A i vërej shenjat/mrekullitë e Zotit te vetja?
18 shkurt 2019, E hënë – MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Zan 4,1-15.25; Ps 50,1.8.16bc-17.20-21; Mk 8,11-13)
Prania e Hyjit
Në pikën e qetë të botës sime në lëvizje,
në thelbin e qenies sime,
pres ta dëgjoj dhe ta ndiej praninë e butë të Hyjit
I Cili më thërret ta hap zemrën dhe të lejoj të shkoj tek Ai.
A mund të shkoj në atë vend ku po më thërret Hyji?
Liria
Kur e ndiej veten të robëruar dhe kur gjithçka më ngarkon,
madje edhe atëherë kur rrezet e diellit nuk arrijnë në hapësirën ku ndodhem,
edhe atëherë, në heshtjen e vdekur, shpirti im është i lirë dhe i papenguar.
Në këtë liri shpirti të drejtohem ty.
Ndërgjegjësimi
Duke ditur që Hyji më do pa kusht,
mund t`i lejoj vetes të jem i/e sinqertë se si jam përnjëmend.
Si është duke më kaluar dita? Si po e ndiej veten në këtë moment?
Fjala
Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.
Çfarë jam duke dëgjuar?
E dëgjoj tekstin biblik dhe vërej ç`po ndodh në zemrën time.
Mk 8, 11-13
11 Atëherë erdhën farisenjtë dhe filluan të rragaten me të. Duke e vënë në provë kërkuan prej tij një shenjë prej qiellit. 12 Jezusi duke fsharë prej fundit të shpirtit, tha: “Përse kjo brezni kërkon shenjë? Për të vërtetë, po ju them: kësaj breznie s’do t’i jepet shenjë!”
13 Atëherë i la, përsëri hipi në barkë dhe kaloi në anën tjetër.
Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:
- Farisenjtë erdhën tek Jezusi pasi mendonin se ishte detyra e tyre ta vinin në provë. Ata duhet të kenë kaluar disa kohë duke folur për këtë … njerëzit kishin filluar të dukeshin më të interesuar për Jezusin sesa për ta … a mund të imagjinosh se si mund të ketë ndodhur kjo bisedë? Çfarë mund të kenë thënë?
- Në njëfarë mënyre, nuk ka asgjë të keqe kur kërkon një shenjë, kur kërkon prova, shenja evidente, apo jo? Është pjesë e mënyrës sesi veprojmë si qenie njerëzore. Prej cilët njerëz në jetën time kërkoj dëshmi para se të besoj se çfarë thonë ata? Kush janë njerëzit nga të cilët i pranoj gjërat ‘me besim’?
- Ndërsa e dëgjon përsëri leximin, provo dhe imagjinoje se si ndodhë e gjithë skena – gjendjen e farisenjve, pamjen në fytyrat e tyre, tonin e zërit që përdorin, ndoshta, zërin e Jezusit ….
Bashkëbisedimi
Ndoshta është e vërtetë se qëndrimi i shumicës së njerëzve ndaj Hyjit, dhe marrëdhënia e tyre me Hyjin, përfshin një përzierje të provave dhe besimit.
Nganjëherë ne mund të duam ‘shenja’.
Dhe, nganjëherë, mund t’i marrim ato.
A është kjo e vërtetë për mua? A mund të flas me Zotin për këtë tani?
Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto disa minuta vetëm me ty. Zot, ti e di se si nganjëherë do të dëshiroja ndonjë shenjë. Por ti e di gjithashtuse sa shumë shenja ekzistojnë rreth meje dhe në mua. Do të përpiqem t`i vërej mrekullitë që i bën përditë.
Jezus, ti e dije se s`do të mund t`i përmbushje kërkesat për prova (vërtetime). Nga ti më largon dëshira ime që ta kem unë fjalën e fundit, si dhe përpjekja ime për të gjetur provën përfundimtare. Më ndihmo, Zot, të di kur duhet lënë diçka dhe të vazhdoj rrugën përpara. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
« Mësues i lumturisë së njeriut Çka dëshiron të shohësh, të dëgjosh, të kuptosh? »