kurrë mirësinë tënde.

Më mëso që bekimin tënd ta ndaj me të tjerët.

 

Fjala

Fjala e Hyjit vjen tek ne nëpërmjet Shkrimit Shenjt.
Shpirti Shenjt ma ndriçoftë mendjen dhe zemrën në mënyrë që t`u përgjigjem nxitjeve të ungjillit.
Që t`i dua të afërmit si vetveten.
Që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.

E dëgjoj tekstin biblik me mend e zemër:

 

Lk 6,17.20-26

 

17 Pastaj [Jezusi] zbriti bashkë me ta [me të dymbëdhjetët] e zuri vend në rrafshinë.

20 Jezusi, si i drejtoi sytë e vet mbi nxënësit, thoshte:

“Të lumët ju, o skamnorë,

sepse juve ju përket Mbretëria e Hyjit!

21 Të lumët ju që tani keni uri,

sepse do të ngiheni!

Të lumët ju që tani qani,

sepse do të qeshni!

22 Të lumët ju kur njerëzit do t’ju urrejnë,

kur do t’ju përjashtojnë prej rrethit të tyre,

kur do t’ju poshtërojnë,

kur do ta çmojnë emrin tuaj për të pandershëm për shkak të Birit të njeriut!

23 Atë ditë gëzohuni dhe kërceni sepse ju pret shpërblim i madh në qiell.

Vërtet, në të njëjtën mënyrë vepruan edhe etërit e tyre me profetët!

24 Por, vaj për ju, o pasanikë,

sepse e keni ngushëllimin tuaj!

25 Vaj për ju që tani jeni të ngopur,

sepse do të pësoni uri!

Vaj për ju që tani qeshni,

sepse do të vajtoni e do të qani!

26 Vaj për ju, kur të gjithë njerëzit do t’ju lëvdojnë, sepse ashtu vepruan edhe etërit e tyre me profetët e rrejshëm!”

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • A thua Zoti e promovon varfërinë – a duhet të pësojmë uri? Jo. Shkrimi i Shenjtë, Bibla nuk e lavdëron varfërinë, por të varfrit. Ky ndryshim është i rëndësishëm. Në asnjë mënyrë Zoti s`dëshiron që njerëzit të pësojnë uri. Ai nuk kërkon prej nesh një privim gjatë gjithë jetës, si çmim për të hyrë në amshim. Që në faqet e para të Biblës thuhet se Hyji i vuri njerëzit në një kopsht ku rriteshin pemë me fruta të shijshme, të cilat njeriu mund t`i gëzonte. Dhe teksti origjinal i Besëlidhjes së Vjetër, historia e Eksodit, Daljes, nuk e fsheh, se çlirimin nga skllavëria nuk është lojë fëmijësh, se një kohë e ecjes nëpër shkretëtirë është e pashmangshme, por qëllimi i kësaj përpjekjeje nuk është shkretëtira, por Toka e Premtuar, një vend në të cilin rrjedh qumësht dhe mjaltë. Hyji dëshiron që ne të kemi një jetë të bollëkut – një jetë të plotë. Ky është mesazhi i përbashkët i Besëlidhjes së Vjetër dhe të Re, dhe asgjë s`e justifikon supozimin se kjo plotësi ishte vetëm njëfarë premtimi si një ngushëllim i lirë vetëm për një jetë të përtejme të mirë. A di t`i shijoj që tash të mirat që Zoti i ka krijuar? Sa e jetoj jetën në plotësi?
  • Për shkak se çdo person e ka një dinjitet të patjetërsueshëm si person i dashur i Hyjit, Jezusi e vendos veten në krah të të varfërve dhe të uriturve, të cilëve u mohohet ky dinjitet nga njerëzit me të cilët jetojnë. Shpallja e lumnisë nuk është cinizëm dhe një ëmbëlsim fetar mbi mjerimin e vërtetë, por një përkushtim që krijon kushte të reja. Atje ku Jezusi i takon të varfrit, ata e zbulojnë dinjitetin e tyre dhe e përjetojnë se çfarë do të thotë që vetë Hyji u drejtohet atyre: të kërrusurit mund të ecin drejt, të paprekshmit, bëhen të prekshëm, të gërbulurit kthehen në bashkësi dhe ku njerëzit e uritur ndajnë bukën e tyre, dymbëdhjetë shporta mbesin plot. Sa jam solidar me të varfrit?
  • Duke u solidarizuar me të varfrit, njeriu i Nazaretit – Jezusi, është në përputhje me profetët si Amosi dhe Isaia. Ndërsa e dëgjon sërish tekstin biblik, vë re se si Jezusi nuk trembet për t`iu thënë në fytyrë pasanikëve dhe pushtetarëve se janë në rrugën e gabuar.

 

Bashkëbisedimi
“Të kesh apo të jesh”. Ata që janë të pasur janë në rrezik t`i ngatërrojnë këto të dyja. Shikimi i drejtuar kah pasuria jonë e pengon pikëpamjen tonë për pasurinë e pamatshme të krijimit tonë. Pasuria mund të bëhet një sëmundje. Mund të na bëjë të mos reagojmë ndaj thesareve të thjeshta të kësaj bote dhe të pandjeshëm ndaj nevojave të njerëzve. Vetëm pasuria e përbashkët është pasuria e vërtetë. Bisedo me Zotin për qëndrimin tënd ndaj pasurisë.

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Ti dëshiron që të jemi të ndjeshëm dhe të kujdesshëm, kërkon që t`i sjellim përpara Hyjit të gjitha aspektet e jetës sonë. Bëj, o Zot që të mund ta respektoj zërin e ndërgjegjes gjatë kohës që përpiqem të dëgjoj atë që je duke më thënë.

Shpesh kam dëgjuar se kush është fitues dhe kush humbës. Kam dëgjuar për njerëz të mëdhenj, dhe më është thënë, më kanë mësuar t`i injorojë të vegjlit. Jezus, ti po ma tregon një mënyrë më ndryshe të të menduarit në lidhje me pasurinë dhe lumturinë e vërtetë të kësaj bote. Le të më bien ndër mend njerëzit të cilët i admiroj – më trego, o Zot, se kush vërtet e meriton vëmendjen time. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »